Ndërlidhjet

logo-print
Shifrat e Entit Shtetëror të Statistikave tregojnë se numri i të papunëve në Maqedoni kap 32% të popullsisë. Por, ministri i Punës dhe Politikës Sociale, Xhelal Bajrami, thotë se këto shifra nuk janë reale. Sipas tij, papunësia në vend është 10% më e ulët sesa ajo momentale.

“Nga numri i përgjithshëm prej 320,000 të papunëve që figurojnë në Agjencinë për Punësim, 20 deri në 30% e tyre janë të përfshirë në tregun e punës. Por, fatkeqësisht, ata bëjnë pjesë në ekonominë e zezë apo siç e quajmë ndryshe ekonominë informale”, thotë ministri Bajrami.

Ekspertët e ekonomisë thonë se është vetë shteti ai që toleron funksionimin e ekonomisë joformale, meqë në këtë mënyrë, sipas tyre, sigurohet stabiliteti social.

Në të kundërtën, vlerëson Hristo Kartallov, ekspert i ekonomisë, qeveria do të ballafaqohej me presionin për të krijuar kushte për hapjen e vendeve të reja të punës.

“Shteti është vënë në një situatë që të tolerojë, thënë kushtimisht, transaksionet ilegale në ekonomi, gjegjësisht funksionimin e ekonomisë informale, ngase në këtë formë blihet stabiliteti social. Dhe, ata që fitojnë për bukën e gojës, i shmangen situatës për të qenë raste sociale”, thekson Kartallov.

Nga ana tjetër, Mile Çupetrevski, nga Konfederata e Punëdhënësve në Maqedoni, thotë se pikërisht puna në të zezë dëmton zhvillimin e kompanive me perspektivë, për shkak të konkurrencës së pabarabartë.

“Ekonomia gri si dhe mosparaqitja e punëtorëve, respektivisht punësimi në të zezë stimulon ekonominë e zezë, e cila e mbyll konkurrencën e firmave dhe individëve, paraqet përparësi jo të drejtë dhe joligjore për ata që nuk i plotësojnë obligimet ligjore”
, thotë Çupetrevski.

Ai shton se puna në të zezë krijon konkurrencë jolojale. Me këtë, sipas tij, dëmtohet biznesi, por edhe punëdhënësit e ndërgjegjshëm që kujdesen për punëtorët e tyre.

Por, sipas ministrit të Punës dhe Politikës Sociale, Xhelal Bajrami, tolerimi i punësimeve joformale dëmton më së shumti interesat e vetë qytetarëve.

“Punëtorët në të zezë janë të bindur se kanë më shumë benefite, sepse, në të njëjtën kohë, marrin paga nga punëdhënësit që i angazhojnë dhe gjithashtu shfrytëzojnë beneficionet e të papunëve, siç është ndihma sociale. Mirëpo, nëse kjo çështje shihet në perspektivë më afatgjate, gjithsesi se më së shumti dëmtohen vetë punëtorët, të cilët angazhohen në këtë mënyrë”, thotë Bajrami.

Rreth 40 për qind e qytetarëve të Maqedonisë jetojnë nga ekonomia gri si dhe nga të ardhurat që vijnë nga një anëtar i punësuar në vendet e huaja, tregojnë hulumtimet e fundit të ekspertëve.
XS
SM
MD
LG