Ndërlidhjet

Daci: Koalicioni ka qenë i shantazhuar


Nexhat Daci
Nexhat Daci

Kosovës nuk i duhet një qeverisje e shantazhuar nga faktori ndërkombëtar, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë kryetari i Lidhjes Demokratike të Dardanisë, Nexhat Daci.



RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Daci, çfarë e karakterizon Lidhjen Demokratike të Dardanisë në zgjedhjet e 12 dhjetorit dhe cilat janë ofertat që ofroni për votuesit kosovarë?

NEXHAT DACI
Lidhja Demokratike e Dardanisë, kësaj radhe, vërtet është e përgatitur, sepse më shumë se gjashtë muaj ishim me punë në terren, duke përgatitur një lloj platforme qeverisëse, në formë edhe të një video-projekti. Tani, mezi që kemi pritur të fillojnë zgjedhjet.

Oferta kryesore është që LDD-ja insiston në funksionimin e shtetit. E di që mund të duket qesharake, e di që mund të duket e vjetruar, sepse sovraniteti gjoja se është tejkaluar. Por, përkundrazi, atje ku nuk ka shtet, nuk ka as ekonomi, nuk ka as fe, nuk as shkencë, nuk ka as shkollë...

Me funksionimin e shtetit, ana ekonomike dhe profesionale do të plotësohej. Dorën në zemër, me funksionimin e shtetit do t’i largonim edhe kriminelët nga Kosova – mendoj në pjesën veriore, e cila është bërë çerdhe e kriminelëve të të gjitha llojeve, e pse të mos them edhe të shqiptarëve, sepse për atë simbiozë të banditizmit ekonomik, duhet një bashkëpunim.

Një politikë sociale që nuk është e komunizmit, por që krijon qetësi kreative, me një hapje të fuqishme ndaj opinionit publik, ndaj mediave dhe ndaj qytetarëve, do të fitonte përkrahje për zhvillim. LDD-ja është komplet e përgatitur për luftë demokratike.

RADIO EVROPA E LIRË
E përmendët funksionimin e institucioneve paralele në veri. A konsideroni se është mungesë e vullnetit të pushtetit funksionimi i tyre?

NEXHAT DACI
Unë jam i bindur 100%. Nuk ka njeri që mund të më bindë ndryshe, sepse qeverisja, të them sinqerisht, ka qenë e shantazhuar – një koalicion i shantazhuar.

RADIO EVROPA E LIRË
Kur thoni “e shantazhuar”, mendoni nga faktori ndërkombëtar?

NEXHAT DACI
Nga faktori politik dhe gjyqësor ndërkombëtar. Është bazuar 100% në atë çfarë thoshte faktori ndërkombëtar. Faktori ndërkombëtar është shumë i rëndësishëm. Kosova nuk duhet të jetë geto, siç është tani. Por, faktori ndërkombëtar është këtu për t’i realizuar konceptet zhvillimore, që ne me argumente do t’ia tregonim...

Do të thotë, të jetë nismë e jona për çdo aksion dhe të kërkojmë ekspertizën dhe përkrahjen atje ku është me Kushtetutë.

RADIO EVROPA E LIRË
A ishte shantazh edhe gjyqi ndaj jush?

NEXHAT DACI
Jo 100%, por ishte një shantazh historik i të gjitha forcave të budallenjta, por edhe faktori ndërkombëtar ka pasur gisht të fuqishëm, në veçanti në periudhën kur është ngritur aktakuza.

Besoj se Zoti ka filluar t’ua kthejë atë keqbërje. Unë besoj se do të kenë edhe procese gjyqësore për atë që i kanë bërë Kosovës deri më tani.

RADIO EVROPA E LIRË
Në Lidhjen Demokratike të Kosovës patën ndodhur disa ndryshime. Ne patëm dëgjuar edhe një deklaratë tuajën se fillimisht i keni mirëpritur, ndërsa më pas sikur nuk keni qenë të kënaqur me ato ndryshime. Ku ishte poenta e gjithë kësaj?

NEXHAT DACI
Unë kam qenë shumë i disponuar që edhe një herë t’ia jap ndihmën time të pakursyer shtëpisë së vjetër. Dhe, kam lobuar fuqishëm për Isa Mustafën, duke llogaritur që do të fillojë me reforma, që japin një vizion të qartë se diçka po ngjan.

Hapat e parë të Isës kanë qenë dëshpërues. Kam pritur se do të jetë më ofensiv në ofertë, në radhë të parë me partitë e qendrës së djathtë, e mbi të gjitha me LDD-në, sepse krejt tjetra është ironi. Nuk ka ngjarë kjo, LDD nuk është e zhgënjyer me atë.

RADIO EVROPA E LIRË
A vazhdoni ta shihni LDK-në edhe më tutje si partnere të mundshme, pas zgjedhjeve?

NEXHAT DACI
Me njerëz të rinj, jo në moshë, me njerëz të rinj, unë mendoj se gjithmonë do të ishte partneri i dëshiruar. Me njerëz që i ka mbledhur tash, nuk ofron asnjë perspektivë për askënd.

RADIO EVROPA E LIRË
Dhe, për fund - pas zgjedhjeve konsiderohen se janë disa procese që e presin qeverinë e ardhshme, si: bisedimet me Serbinë, çështja e privatizimit të gjigantëve që kanë mbetur ende pa u privatizuar... Si do të vepronte në këtë rast LDD-ja po të ishte në pushtet?

NEXHAT DACI
LDD-ja nuk do t’i përjashtojë bisedimet kurrë me askënd, sepse, mos harroni, me miq nuk keni përse të negocioni, por me ata që keni probleme. LDD-ja, kudo që të jetë, nuk do t’i përulet asnjë faktori në dëm të shtetësisë së Kosovës.

Po ju them që Kosova kurrë, kurrë nuk do të shitet... Nuk do të shitet me çmimin që është shitur deri më tash. Vetëm një ndërmarrje e Serbisë, ajo e cigareve, është shitur më shtrenjtë se krejt Kosova. Prandaj, do t’i vijë fundi gllabërimit.

Ne nuk jemi kundër ligjeve të tregut, sepse LDD-ja është parti e qendrës së djathtë, por t’i falim ne krejt botës – jo. LDD-ja është shumë e fuqishme që t’i thotë jo çdo të keqeje në Kosovë. Por, do të luftojmë me krejt kapacitetin që kurrë të mos jetë e mbyllur. E duam bashkësinë ndërkombëtare në formë të ekspertizës, por për të na shantazhuar – jo. Nuk na duhet askush për shantazhe.
XS
SM
MD
LG