Ndërlidhjet

Toleranca politike ndaj femrave


Kuvendi i Kosovës (Foto arkivi)

Kuvendi i Kosovës (Foto arkivi)


Pjesëmarrja e femrave me kuotën prej 30% në Kuvendin e Kosovës është e garantuar me Kushtetutë. Por, kjo nuk nënkupton se për gjininë femërore është krijuar hapësirë e mjaftueshme në institucione, në mënyrë që përfaqësueset e kësaj gjinie ta realizojnë rolin e tyre në vendimmarrje apo udhëheqje, vlerësojnë përfaqësues të partive politike.

Ligji për shërbim civil dhe shërbyesit civilë në Kosovë kërkon dhe garanton një pjesëmarrje prej 40% të gjinisë femërore në të gjitha pozitat e përfaqësimit, përfshirë edhe pozitat e larta udhëheqëse.

Ramë Buja, nga Partia Demokratike e Kosovës, thotë se niveli i kyçjes së femrave në pozita vendimmarrëse nuk është aq sa dëshirohet, por një pjesë të përgjegjësisë për këtë, sipas tij, e kanë vetë femrat.
Ka lënë për të dëshiruar edhe vetë angazhimi dhe insistimi i tyre...

“Ka lënë për të dëshiruar edhe vetë angazhimi dhe insistimi i tyre. E dimë se ka (femra) edhe në nivel ministror, edhe në nivel zëvendësministresh e të tjera. Por, megjithatë, kjo nuk është ajo që ne e dëshirojmë”, thotë Buja.

Lutfi Haziri, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, thotë se ka hapësirë të mjaftueshme për përfaqësueset e gjinisë femërore në vendimmarrje.

“Në kabinetin qeveritar apo në organet e mëdha ekzekutive si dhe në institucionet e ndara nga qeveria, shohim se ky përfaqësim nuk është adekuat. Kërkohet angazhim serioz, në mënyrë që të krijohet hapësirë më e madhe dhe një përfaqësim më i drejtë”, shprehet Haziri.

Por, Ahmet Isufi, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, vlerëson se vetë përcaktimi i kuotave për pjesëmarrjen e femrave në vendimmarrje, tregon një dozë të mungesës së edukatës politike në Kosovë.

“Jemi detyruar që të kemi një kuotë, e cila përcakton vendin e gruas për të qenë vendimmarrëse, sidomos në Parlamentin e Kosovës dhe në disa pjesë të institucioneve tona”, thotë Isufi.

Sipas Ibrahim Makollit, nga Aleanca Kosova e Re, janë një mori faktorësh që ndikojnë në nivelin e ulët të pjesëmarrjes së femrave në pozita vendimmarrëse.
Një prej faktorëve është edhe mosbesimi që ekziston në shoqëri ndaj femrës...

“Një prej faktorëve është edhe mosbesimi që ekziston në shoqëri ndaj femrës, se mund të jetë udhëheqëse në institucione ose pjesë e drejtpërdrejtë e vendimmarrjes. Pastaj, mentaliteti që ekziston në shoqëri, është një trashëgim i së kaluarës, që po mbetet edhe më tutje”.

“Por, po ashtu është edhe konkurrenca, sikurse edhe vetë mungesa e këmbënguljes së femrës, për të kërkuar realizim të të drejtave të plota”
, thotë Makolli.

Krijimi i mundësive më të volitshme për femrat që të marrin role udhëheqëse në vendimmarrje, nga përfaqësuesit e partive politike shihet në mënyra të ndryshme. Buja vlerëson se meshkujt duhet të jenë më tolerantë në këtë drejtim.

“Kjo duhet të jetë çështje e emancipimit të përgjithshëm shoqëror, e jo vetëm të gruas. Andaj, këtu konsiston toleranca e domosdoshme e burrave”, thekson Buja.

Nëse arrihet përmbushja e kuotës ligjore të përfaqësimit të femrave në vendimmarrje, perspektiva është më optimiste, thotë Haziri.

“Kur ato vetë ta kenë pozitën vendimmarrëse, do të krijojnë tretman dhe përfaqësim adekuat në të ardhmen”, thotë ai.

Sipas Isufit, vetë femrat duhet të jenë më këmbëngulëse në këtë drejtim.
Duhet të jenë të përkrahura nga pjesa tjetër e gjinisë shumë më shumë sesa që janë sot...

“Ato duhet të kenë një angazhim që ta fitojnë të drejtën e tyre dhe atë ta marrin me meritën e tyre, pa e pretenduar kuotën. Në të njëjtën kohë, duhet të jenë të përkrahura nga pjesa tjetër e gjinisë shumë më shumë sesa që janë sot”, deklaron Isufi.

Makolli thotë se e gjithë shoqëria duhet të jetë këmbëngulëse në këtë drejtim.

“Kërkohet një veprim më këmbëngulës i gjithë shoqërisë në përgjithësi, për të inkurajuar në radhë të parë femrën, për të qenë pjesë e këtyre nismave, sikurse edhe në hartim të politikave të efektshme, me të cilat do të kemi një avancim më të madh të rolit të gruas në pozitat vendimmarrëse”, thotë Makolli.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG