Ndërlidhjet

Gjini: Synojmë ta kthejmë kulturën e punës


Ardian Gjini

Ardian Gjini

Programi ynë është një program i djathtë, që synon zhvillim të hovshëm ekonomik, thotë në intervistën dhënë Radios Evropa e Lirë Ardian Gjini, nga Koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës - Lista Dr Ibrahim Rugova.


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Gjini, pse qytetarët duhet të votojnë Koalicionin AAK-Lista Dr Ibrahim Rugova?

ARDIAN GJINI
Mendoj se ka shumë arsye. E para është se ne si Aleancë e kemi ndërtuar një program dhe një kulturë politike, që do t’i sjellin vendit stabilitet në zhvillim. Lista Dr Ibrahim Rugova i është bashkëngjitur Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për shkak se ka afërsi serioze konceptuale për këto çështje.

Programi ynë është një program i djathtë, që synon zhvillim të hovshëm ekonomik. Edhe Aleanca, edhe Lista Dr Ibrahim Rugova dhe të gjithë të tjerët që i janë bashkuar AAK-së, e kanë një qëllim, që ta kthejnë një kulturë të punës në qeverisjen e Kosovës, që ta kthejnë një kulturë që do ta shndërronte Kosovën në një vend, nga i cili njerëzit nuk do të iknin, nuk do të largoheshin.

Sot për sot, njerëzit në Kosovë nuk ndihen të barabartë, nuk ndihen të sigurt – kur them sigurt, mendoj në të gjitha aspektet e sigurisë, pra jo vetëm në sigurinë fizike, por edhe në sigurinë financiare etj. Ky është synimi i Aleancës në vija të trasha dhe Lista Dr Ibrahim Rugova, si koncept, është gati në përputhje me atë të Aleancës.

RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë e dallon programin e juaj nga ato të partive tjera? Cilat janë shtyllat kryesore të programit?

ARDIAN GJINI
Është diçka që është identifikuar edhe nga partitë tjera – është zhvillimi i hovshëm ekonomik, krijimi i vendeve të punës, stabiliteti financiar i Kosovës; gjithsesi kalon edhe te çështjet e tjera që janë tepër të ndjeshme - te sundimi i ligjit.

Nëse e shihni gjendjen në të cilën është Kosova tash, si një vend i vogël, secila prej këtyre temave që janë shtylla, janë të ndërlidhura mes vete. Nuk mund të ketë zhvillim të hovshëm ekonomik dhe thithje të investimeve të huaja, nëse nuk ka sundim të ligjit, sundim të vërtetë e jo sundim të një pushteti, sundim me ligj, por sundim të ligjit në një vend ku të gjithë i nënshtrohen ligjit.

Në të njëjtën kohë, nuk mund të pretendojmë që ta stabilizojmë definitivisht këtë koncept të sundimit të ligjit nëse prokurorët tanë, gjyqtarët tanë, policët tanë dhe të gjitha institucionet tjera, të cilat, në një formë ose tjetër, ndërlidhen me sundimin e ligjit, jetojnë në kushte të pasigurisë.

RADIO EVROPA E LIRË
Si keni menduar ta forconi sundimin e ligjit?

ARDIAN GJINI
Në shumë aspekte. Aspekti i parë filozofik i sundimit të ligjit është se njerëzit duhet të ndihen të barabartë. Në demokraci nuk mund të ketë sundim të ligjit nëse dikush ndihet i diskriminuar, ndërsa të tjerët jo, sepse jemi në një zhvillim të hovshëm demokratik të Kosovës, edhe nëse dikush tenton ta pengojë.

Njerëzit që ndihen të pabarabartë ose të diskriminuar, me siguri se nuk do të rrinë duarkryq, ose do të ketë bojkot, ose do të ketë greva - do të ketë reflektim të atij diskriminimi që ata e ndjejnë. Do të thotë, fillimisht janë drejtësia dhe barazia. Njerëzit duhet të ndihen të barabartë – të paktën, ligji duhet t’i trajtojë të barabartë.

Çështje tjetër është marrja me veriun e Kosovës, i cili shkakton edhe ndjenjë të keqe, por edhe probleme, qoftë me sistemin e taksave, qoftë me sistemin e mosfunksionimit të ligjit njëjtë... Pra, duhet të merremi edhe me veriun – krijimi i barazisë në aspektin filozofik, integrimi i veriut dhe atëherë, shndërrimi i të gjithë individëve, të cilët punojnë në institucione që ndërlidhen me sundimin e ligjit, në njerëz që ndihen të sigurt.

Prapë po flas në mënyre filozofike, pa u lëshuar në detaje të tjera.

RADIO EVROPA E LIRË
Përmendët më herët zhvillimin ekonomik. Cilët janë sektorët që do t’i zhvillojë platforma juaj ekonomike?

ARDIAN GJINI
Si zhvillimi i hovshëm ekonomik, diçka që sjell të hyra për buxhetin dhe që rrit bruto-produktin vendor, duhet të jetë fokusi tek investimet e huaja. Kosova nuk mundet me forca të veta, nuk mund ta rrisë si një auto-arki këtë bruto-produkt vendor.

Luftimi i korrupsionit, sundimi i ligjit do të jenë parakushte të para, jo të vetmet, për thithjen e investimeve të huaja. Çështja tjetër është se investimet e huaja shpejt e shpejt nuk mund ta rrisin punësimin përnjëherë. Nuk mund të lejojmë që të ketë këso gapi mes zhvillimit të hovshëm diku dhe pjesës tjetër të popullsisë që nuk punësohet.

Kjo na sjell te bujqësia, e cila është një sektor i biznesit, që mund të krijojë vende të punës shumë dhe shpejt, me subvencionim të vogël.

Pra: zhvillimi i hovshëm ekonomik, investimet e huaja në industri, në të gjitha llojet e industrisë, por, në të njëjtën kohë, edhe bujqësia dhe produkti vendor bujqësor, i cili do të mund, me një subvencionim fare të vogël, t’iu garantonte bujqve plasman dhe t’iu garantonte atyre se do të krijojnë për vete dhe familjet e veta dhe nuk do të jenë barrë e shoqërisë, por do të jenë profitabilë.

RADIO EVROPA E LIRË
Që në ditët e para të fushatës parazgjedhore, subjektet që garojnë në zgjedhjet e 12 dhjetorit, premtojnë që Kosova shpejt do të integrohet në Bashkimin Evropian. Ju, si do ta bëni atë?

ARDIAN GJINI
Ky është një proces i gjatë, të gjithë e dimë. Ne duhet ta sjellim Kosovën në atë gjendje të zhvillimit të brendshëm, qoftë ekonomik, qoftë social, qoftë të sundimit të ligjit, qoftë të demokracisë, të lirisë së fjalës, që janë pjesë të kushteve që Unioni Evropian i vë për të gjitha vendet.

Nëse Kosovën e sjellim në atë gjendje, secili vend i BE-së do ta pyeste veten përse të mos pranohet Kosova në Union. Sot, gjithkush mund ta pyesë veten në BE pse të futet Kosova në këtë mekanizëm, çfarë kushti plotëson, përveç faktit se nuk bën të lihen të izoluar këta njerëz...

Por, kjo nuk është arsye e mjaftueshme që shtetet anëtare të Unionit ta pranojnë një shtet me të drejta të plota në klubin e vet. Integrimi i plotë nuk varet vetëm prej Kosovës.

Edhe sikur Kosova të jetë një vend ashtu siç thashë unë brenda pesë vjetësh, një vend i cili është i mirë për qytetarët e vet, një vend në të cilin qytetarët ndihen të sigurt qoftë financiarisht, qoftë fizikisht, qoftë për të ardhmen e fëmijëve të tyre, një vend jo ideal, por gati ideal, prapë integrimi do të varet edhe prej shteteve anëtare të Unionit Evropian. Kështu që nuk mund të dimë...

Ajo që mund t’i themi popullit të Kosovës është se nuk mund t’i premtojmë se për një mandat anëtarësohemi në Unionin Evropian. Por, mund t’i premtojmë se vetëm për një mandat të qeverisjes do të jetojë aq mirë, do të lëvizë lirshëm në BE, saqë integrimi do të jetë çështje e zhvillimit të mëtutjeshëm, e jo e përmirësimit të brengave që ka sot.

Atë ditë kur qytetarët e Kosovës nuk do të dëshirojnë ta lëshojnë Kosovën, ajo ditë do të jetë dita e integrimit në BE. Atë ditë mendoj se duhet ta sjellim ne, nuk na e sjell dikush tjetër.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG