Ndërlidhjet

logo-print

Mbi 14 mijë hektarë nën ujë

  • RFE /RL

Shkodra

Shkodra

Zona veriperëndimore e Shqipërisë vazhdon të përballet me përmbytje. Aktualisht gjenden nën ujë 14,130 hektarë tokë dhe janë përmbytur 2580 shtëpi.

Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, u ka bërë thirrje banorëve të zonës që t'iu binden thirrjeve për evakuim të kryekomunarëve. Basha e ka cilësuar gjendjen shumë të rëndë.

Shumica e ministrave gjenden në zonën e Shkodrës, ku është ngritur dhe shtabi i emergjencave.


* * *

Në Shqipëri vazhdon situata e rëndë me përmbytjet. Ndërsa Shkodra ka disa ditë që është nën ujë, situata është përkeqësuar edhe në Vlorë, për shkak të daljes nga shtrati të lumit Vjosë.

Qarku i Shkodrës, prej ditësh, përjeton momente të vështira mes përmbytjeve të shkaktuara nga fryrja e liqenit të Shkodrës si dhe të lumenjve Buna e Drin.

Qarkullimi po kryhet vetëm me varka. Niveli i ujit është rritur në qytet, ndërsa në disa komuna ka arritur deri në 3 metra.

Nga zonat e përmbytura, sipas autoriteteve shqiptare, janë evakuuar mbi 11 mijë persona. Sipërfaqja e tokës së përmbytur është mbi 13 mijë hektarë.

Ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto, ka takuar ambasadorët e Bashkimit Evropian dhe të NATO-s, të akredituar në Shqipëri, të cilët i ka informuar rreth situatës në veri të vendit.

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë theksoi se kërkesa për ndihma fokusohej më shumë te varkat e vogla dhe çadrat, që do t'u shërbejnë banorëve për zgjidhje të përkohshme në këtë situatë ku ndodhen aktualisht.

“Bëra kërkesë për varka të vogla që të mund të nisim ushqimet dhe pajisje mjekësore; kërkuam çadra apo mjete të tjera që do t’i ndihmojnë banorët për strehimin e tyre të përkohshëm”, tha Haxhinasto.

Greqia, Italia dhe Austria janë vendet e para të BE-së që i janë përgjigjur menjëherë kërkesës së Shqipërisë për ndihmë në menaxhimin e situatës së rëndë, të shkaktuar nga përmbytjet në qarkun e Shkodrës.

Kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli, ka qëndruar sot në Shkodër dhe ka ndjekur nga afër situatën me përmbytjet në qytet.

Topalli tha se Qeveria po përballon situatën e vështirë që ka përfshirë zonën.

“Shteti po merr masa të jashtëzakonshme, ushtria po kryen operacione shpëtimi... I falënderoj për punën e jashtëzakonshme që kanë bërë”, tha Topalli.

Por, në anën tjetër, kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, i cili qëndroi në Torovicë, tha se nëse nuk ndërhyhet, “Shkodra dhe Shqipëria do të përmbyten rregullisht”.

Ai tha se duhet një operacion radikal anti-përmbytjeje dhe se “duhet ribërë buxheti 2011 që të mos ketë më dëme të tilla”. (a.i.)
XS
SM
MD
LG