Ndërlidhjet

Analistët politikë thonë se me idetë lidhur me përfshirjen e aktorëve ndërkombëtarë në bisedimet e ardhshme ndërmjet Prishtinës e Beogradit, ka nisur të përgatitet terreni për një marrëveshje konkrete ndërmjet palëve, lidhur me formën e lehtësimit të këtij procesi. Megjithatë, shumëçka thuhet se mund të qartësohet pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme, që do të mbahen më 12 dhjetor në Kosovë.


Njohësit e rrethanave politike në Kosovë e Serbi thonë se bashkësia ndërkombëtare ka nisur të intensifikojë punën në përgatitjen e terrenit për nisjen e bisedimeve ndërmjet Prishtinës e Beogradit, porse aktualisht gjithçka është ende e padefinuar dhe jopërfundimtare.

Formati, agjenda dhe ndërmjetësuesit e dialogut thuhet se do të precizohen pas përfundimitzgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë.

Kryetarja e Komitetit të Helsinkit në Serbi, Sonja Biserko, i tha Radios Evropa e Lirë se bisedimet ndërmjet palës serbe dhe asaj kosovare do t’i shërbejnë Bashkimit Evropian si një kusht për integrimin e të dyja vendeve në këtë mekanizëm.

“Besoj se në vështrimin afatgjatë, Prishtina dhe Beogradi do të jenë të kushtëzuara nga ky dialog, si udhërrëfyes i tyre në BE. Mendoj se do të bëhet më e ndërlikuar me kalimin e kohës, por për momentin gjithçka është e padefinuar. Vetëm thuhet se duhet të nisë dialogu në mes të Beogradit dhe Prishtinës, por në fakt do të jetë një nga kushtet kryesore për të dyja palët”, tha Biserko.

Me miratimin e një rezolute në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në fillim të kësaj vjeshte, u bë e qartë se Bashkimi Evropian do t’i lehtësojë bisedimet për, siç thuhet, çështjet në interes të të dyja palëve.

Ditë më parë, shefi i misionit të Kombeve të Bashkuara, Lamberto Zanier, bëri të ditur se është emëruar personi kyç i OKB-së në bisedimet ndërmjet Prishtinës e Beogradit.

Megjithatë, njoftimet që flasin për përfshirjen e OKB-së në bisedime, sipas Biserkos, janë vetëm pjesë e, siç i quajti ajo, përpjekjeve para bisedimeve.

“Kjo është vërtet pjesë e përpjekjeve para bisedimeve, për të arritur një marrëveshje të përbashkët se si në fakt do të duket kjo”
, tha ajo.

Autoritetet kosovare kundërshtojnë përfshirjen e Kombeve të Bashkuara, ndërsa këmbëngulin në përfshirjen e Shteteve të Bashkuara në lehtësimin e këtij dialogu. Kërkesa e Kosovës për të biseduar me përfaqësues të shtetit serb në praninë e ndërmjetësuesve amerikanë kishte nxitur kritika në skenën politike në Beograd.

Anëtari i Klubit për Politikë të Jashtme, Ardian Arifaj, tha se përfshirja e Nju Jorkut dhe Uashingtonit në bisedimet e ardhshme vetëm se do t’i komplikonte punët.

“Nëse fillojmë të fusim më shumë aktorë, duhet të kënaqim më shumë aktorë, duhet të kënaqim më shumë kryeqendra të botës. Kjo çon më shumë kah një zhargitje, kah një mungesë e rezultateve dhe kah një mungesë e një përparimi të përgjithshëm në ato bisedime”, u shpreh ai.

Arifaj tha se bisedime ndërmjet Kosovës e Serbisë mund të ketë atëherë kur diplomacia kosovare të jetë e përgatitur për të hyrë në një proces të tillë.

“Interes i Kosovës është që të hyjë e përgatitur në një dialog, në një dialog që është i përgatitur mirë, ku e di shumë mirë se për çka do të bisedohet, cilat do të jenë rezultatet. Bile, ta ketë një agjendë që të dijë se deri kur do të bisedohet. Kur Kosova t’i përgatisë këto, atëherë mund të hyjë në bisedime”, theksoi Arifaj.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG