Ndërlidhjet

Pak: Mos i bëni gabimet e Shqipërisë!

  • Augustin Palokaj

Bruksel

Bruksel


Udhëheqëset e delegacionit të Parlamentit Evropian, që do të vëzhgojë zgjedhjet e së dielës në Kosovë, deputetet Doris Pak dhe Ulrike Lunaçek, kanë bërë thirrje për një dalje sa më masive të qytetarëve të Kosovës në këto zgjedhje, në mënyrë që të demonstrojnë se kosovarët janë të gatshëm të marrin në duart e tyre përgjegjësinë për shtetin e tyre të ri.

Ato, në një konferencë për gazetarë në Bruksel, janë shprehur të bindura se kosovarët do të dinë t’i organizojnë si duhet këto zgjedhje dhe t’i evitojnë parregullsitë, ndërsa Këshilli Zgjedhor, sipas tyre, do ta ketë përgjegjësinë kryesore për këtë.

Dorisa Pak ka tërhequr vërejtjen për partitë politike në Kosovë, që të mos i bëjnë gabimet që bëhen në Shqipëri.

“Besojmë se ato nuk do të kenë guxim të bëjnë çfarë bëhet në Shqipëri, sepse e shohin se çfarë pasojash ka Shqipëria. Nëse zgjedhjet do të jenë të rregullta, nëse Këshilli Zgjedhor dhe ne si vëzhgues e themi këtë, atëherë askush nga partitë politike nuk guxon të mos i pranojë rezultatet”, është shprehur Pak.

Ndërkaq, Ulrike Lunaçek ka thënë se partitë politike duhet të heqin dorë nga tentimet për të ndërhyrë në media. Sipas saj, ato nuk duhet të bëjnë kurrfarë presionesh apo manipulimesh ilegale ndaj qytetarëve për të fituar ndonjë votë.

Parlamenti Evropian, siç u konfirmua sot në Bruksel, do të ketë një delegacion vëzhgues në Kosovë nga dita e premte dhe ai do të ndahet në dy ekipe vëzhguesish.

“Do të përqendrohemi kryesisht në zonat, ku në të kaluarën ka pasur tentime për parregullsi”,
ka thënë Lunaçek, e cila së bashku me zonjën Pak do të udhëheqin delegacionin shtatë-anëtarësh të Parlamentit Evropian.

Këto dy deputete të PE-së e kanë përshëndetur faktin se në këto zgjedhje ka edhe tri subjekte të reja politike që garojnë. Po ashtu kanë shprehur pritjet që edhe serbët e Kosovës të dalin në këto zgjedhje në një numër sa më të madh.

“Për fat të keq, Beogradi ka qëndrim negativ ndaj pjesëmarrjes së serbëve në këto zgjedhje. Por, shpresojmë se, përkundër kësaj, një numër i madh i serbëve të Kosovës do të vendosin vetë për fatin e tyre dhe do të dalin në votime”, ka thënë Doris Pak

Faktin se do të ketë dhjetëra-mijëra vëzhgues vendorë në zgjedhjet e 12 dhjetorit, një delegacion nga Parlamenti Evropian, një vëzhgim diplomatik po ashtu, sikur edhe delegacione të parlamentarëve të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, Doris Pak dhe Ulrike Lunaçek e kanë quajtur garanci që zgjedhjet do të kalojnë mirë dhe Kosova do ta kalojë një provim të rëndësishëm të pjekurisë së saj politike si shtet i ri.

Edhe një herë, këto dy deputete kanë porositur partitë politike që, sado që mund të duket e kuptueshme për një fushatë zgjedhore, të mos japin premtime joreale, me qëllim të manipulimit të qytetarëve.
XS
SM
MD
LG