Ndërlidhjet

Times: Humbja e shansit


Tifozët londinezë në pritje të vendimit të FIFA-s, 2 dhjetor 2010.
Tifozët londinezë në pritje të vendimit të FIFA-s, 2 dhjetor 2010.
"Times"

Dje, katër burra u ngritën në këmbë dhe bënë krenar vendin e tyre. David Cameron dha kurajë të madhe politike në ofertën e Anglisë për Kupën e Botës. Ai jo vetëm që e mbështeti atë, por e udhëhoqi me optimizëm të jashtëzakonshëm dhe me shije.

David Becham tregoi edhe një herë se talentet e tij në fushë krahasohen me një hijeshi të rrallë. Princi William demonstroi çfarë do të thotë të jesh një shkëlqesi moderne. Ndërsa, Eddi Afekafe shfaqi fuqinë transformuese të futbollit.

Pavarësisht kontributeve të shkëlqyera të katërshes, Anglia ka humbur keq, duke fituar 2 nga 22 votat. Kjo ishte një poshtërim. Ky vend tash duhet t’i urojë fat Rusisë dhe Katarit më 2018, përkatësisht 2022.

Anglia, megjithatë, duhet të pranojë se nisi si favorite dhe përfundoi si humbëse. Oferta për të qenë nikoqir i Lojërave Olimpike më 2012 u bë me stil, disiplinë dhe inteligjencë. Për dallim, fushata e Kupës së Botës karakterizohej nga lufta e brendshme dhe mungesa e sensit.

Fusha e lojës dhe videoja mund të kenë qenë të përsosura dje. Por, viti që u parapriu ishte tmerrësisht dobët i menaxhuar. Federata e Futbollit nuk arriti t’i ndalojë grindjet me Premier Ligën. Gordon Brown foli për rëndësinë e ofertës, por nuk ia doli të sigurojë financimin e duhur. Lordi Triesman, i cili fillimisht e drejtoi atë, ishte përgjegjës, jo lider.

U desh shumë kohë për të angazhuar Geoff Thompson, i cili ishte e vetmja votë e garantuar e Anglisë. Madje, këtë fundjavë, ekipi i tenderit po konsideronte largimin e princit William nga prezantimi në Cyrih. Do të duhej të ishte e qartë se mbreti i ardhshëm është në mesin e pasurive më të mëdha të Anglisë.

Me pak fjalë, Anglia humbi, pavarësisht superioritetit të saj të dukshëm në aspektin teknik. Anglia ka stadiumet më të mira, infrastrukturën më të mirë dhe një kulturë të zjarrtë futbolli. Por, ende nuk organizon Kupën e Botës.

Marrë parasysh këtë, FIFA do të bënte një gabim kolosal nëse dështon të pranojë se sistemi i zgjedhjeve për Kupën e Botës është tejet i korruptuar. Presidenti i FIFA-s, Sepp Blatter, gjithmonë mbron institucionin më tepër se modernizimin e tij.

FIFA duhet të vendosë në bazë të reformave të domosdoshme. Ajo ka nevojë për elektorat më të madh. Ajo po ashtu duhet të demonstrojë se nuk ka asgjë për të fshehur, duke përqafuar një transparencë më të madhe.

Është e vërtetë se Kampionati Botëror më 2018 do të ketë një efekt transformues në fushat e Rusisë, që vazhdojnë të kenë një infrastrukturë mjaft të dobët. Por, kur oferta më e fortë teknike merr 2 nga 22 votat, është koha për të pyetur: Për çfarë arsyesh dhe në dobi të kujt i merr FIFA vendimet?

Kupa e Botës do të duhej të ishte një festë e sportit. Por, procesi i tenderit është ende një vrimë e zezë e marrëveshjeve prapa skenës dhe interesave politike. Për Anglinë, tenderi përfundoi me zhgënjim. FIFA-n tenderi e ka bërë të jetë një turp i qeverisjes së sportit ndërkombëtar.

FIFA ka pothuajse edhe një dekadë derisa cirku të nisë përsëri. Ajo duhet të fillojë me adresimin e problemeve të saj që tani. (v.t.)
XS
SM
MD
LG