Ndërlidhjet

Partitë politike maqedonase në opozitë shprehen se VMRO-DPMNE e kryeministrit Nikolla Gruevski, me veprimet e veta dëshmon qartë se nuk është e interesuar të gjejë një zgjidhje për kontestin e emrit me Greqinë, që do t’i hapte rrugë procesit të integrimit në strukturat euro-atlantike.

Këtë e arsyetojnë me vetë faktin që ka hedhur poshtë iniciativën e disa partive politike maqedonase në opozitë për miratimin e një strategjie të përbashkët shtetërore për zgjidhjen e kontestit prej dy dekadash me Greqinë.

“Është e qartë se pikërisht ata, të cilët janë më përgjegjës për zgjidhjen e kontestit të emrit me Greqinë, sillen pa pikë përgjegjësie ndaj interesave kombëtare të shtetit”
, shprehet Andrej Petrov, sekretar i përgjithshëm i LSDM-së.

Petrov konsideron se pushteti ka humbur kontaktin me realitetin e hidhur, në të cilin jetojnë qytetarët e Maqedonisë. Ai thotë se protesta e së dielës ka për qëllimin shembjen e pushtetit të qeverisur keq nga VMRO-DPMNE dhe BDI-ja, pushtet ky që ka humbur të gjitha shanset e integrimit në strukturat euro-atlantike.

Nga ana tjetër, partia e kryeministrit Nikolla Gruevski, VMRO-DOMNE, është shprehur se është i domosdoshëm konsensusi për këtë çështje të ndjeshme, siç është zgjidhja e kontestit të emrit.

Por, siç është shprehur deputeti i kësaj partie, Petar Pop Arsov, shqyrtimi i çështjes së emrit në Parlament, paraqet rrezik që të minojë procesin e negociatave me Greqinë.

“Nëse çështja e emrit vendoset në rend dite në Parlament, në njëfarë forme rrënohet, ose thënë më mirë, digjen disa mundësi të favorshme që çojnë kah zgjidhja e kontestit me Greqinë për çështjen e emrit”, deklaron deputeti i VMRO DPMNE-së, Petar Pop Arsov.

Ndërkohë, ekspertët shqiptarë theksojnë se mungesën e kapacitetit diplomatik për të zgjidhur kontestin, pushteti e ambalazhon përmes zënkave me partitë opozitare, si dhe kthimin në të kaluarën antike.

Sipas Mersel Bilallit, ligjërues i Shkencave politike në Universitetin e Evropës Juglindore, për të pasur sukses negociatat, para së gjithash nevojitet të bëhet distinksion i prerë mes Maqedonisë antike dhe Maqedonisë së sotme.

“Jam i mendimit se ambienti politik në këtë situatë duhet të mjegullohet që të mund të maskohen të gjitha dështimet që kanë të bëjnë me reformat apo mosreformat në segmentet kyçe, si dhe në moszgjidhjen e çështjes së emrit dhe shpreh bindjen se ky segment është jashtëzakonisht i dëmshëm për Maqedoninë”.

“Segmenti shqiptar, në këtë drejtim, do të dështojë, nëse bëhet pjesë e kësaj loje”
, vlerëson Bilalli, duke theksuar se bëhet fjalë për një strukture mentale, që udhëheq me Maqedoninë, së cilës i intereson vetëm pushteti dhe në këtë drejtim është e palogjikshme të shpresohet se Maqedonia së shpejti do të gjejë zgjidhje me Greqinë për çështjen e emrit.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG