Ndërlidhjet

Opozita, thirrje për bojkot


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Pas miratimit të Ligjit për regjistrimin e popullsisë pa konsensus të gjerë ndërpartiak, opozita shqiptare paralajmëron zyrtarizimin e kërkesës për thirrje drejtuar qytetarëve për bojkotimin e regjistrimit të popullisë, që pritet të mbahet nga 1 deri më 15 prill të vitit të ardhshëm.

Demokracia e Re, që ishte edhe më e zëshmja në kërkesën për shtyrjen e regjistrimit për në muajin korrik, me qëllim të përfshirjes në këtë process edhe të mërgimtarëve, paralajmëron aktivitete të shtuara për të njoftuar qytetarët shqiptarë me, siç thonë, “pasojat që do të shkaktojë ligji i miratuar antishqiptar”.

Zëdhënësi i kësaj partie, Arjanit Hoxha, thotë se të gjitha vendimet që pritet të merren, do të kalojnë në organet më të larta partiake.

“Theksojmë se ky ligj do t'i dëmtojë shqiptarët, është ligj diskriminues për shqiptarët dhe qëllimi kryesor është që përmes këtij ligji antishqiptar të tregohet numri joreal i shqiptarëve, në fakt ta zvogëlojë numrin e shqiptarëve në Maqedoni ”, thotë Arianit Hoxha.

Edhe Partia Demokratike Shqiptare, e cila tashmë një kohë të gjatë bojkoton punimet e Kuvendit, do të kërkojë bojkotimin e regjistrimit të popullsisë.

“Ne ripërsërisim qëndrimin tonë se do t’i ftojmë shqiptarët që ta bojkotojnë regjistrimin. Ne, si PDSH, në kuadër të strukturave i kemi formuar grupet që do të merren me këtë problematikë dhe varësisht prej vendimeve, ato do të aktivizohen”
, deklaron deputeti i PDSH-së, Imer Aliu.

Bojkotimin e regjistrimit të popullisë do ta kërkojë edhe subjekti i ri, Lidhja Shqiptare.

“Nëse vazhdohet kështu, nuk koordinohet dhe nuk zgjidhet ky problem. Atëherë, Lidhja Shqiptare do t'u bëjë thirrje qytetarëve që ta bojkotojnë regjistrimin, ngase nuk paraqet regjistrim korrekt dhe real”, thekson Valon Bela, kryetar i Lidhjes Shqiptare.

Por, nga partia në pushtet, Bashkimi Demokratik për Integrim thonë se ligji është më i avancuar se ai i para 10 vjetëve.

“Ligji është edhe më i avancuar se në vitin 2002 dhe ka një bazë ligjore të mirë, me të cilin do të kemi një regjistrim real dhe përfshirjen e të gjithë qytetarëve në regjistrimin e vitit 2011”, shprehet Tahir Hani, koordinator i Grupit Parlamentar të BDI-së.

Partitë opozitare nuk përjashtojnë edhe mundësinë e organizimit të ndonjë regjistrimi paralel të popullsisë, për t'iu kundërvënë rezultateve zyrtare, të cilat, sipas tyre, do të jenë në dëm të numrit real të popullatës shqiptare. Por, për këtë çështje, ato nuk prononcohen zyrtarisht deri në miratimin e vendimit eventual nga organet partiake.

Paraprakisht, një vendim të këtillë e ka kumtuar Lëvizja Qytetare “Zgjohu”, e cila do të zhvillojë regjistrim paralel të atyre qytetarëve, të cilët gjatë procesit të regjistrimit nuk do të mund të evidentohen për shkaqe të ndryshme.

“Jemi të vetëdijshëm që ky regjistrim është joformal, por së paku do të kemi njohuri se sa qytetarë shqiptarë nuk janë regjistruar, në të gjitha qytetet shqiptare në veri-perëndim të Maqedonisë”, thuhej në njoftimin e Lëvizjes Qytetare “Zgjohu”.
XS
SM
MD
LG