Ndërlidhjet

Mot i ligë në Evropë


Përmbytjet në zonën e Shkodrës.
Përmbytjet në zonën e Shkodrës.
Përmbytjet në Shqipëri, të shkaktuara nga reshjet e shumta dhe rritja e prurjeve në lumenjtë e Bunës dhe Drinit, po marrin përmasa alarmante.

Niveli i ujit në Shkodër, mëngjesin e sotëm, ishte më i lartë se dje. Burimet zyrtare flasin për bllokim të aksit nacional Tiranë-Shkodër, ndërsa ekipet emergjente po punojnë në evakuimin e banorëve.

Përveç Shqipërisë, me përmbytje po ballafaqohen edhe vendet tjera të rajonit: Serbia, Mali i Zi e Bosnja.

Qytetet serbe, Prijepole, Priboj, Uzhicë e Shabac janë ndër më të rrezikuarat. Lumenjtë Lim, Sava e Drini kërcënojnë përmbytjen e qindra shtëpive.

Rrjedha e lumit Drin në digën e hidrocentrales së Peruçacit është 11 herë më e madhe se në kushtet normale, por, sipas parashikimeve meteorologjike, pritet të tejkalojë së shpejti.

Gorazhde, Bosnjë
Në komunën Gorazhde të Bosnjë e Hercegovinës është shpallur gjendje e jashtëzakonshme për shkak të shirave të dendura dhe rritjes së nivelit të ujit të lumit Drin.

Shumë rrugë të kryeqytetit malazez, Podgoricë, janë të pakalueshme, ndërsa në rajonin e Zetës kanë pësuar disa shtëpi dhe objekte.

Probleme me përmbytje ka edhe Kroacia, ku lumi Neretva ka dalë nga shtrati dhe ka vënë në rrezik rajonin Metkoviq.

Në hapësirën e Ballkanit Perëndimor, përjashtim bën Kosova, ku të enjten temperatura maksimale ka arritur në 15 gradë celsius, me mot të thatë dhe pa të reshura.


Viktima dhe komplikime në komunikacion

Reshjet e dendura të borës dhe temperaturat nën zero gradë Celsius duket se do të shkaktojnë një tjetër ditë me komplikime në komunikacionin rrugor e ajror të Evropës.

Në Poloni, termometri ka shënuar temperaturën prej -26 gradësh Celsius, ndërsa tetë njerëz kanë humbur jetën nga të ftohtët. Pesë viktima të tjera janë regjistruar në Evropën qendrore dhe dy në Britaninë e Madhe.

Aeroporti Gatwick i Londrës mbetet i mbyllur, ndërsa fluturime të shumta janë anuluar në Francë dhe Gjermani.

Rrjeti hekurudhor Eurostar po ashtu ka pezulluar gjysmën e shërbimeve.

Acari pritet të vazhdojë me ditë, derisa presioni i ulët i përqendruar mbi Evropën perëndimore lëviz ngadalë drejt lindjes.

Skoci
“Kemi një kohë të pazakontë dhe të ftohtë në shumicën e pjesëve të Atlantikut lindor”, thotë Hajnc Maurer nga Shërbimi Meteorologjik i Zvicrës, transmetojnë mediat e huaja.

Aeroporti i Gjenevës është rihapur të enjten, ndërsa Autoriteti Civili i Aviacionit në Francë u ka kërkuar kompanive ajrore të anulojnë rreth 25 për qind të fluturimeve, për të shmangur problemet e mëtejshme.

Aeroporti më i ngarkuar i Evropës, Heathrov, po ashtu paralajmëron ndërprerje, ndërsa nga kushtet e këqija janë prekur edhe ato në Frankfurt, Vjenë e Pragë.

Në Francë, 12 rajone kanë ndaluar qarkullimin e kamionëve, duke bllokuar rreth 7 mijë sosh. Ngricat kanë qenë shkaktare edhe të shumë aksidenteve rrugore në Gjermani.

Policia polake po angazhohet për t’iu ofruar strehim njerëzve të pastrehë. (v.t.)
XS
SM
MD
LG