Ndërlidhjet

OSBE mbetet pa një plan veprimi


Astana
Astana
Delegatët në samitin dyditor të OSBE-së në Astana të Kazakistanit shpresonin të arrijnë marrëveshje për një plan të ri veprimi për ta forcuar organizatën në të ardhmen.

Por, delegatët e konkluduan sesionin final të samitit pa marrëveshjen e shpresuar.

Liderët botërorë në samitin në Kazakistan pranuan se Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë nuk ka qenë në gjendje t’i parandalojë dhe t’i zgjidhë konfliktet në Evropë dhe në ish-republikat sovjetike.

Por, delegatët nuk arritën të bien dakord as për planin e ri të veprimit, që do ta udhëhiqte organizatën në të ardhmen.

Presidenti i Kazakistanit, Nursulltan Nazarbajev, ishte caktuar t’i shpallë rezultatet në konferencën për shtyp. Por, në vend të kësaj, ai e shtyu takimin me gazetarët.

Kryeministri italian, Silvio Berluskoni, gjithashtu i bëri një apel të papritur samitit që të “tregojë frymën e unitetit dhe të flasë për qëllime specifike” për të ardhmen e OSBE-së.

Ministri i Jashtëm i Kazakistanit, Kanat Saudabajev, kryesues aktual i OSBE-së, u përpoq t’i portretizojë në dritë pozitive zhvillimet pas takimit të Sekretares së Shtetit, Hillari Klinton, dhe presidentit të Kazakistanit.

Palët ranë dakord se kryesimi efektiv i Kazakistanit, përfshirë këtë samit në Astana, i ka dhënë hov të ri aktivitetit të organizatës në forcimin e sigurisë dhe zhvillimin e bashkëpunimit në fushën e përgjegjësisë së OSBE-së”, tha Saudabajev.

Diplomatët thanë se marrëveshja për një plan të ri veprimi të OSBE-së ishte shtyrë për shkak të referencave ndaj disa çështjeve të diskutueshme, siç janë rajoni separatist i Transnistrisë në Moldavi, tensionet ndërmjet Rusisë dhe Gjeorgjisë, si dhe kontesti midis Armenisë dhe Azerbajxhanit për rajonin e Nagorno Karabahut.

Të mërkurën, përpara se Sekretarja e Shtetit, Hillari Klinton, të nisej në Kirgizinë fqinje, ajo dhe presidenti i Rusisë, Dimitri Medvedev, gjithashtu bënë thirrje për rimodelimin e OSBE-së, në mënyrë që të mund të përballet më mirë me kërcënimet e sigurisë së shekullit 21.

Por, ata gjithashtu i nënvizuan mosmarrëveshjet ndërmjet Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara, përfshirë pikëpamjet tejet të ndryshme ndaj konfliktit në Gjeorgji dhe rajonet separatiste të saj, të cilat gëzojnë mbështetjen e Moskës.

Klinton sot e vazhdoi turneun rajonal me vizitën në Kirgizi, ku deklaroi se demokracia parlamentare mund të funksionojë në Azinë Qendrore.

Ajo i bëri këto komente në konferencën e përbashkët për shtyp me presidenten Roza Otunbajeva.

“Janë të shumtë ata që thonë se demokracia parlamentare, demokracia e vërtetë parlamentare, nuk mund të funksionojë në Azinë qendrore apo në pjesë tjera të botës. Ne e refuzojmë këtë dhe ne mendojmë se Kirgizia ka dëshmuar se mund të funksionojë”, tha Klinton.

Sekretarja amerikane e Shtetit insistoi se “demokracia, të drejtat e njeriut dhe një shoqëri e gjallë civile, mund të ndihmojnë stabilitetin dhe prosperitetin” e vendeve. (v.p.)
XS
SM
MD
LG