Ndërlidhjet

Britania arreston Asanzhen


Xhulian Asanzh
Xhulian Asanzh
Policia britanike tha se e ka arrestuar themeluesin e organizatës WikiLeaks, Xhulian Asanzh, sipas fletarrestimit evropian të lëshuar nga autoritetet e Suedisë.

Policia e Londrës tha se bazë për arrest ishin dyshimet se ai ka kryer krime seksuale në Suedi. Këto akuza, zoti Asanzh i ka hedhur poshtë.

Shtetasi 39-vjeçar i Australisë qëndron prapa publikimit të qindra-mijëra dokumenteve sekrete diplomatike të Shteteve të Bashkuara.

Xhulian Asanzh i është dorëzuar sot policisë në Londër, në një takim që ishte përgatitur nga avokatët e tij.

Gjatë ditës, ai pritet të paraqitet para një gjykate londineze, ku avokatët e tij pritet të kërkojnë lirimin me pagesën e dorëzanisë.

Pas kësaj, gjykata do t’i ketë 28 ditë për të vendosur lidhur me kërkesën e Suedisë për dorëzim ose për ta liruar të arrestuarin Asanzh.

Një zëdhënësi i WikiLeaks-it tha se arrestimi i Asanzhes ishte sulm në lirinë e mediave, por kjo nuk do ta ndalë publikimin e më shumë dokumenteve sekrete.

Porositë e fundit diplomatike të publikuara nga WikiLeaks-i, tregojnë se lufta e Rusisë me Gjeorgjinë në vitin 2008 kishte ndikuar që NATO-ja t’i forcojë planet e saj për mbrojtjen e shteteve baltike dhe Polonisë.

Dokumentet tregojnë për planin sekret të quajtur “Shqiponja Mbrojtëse”, i cili ishte përgatitur për mbrojtjen e Estonisë, Letonisë, Lituanisë dhe Polonisë, kundër kërcënimeve nga forcat ruse.

Gjatë raportimit për dokumentet e publikuara, e përditshmja britanike “Guardian” thekson se kjo është hera e parë, prej përfundimit të Luftës së Ftohtë, që dihet se aleatët perëndimorë kishin përgatitur plane speciale ushtarake për mbrojtjen e pjesëve të Evropës Lindore nga kërcënimi potencial rus.

Sipas gazetës, nëntë divizione ushtarake të NATO-s, amerikane, britanike, gjermane dhe polake, ishin të parapara për operacione luftarake, në rast të ndonjë agresioni të armatosur nga Rusia.

Më tutje theksohet se për Poloninë, Shtetet e Bashkuara kishin ofruar vendosjen e forcave speciale detare në portet e Baltikut dhe vendosjen e aeroplanëve luftarakë F-16 në territorin e Polonisë.

Sipas dokumenteve të publikuara nga WikiLeaks-i, planet ushtarake nuk do të duhej të diskutoheshin publikisht, pasi ato mund të çonin në një “rritje jo të domosdoshme” të tensioneve ndërmjet NATO-s e Rusisë.

Sipas burimeve të informuara nga e përditshmja “Guardian”, liderët e NATO-s e kishin mbështetur planin në heshtje, në samitin e fundit në Lisbonë të Portugalisë, muajin e kaluar. (f. b.)
XS
SM
MD
LG