Ndërlidhjet

Kuinti, mbështetje procesit zgjedhor


Prishtinë
Prishtinë
Populli i Kosovës duhet të jetë krenar, ngase institucionet ia dolën që t’i arrijnë standardet ndërkombëtare për organizimin e zgjedhjeve brenda një afati shumë të shkurtër, tha ambasadori amerikan në Prishtinë, Kristofer Dell. Këto komente, ai i bëri gjatë një vizite të ambasadorëve të vendeve të Kuintit në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.


Ambasadorët e vendeve të Kuintit në Prishtinë i kanë dhënë mbështetje Komisionit Qendror Zgjedhor lidhur me përgatitjet që po i bën për organizimin e zgjedhjeve të 12 dhjetorit.

Ndonëse brenda një kohe të shkurtër, KQZ-ja, sipas ambasadorëve të Kuintit, ka arritur të kryejë një proces të mirë përgatitor.

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Kristofer Dell, tha se qytetarët me votën e tyre do të vendosin për përbërjen e re të institucioneve. Ai u shpreh i kënaqur me përgatitjet e zgjedhjeve.

“Qytetarët e Kosovës nuk kanë pse të ankohen më 12 dhjetor. Ata duhet të japin vullnetin e tyre duke votuar atë që i besojnë”, theksoi ambasadori Dell.

“Populli i Kosovës duhet të jetë krenar, ngase institucionet e Kosovës ia dolën që t’i arrijnë standardet ndërkombëtare brenda një afati shumë të shkurtër”, tha Dell.

“KQZ-ja e ka kryer punën e vet, kurse tash varet edhe nga qytetarët e Kosovës që edhe ata ta kryejnë punën e tyre, si dhe nga partitë politike që ta respektojnë vullnetin e qytetarëve”, theksoi ambasadori amerikan.

Ai nuk deshi t’i komentojë disa zhvillime gjatë fushatës, përfshirë edhe gjuhën që në disa raste përdoret nga partitë politike.

Dell tha se nuk u përket ambasadorëve që t’i komentojnë deklaratat e partive politike gjatë fushatës, ngase, sipas tij, u takon qytetarëve të Kosovës që ta vlerësojnë sjelljen e partive dhe të votojnë për ata kandidatë e parti politike, të cilave u besojnë, më 12 dhjetor.

I të njëjtit mendim ishte edhe ambasadori gjerman në Prishtinë, Hans-Diter Shtajnbah.

“Votuesit janë ata që përcaktohen se kujt t’i besojnë dhe ata këtë do ta bëjnë të dielën”, tha ambasadori Shtajnbah.

Prishtinë
Sipas tij, përgatitja e mirë e zgjedhjeve është motivim edhe për elektoratin që të dalë në votime.

Nga ana e saj, kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, tha se të gjithë përfaqësuesit ndërkombëtarë në Kosovë e kanë mbështetur fuqishëm procesin zgjedhor.

“Të gjithë ambasadorët dhe përfaqësuesit ndërkombëtarë kanë qenë të kënaqur me performancën e KQZ-së deri më sot, e gjithashtu edhe me planin operacional, i cili është përfunduar me sukses deri në ditën e sotme”, tha Daka.

Gara e 12 dhjetorit zhvillohet për 100 ulëse në Parlamentin e Kosovës, në të cilën janë përfshirë 29 subjekte politike. Ndërsa, 20 ulëse të tjera në Parlament janë të rezervuara paraprakisht për pakicat, dhjetë për atë serbe dhe po aq për komunitetet tjera pakicë.

Lexoni edhe këtë: (S')do të ketë votime në veri!
XS
SM
MD
LG