Ndërlidhjet

Ujërat e zeza vërshojnë Institutin Onkologjik


Riparimet në sistemin e kanalizimit në Institutin e Onkologjisë në Prishtinë

Riparimet në sistemin e kanalizimit në Institutin e Onkologjisë në Prishtinë

Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Instituti Onkologjik nuk funksionon tërësisht që nga viti 2004, thonë zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë.

Por, tashmë ky institut ende pa u funksionalizuar tërësisht, është vërshuar nga ujërat e zeza, pas të reshurave të vazhdueshme atmosferike.


Faik Hoti, drejtor i Departamentit për informim në Ministrinë e Shëndetësisë, thotë se ky institucion është duke ndërmarrë disa veprime, të cilat kanë për qëllim eliminimin e përsëritjes së asaj që ka ndodhur si pasojë edhe e mungesës së planit adekuat të bartjes së ujërave të zeza nga ky institut deri në kolektorët përkatës.

“Në Onkologji janë duke u vendosur gypa adekuatë, me qëllim që të evitohet kyçja e gabuar siç është bërë deri tash dhe ujërat e zeza të barten në një kolektor tjetër, së paku 50 metra larg objektit dhe të pamundësohet mbyllja e qarkullimit të tyre”,
bën të ditur Hoti.

Sipas Hotit, uji ka depërtuar vetëm në bodrumin e institutit dhe aparatura nuk është dëmtuar.

“Uji ka depërtuar vetëm në bodrum dhe nuk ka raportime se është dëmtuar aparatura, e cila gjendet në katin e parë të Institutit të Onkologjisë”,
thotë Hoti.

Qendra Klinike Universitare e Kosovës
Por, Arben Kutllovci, udhëheqës i Institutit të Onkologjisë në QKUK, thotë se me përfshirjes e ujërave të zeza janë prekur edhe aparatet ,të cilat kushtojnë shumë shtrenjtë. Kutllovci shton se nuk e di saktë se sa janë dëmtuar ato aparatura derisa të bëhet ndezja e tyre.

“Ujërat e zeza nuk kanë shkuar në kanalizim, por janë kthyer prapa duke hyrë në Institutin Onkologjisë. Tash është kontraktuar një kompani dhe është duke u punuar. Uji ka depërtuar edhe në aparaturë dhe se a janë dëmtuar apo jo aparatet, nuk e dimë sepse nuk i kemi ndezur. Nuk guxojmë vetëm t’i provojmë”,
shprehet Kutllovci.

Ndërkaq, Hoti thekson se Ministria e Shëndetësisë së shpejti do të angazhojë një ekip ekspertësh ndërkombëtarë për të mësuar aplikimin e shumicës së aparateve që gjenden në këtë institut dhe aftësimin e stafit vendor për këtë shërbim.

Që nga viti 2004 në Institutin Onkologjik janë investuar rreth 6 milionë euro.
  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG