Ndërlidhjet

Shkallë e lartë e ndotjes


Termocentrali Kosova A në Obiliq.
Termocentrali Kosova A në Obiliq.
Shkalla e ndotjes së ajrit në komunën e Obiliqit i tejkalon normat e lejuara evropiane deri në 75 herë, thotë Nazif Shala, drejtor i Drejtorisë për Mbrojtjen e Mjedisit në Obiliq.

Korporata Energjetike e Kosovës, e cila gjendet në këtë qytet, konsiderohet të jetë shkaktari kryesor i ndotjes së ambientit.

“Shkalla e ndotjes së mjedisit në komunën e Obiliqit varet shumë nga kapacitetet që janë në prodhim dhe nga kushtet klimatike. Gjendja aktuale e ndotjes i tejkalon të gjitha vlerat e lejuara me direktivat e Bashkimit Evropian”, thotë Shala.

Këto vlera kanë ndikim negativ në shëndetin publik të qytetarëve. Mentor Preniqi, drejtor i qendrës kryesore të mjekësisë familjare në Obiliq, thotë se brenda ditës këtë institucion e frekuentojnë rreth 300 pacientë. Sipas tij, rreth 33 për qind e popullatës së kësaj komune vuajnë nga sëmundje akute, si pasojë e ajrit të ndotur.

“I kemi mbi 300 vizita në ditë, ndërsa në muaj mbi 6 mijë sosh. Në 6-mujorin e parë të këtij viti i kemi pasur mbi 72 mijë pacientë. Do të thotë, numri i pacientëve në krahasim me numrin e banorëve dhe në krahasim me komunat e tjera, është shumë i madh
”, thotë Preniqi.

Edhe vetë kreu i komunës së Obiliqit, Mehmet Krasniqi, shpreh shqetësimet e tij lidhur me situatën e krijuar në këtë qytet. Sipas Krasniqit, është momenti i fundit që të intervenohet për të përmirësuar këtë gjendje "të papërballueshme për qytetarët".

“Në mënyrë të vazhdueshme kemi bërë apel për situatën e krijuar. Kemi bërë një aktivitet të ngjeshur edhe në Kuvendin e Kosovës, edhe në Ministrinë e Minierave dhe Mineraleve, e mos të flasim për shkresat që kemi bërë në të gjitha instancat e rëndësishme, duke përfshirë edhe kryeministrinë”,
thekson Krasniqi.

Përkundër faktit se deri më tash nuk është ndërmarrë ndonjë hap konkret nga ana e zyrtarëve të lartë institucionalë, Krasniqi është optimist se kërkesat do të shqyrtohen.

Çështja e ndotjes së ajrit në Kosovë ka kohë që është temë debatesh nga më të ndryshmet. Ajo është dëgjuar të përmendet më së shpeshti në diskutimet për ngritjen e një termocentrali të ri dhe standardet që ai duhet t’i përmbushë për të qenë në pajtim me normat ndërkombëtare.
XS
SM
MD
LG