Ndërlidhjet

BE: Bisedimet me Iranin të “detajuara dhe substanciale”


Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Ketrin Eshton, ka thënë se bisedimet dyditëshe ndërmjet fuqive botërore dhe Iranit, për programin kundërthënës atomik të tij, ishin “të detajuara dhe substanciale”.

Zonja Eshton ka konfirmuar se negociatat do të vazhdojnë në janar.

“Ne dhe Irani jemi pajtuar për vazhdimin e këtyre bisedimeve, në fund të janarit në Stamboll, ku ne planifikojmë për të diskutuar për idetë praktike dhe për mënyrat e bashkëpunimit drejt zgjidhjes së shqetësimeve tona kryesore për çështjen atomike”, tha Ketrin Eshton.

Në bisedimet e Gjenevës morën pjesë Irani dhe pesë vendet anëtare të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (Britania, Kina, Franca, Rusia, SHBA) dhe Gjermania.

KS i OKB-së ka vendosur katër runde të sanksioneve kundër Iranit, për shkak të refuzimit të tij për ndaljen e aktiviteteve për pasurimin e uraniumit, i cili mund të përdoret për reaktorët bërthamorë dhe për armatim atomik.

Irani i hedhë poshtë sugjerimet se po synon zhvillimin e armatimit atomik dhe insiston se ka të “drejtë” për cikël atomik të karburantit.

Presidenti Mahmud Ahmadinexhad, tha sot se bisedimet me fuqitë botërore do të jenë “frytdhënëse”, nëse sanksionet e imponuara kundër Iranit, për programin atomik, do të tërhiqeshin.
XS
SM
MD
LG