Ndërlidhjet

Sfida e marrjes së një vize


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Vështirësitë për të marrë një vizë janë tejet të mëdha, thonë qytetarët. Megjithatë, radhët e gjata para ambasadave të vendeve evropiane në Prishtinë janë të pashmangshme.

Ardiana Ismajli, qytetare, thotë se ka aplikuar disa herë për vizë Shengen. Ajo shprehet e pakënaqur me trajtimin që iu bëhet aplikuesve për të marrë një vizë.

“Disa herë kam aplikuar për vizë. Herë-herë ma kanë dhënë, por edhe shpeshherë më kanë refuzuar. Kryesisht na injorojnë, nuk na presin mirë, nuk na trajtojnë si duhet, kërkojnë shumë dokumente”, shprehet ajo.

Besim Beqaj, ministër në dorëheqje për Integrime Evropiane, thotë se Kosova tashmë i ka plotësuar të gjitha parakushtet që kërkohen për liberalizimin e vizave.

“Ne kemi njoftuar Brukselin dhe presim hapa konkretë. Ne presim me te drejtë që këtë strategji ta marrim sa më shpejt. Kemi bërë edhe planin tonë operacional që Kosova, deri në vitin 2011, t’i plotësojë kushtet për hyrjen në Listën e Bardhë të Shengenit”, thotë Beqaj.

Eksperti për çështje të migracionit, Rifat Blaku, thotë se arsye e një regjimi të tillë vizash për qytetarët e Kosovës, është edhe qëndrimi ilegal i tyre jashtë shtetit.

Një numër i qytetarëve ka ndjekur rrugën ilegale dhe tashmë në shumë shtete ata janë në pritje për lejimin e qëndrimit apo ndoshta edhe për kthim”, thotë Blaku.

Sipas autoriteteve të rendit, këtë vit janë identifikuar mbi 250 raste të falsifikimit të dokumenteve për të udhëtuar jashtë shtetit.

Baki Kelani, zyrtar për informim në Policinë e Kosovës, thotë se në bashkëpunim me policinë kufitare kanë arritur t’i identifikojnë dhe t’i kapin personat në fjalë.

“Kemi evidentuar mbi 250 raste të falsifikimit të dokumenteve. Numri i personave në hyrje ka qenë 153, ndërsa në dalje 111 persona me dokumente të falsifikuara”, sqaron Kelani.

Sidoqoftë, sipas zotit Beqaj, fundi i vitit 2011 do të jetë koha kur, siç thotë ai, do të plotësohen të gjitha kushtet e parapara për liberalizimin e vizave.

Lexoni edhe këtë:
Së pari kriteret, pastaj vizat
Vizat: Kosova e izoluar
XS
SM
MD
LG