Ndërlidhjet

Programi i Koalicionit për Kosovë të Re garanton sukses dhe kthim pozitiv të zhvillimeve në Kosovë, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë Mimoza Kusari Lila, e nominuar për kryeministre nga Aleanca Kosova e Re.


RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Kusari Lila, pse qytetarët duhet t’ju votojnë juve? Çfarë ju dallon realisht nga partitë tjera?

MIMOZA KUSARI LILA
Koalicionin për Kosovë të Re e dallon shumëçka nga partitë tjera. Në momentet kur partitë janë ndarë dhe janë krijuar fraksione të reja të partive, Aleanca Kosova e Re ka arritur që edhe shtatë subjekte të tjera t’i ofrojë afër programit të saj dhe të krijohet një koalicion shumë kualitativ, një koalicion me njerëz që janë të dëshmuar, si në aspektin profesional, ashtu edhe në atë politik.

Ky koalicion ofron dhe ka si një ndër shtyllat kryesore ngritjen e vlerave morale, etike, duke filluar nga shembulli i vetë njerëzve që janë pjesë e kësaj liste.

Përveç faktit të bashkimit, faktit të ofertës shumë profesionale, faktit të njerëzve të pastër, vlerave të larta morale dhe etike, si ombrellë është një program, i cili është shumë mirë i elaboruar dhe i cili garanton sukses dhe kthim pozitiv të zhvillimeve në Kosovë.

E dimë se Kosova vuan me vite të tëra nga një mungesë e strategjisë së zhvillimeve, nga mungesa e rritjes së qëndrueshme ekonomike. Me programin që ne ofrojmë, këto garantohen. Por, është edhe llogaridhënia dhe përgjegjësia, të cilat Koalicioni për Kosovë të Re i ka pjesë të programit dhe të proceseve që do t’i qeverisë në të ardhmen.

RADIO EVROPA E LIRË
Thirreni në një program të ngjeshur ekonomik, por, duke marrë parasysh buxhetin që ka Kosova, sa do të mund ta realizoni atë?

MIMOZA KUSARI LILA
Gjithsesi se jemi të vetëdijshëm për problemet dhe sfidat, me të cilat do të ballafaqohet qeveria e ardhshme. Jemi të gatshëm t’i marrim sipër këto sfida.

Buxheti është një prej pikave të dobëta, që do ta përcjellë qeverinë e ardhshme për vitin e ardhshëm, domethënë për vitin kalendarik 2011. Prandaj, edhe projeksionet tona për rritje ekonomike fillojnë që nga viti i dytë i qeverisjes, për arsye se viti i parë ka të bëjë me stabilizim buxhetor dhe me ngritje të të hyrave.

Në këtë aspekt janë parashikuar edhe masa, të cilat do të ndikojnë në ngritjen e të hyrave, duke përfshirë këtu fokusin te zhvillimi i sektorit privat – gjë e cila nuk ka qenë në qeveritë e deritashme, për arsye se rritjet ekonomike janë bazuar kryesisht në shpenzime kapitale e jo në rritje të qëndrueshme ekonomike të sektorit privat – gjithashtu hapjen e Kosovës për investime të huaja, adresimin e problemeve që kanë investitorët e huaj.

Mos të harrojmë se në raportin e fundit të Bankës Botërore për të bërë biznes, Kosova ka rënë në vendin 173 për mbrojtjen e investimeve të huaja. Është vendi i dhjetë nga fundi për siguri të investimeve të huaja.

Andaj, ne do të bëjmë gjithçka që duhet, në mënyrë që ta kthejmë besimin e investitorëve për të ardhur në Kosovë dhe t’i ngremë normat dhe standardet në aspektin kualitativ për të bërë biznes në Kosovë. Kjo është pjesa kryesore e programit, pa të cilën asnjë shtyllë tjetër nuk mund të zhvillohet.

Prandaj, thashë edhe në fillim, jemi të vetëdijshëm për problematikën që do të ekzistojë me buxhetin për vitin 2011, por ajo duhet të ndalet tani. Qeveria e re do të ballafaqohet me sfidë brenda një viti. Brenda një viti stabilizohet dhe krijohet një stabilitet, përgatitet terreni për miratimin e politikave, të cilat do të sjellin rezultate që në vitin e dytë të qeverisjes.

RADIO EVROPA E LIRË
Kosova sot përballet me sfida jo vetëm në aspektin ekonomik, por edhe në rrafshe të tjera, prej të cilave do të veçoja veriun dhe zhvillimet atje. Si do ta integronit ju atë pjesë?

MIMOZA KUSARI LILA
Është pjesë e programit tonë. Më herët ka qenë edhe pjesë e programit të Aleancës Kosova e Re dhe tani është adaptuar si pjesë e programit të Koalicionit për Kosovë të Re, që zgjidhja e problemit të veriut është zgjidhje që përkon me një mori masash ekonomike së pari – pra, tërheqjen e investimeve, shpalljen e zonës së veriut, jo vetëm, por deri te pjesa e rrugës me Vushtrrinë, si zonë e lirë tregtare.

Ajo do të tërhiqte dhe ofronte mundësi për investitorë nga jashtë dhe nga brenda, që të vijnë në këtë zonë të lirë tregtare, në të cilën pastaj do të mund të investohet dhe të ngrihen vende të reja pune.

Gjithsesi, në njëfarë forme, një qasje dhe strategji politike e akorduar me faktorin ndërkombëtar është e domosdoshme, për shkak se dihet që kompleksiteti i veriut të Kosovës nuk përkon vetëm me faktorin vendor, por edhe atë ndërkombëtar.

RADIO EVROPA E LIRË
Një nga zotimet e të gjitha subjekteve që garojnë në zgjedhjet e 12 dhjetorit, është integrimi sa më i shpejtë në strukturat evropiane. Si mendoni ta realizoni këtë?

MIMOZA KUSARI LILA
Aleanca Kosova e Re më herët dhe tani Koalicioni për Kosovë të Re kanë treguar që kanë punuar konkretisht, ende pa qenë në pushtet, në afirmimin e Kosovës, në rritjen e numrit të njohjeve për Kosovën dhe në inkuadrimin e Kosovës në sferat ndërkombëtare.

Programi ynë e ka në shtyllën e katërt globalizimin e Kosovës, që nënkupton jo vetëm integrimin në Bashkimin Evropian, por edhe anëtarësimin e Kosovës në organizatat tjera ndërkombëtare, të cilat paraprakisht mund t’ia ndihmojnë Kosovës rrugën për në BE.

Ne e dimë se për të aderuar në Bashkimin Evropian nevojiten një sërë masash, nevojitet një zhvillim i qëndrueshëm, por edhe reforma thelbësore. Asnjë nga këto reforma nuk mund të bëhet, pa një hapje më të madhe të Kosovës dhe pa një ngritje më të madhe ekonomike të Kosovës.

Ne, para se të garantojmë integrim në BE, do të garantojmë një afirmim më të madh të Kosovës në tërë botën, pa marrë parasysh blloqet, si dhe anëtarësim më të madh në organizatat tjera ndërkombëtare. Më pastaj, natyrisht se do të jetë më i lehtë edhe integrimi në BE.

Të gjithë i dimë problemet me të cilat është duke u ballafaquar sot Bashkimi Evropian, edhe me shtetet që kanë aderuar së fundmi. E dimë dhe frikën e skepticizmin që ka Bashkimi Evropian lidhur me proceset dhe lidhur me situatën në Ballkan, e në veçanti në Kosovë.

Kosova ka mbetur jashtë procesit të liberalizimit të vizave, çfarë tregon, në njëfarë forme, se ka mjaft probleme të ngritura në Kosovë. Prandaj, së pari duhet të zgjidhen problemet përbrenda.

Kosova të fillojë gradualisht të njihet më tepër, të rritet numri i njohjeve, të fillojë anëtarësimet në organizatat tjera ndërkombëtare, të cilat nuk i kanë kriteret aq strikte sa Bashkimi Evropian. Kur Kosova të jetë një vend stabil, i qetë, me rritje të qëndrueshme ekonomike, askush nuk do të hezitojë ta ketë atë si vend anëtar të vetin, e as Bashkimi Evropian.

RADIO EVROPA E LIRË
Me cilën parti konkretisht do të mund të bënit koalicion, nëse një mundësi e tillë ju ofrohet?

MIMOZA KUSARI LILA
Koalicioni për Kosovë të Re, deri më tani, nuk ka vendosur vija të kuqe. Ka deklaruar se është i gatshëm të bashkëpunojë dhe të lidhë koalicione me parti të tjera, por me disa kushte.

Kushtet kanë të bëjnë së pari me zbatimin në përpikëri të programit të Koalicionit për Kosovë të Re. Domethënë, të nënkuptohet se e kemi një program, një program të qëndrueshëm dhe ky program është ai që do të shërbejë si udhërrëfyes për qeverisje. Pra, do të transformohet prej një programi zgjedhor në një program qeverisës.

Së dyti, janë vlerat etike dhe morale si dhe historia e pastër e njerëzve, të cilët do të qeverisin. Ne kërkojmë që kabineti i ardhshëm qeveritar të jetë me njerëz profesionistë, me njerëz që janë të dëshmuar në aspektin profesional, janë politikisht të pjekur, por që edhe në aspektin etik dhe moral janë të pastër.

Prandaj, kur të plotësohen këto kritere, kur partitë nga të cilat do të kemi oferta, janë në gjendje t’i plotësojnë këto kritere, atëherë Koalicioni për Kosovë të Re do ta konsiderojë seriozisht lidhjen e koalicionit me një subjekt tjetër.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG