Ndërlidhjet

Dell: Zgjedhjet do të mbahen edhe në veri


Ambasadori amerikan në Kosovë, Kristofer Dell

Ambasadori amerikan në Kosovë, Kristofer Dell

“Ne jemi duke punuar me KQZ-në dhe partnerët ndërkombëtarë për të krijuar kushte për zgjedhjet në veri. Besoj se zgjedhjet do të mbahen atje, sepse është e rëndësishme”, tha pas një takimi me përfaqësues të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, ambasadori amerikan në Kosovë, Kristofer Dell. Ai shfaqi besimin se zgjedhjet e 12 dhjetorit do të karakterizohen nga një procedurë më e thjeshtëzuar e procesit për ankesa, se sa zgjedhjet lokale të 2009-ës.


Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Kristofer Dell, shprehu bindjen se zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare do të mund të zhvillohen edhe në veri të Kosovës.

Dell tha se në bashkëpunim me autoritetet përgjegjëse vendore e ndërkombëtare, do të krijohen mundësitë për pjesëmarrjen e të gjithë qytetarëve në zgjedhje më 12 dhjetor.

“Ne jemi duke punuar me KQZ-në dhe partnerët ndërkombëtarë - me Federatën Ndërkombëtare për Sisteme Elektorale sikurse me EULEX-in dhe KFOR-in, për të krijuar kushtet për zgjedhjet në veri. Besoj se zgjedhjet do të mbahen atje, sepse është e rëndësishme”.

Besoj se zgjedhjet do të mbahen atje, sepse është e rëndësishme.

“Të gjithë qytetarët e Kosovës meritojnë ta kenë të drejtën për të hedhur votën e tyre, disa mund edhe të mos e përdorin atë. Mirëpo, të gjithë meritojnë t’i kenë mundësitë e barabarta për t’u shprehur dhe zgjedhur liderin e tyre”,
u shpreh Dell.

Komenti i tij pason paralajmërimet e përfaqësuese të serbëve të veriut të Kosovës, sipas të cilave, të dielën e ardhshme nuk do të lejohet hapja e vendvotimeve në zonat e banuara me serbë në veri.

Edhe mekanizmat përgjegjës për administrimin e procesit zgjedhor janë zotuar se do të krijojnë kushtet për zhvillimin e një procesi të rregullt elektoral edhe në veri të Kosovës.

Mirëpo, zgjedhjet e fundit në Kosovë, ato për kryetar komune dhe kuvende komunale, nuk patën rezultuar me përcaktimin e liderëve legjitimë për komunat në veri për shkak të pjesëmarrjes së ulët të votuesve në atë pjesë të vendit.

Duke folur për aspektin teknik të ecurisë së procesit elektoral në zgjedhjet e 2009-tës, ambasadori amerikan Dell tha se ekzistimi i shumë niveleve të ankesave dhe mungesa e qartësisë për burimin e vendimeve kishin ndikuar në krijimin e dyshimeve për rezultatin zgjedhor.

Dell theksoi se me thjeshtëzimin e procedurave për ankesa do të ketë një shkallë më të lartë të besueshmërisë në proces.

“Jam shumë i bindur që, meqë ky panel udhëhiqet nga drejtësia e Gjykatës Supreme dhe nga 9 gjykatës të Gjykatës së Qarkut, të cilët, që të gjithë janë verifikuar dhe riemëruar në pozitat e tyre, të gjithë në Kosovë mund ta kenë një shkallë të lartë të besimit se këta do ta bëjnë punën në mënyrën më profesionale dhe më të çmueshme”
, theksoi Dell pas një takimi me përfaqësues të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

Kuvendi i Kosovës, kohë më parë, pati miratuar Ligjin e ri për Zgjedhjet, përmes të cilit thuhet se është thjeshtëzuar aspekti procedural i paraqitjes dhe shqyrtimit të ankesave.

Lexoni edhe këto
:
Beogradi s'i thërret serbët të dalin në zgjedhje

Serbët (s')duhet të dalin në zgjedhje
XS
SM
MD
LG