Ndërlidhjet

logo-print

Tridhjetë vjet pas vdekjes së Xhon Lenonit

  • RFE /RL





Revista Rolling Stone ka publikuar intervistën e fundit të Xhon Lenonit, në 30-vjetorin e vdekjes së tij.

Lenon ka folur për Rolling Stone më 5 dhjetor të vitit 1980, vetëm tri ditë para se të qëllohej për vdekje përballë apartamentit të tij në Nju Jork, nga Mark Dejvid Çapman.

Në intervistë, Lenon ka kritikuar kritikët, duke thënë se ata i duan vetëm “heronjtë e vdekur”. Lenon ka thënë se nuk është i interesuar të jetë hero i vdekur i dikujt.

Ai po ashtu ka folur për përpjekjet e tij për të qenë një baba i mirë për Shon Lenonin, djalin e tij të vetëm.

Lenon ka folur edhe për të ardhmen, duke thënë se “ka mjaft kohë” për t'i eksploruar planet e tij të jetës.

* * *

Xhon Lenon arriti majat e famës si një nga themeluesit e grupit të njohur "The Beatles", pastaj si solo këngëtar, por edhe me angazhimin e tij politik. Ai u qëllua për vdekje më 8 dhjetor të vitit 1980, teksa kthehej nga studio Record Plant, bashkë me bashkëshorten Joko Ono.

Për çiftin ishte gjë e zakontë të rrethoheshin nga fansa të shumtë që kërkonin autografë.

Në mesin e tyre, në tetor të '80-ës, kishte qenë edhe 25-vjeçari Mark Dejvid Çapman, i cili kishte ardhur në Nju Jork për të vrarë Lenonin, por kishte ndërruar mendje, për ta bërë këtë akt pak muaj më vonë.

Vdekja e tij ishte raportuar për publikun amerikan nga komentatori i sportit Hovard Kosell, gjatë trasmetimit të një ndeshjeje futbolli.

"Kjo është vetëm një lojë futbolli - nuk është e rëndësishme kush fiton ose humb. Një tragjedi të papërshkrueshme ka konfirmuar ABC News: Xhon Lenon, jashtë apartamentit të tij në Nju Jork, më i famshmi i grupit 'Beatles', është qëlluar dy herë; është dërguar në spitalin Roosevelt, por ka ndërruar jetë pasi ka arritur. Vështirë t'i kthehemi lojës pas këtij lajmi...", kishte thënë Kosell.

Një ditë më pas, bashkëshortja e të ndjerit lëshoi një deklaratë:

"Nuk do të ketë funeral për Xhonin. Xhon e ka dashur dhe është lutur për racën njerëzore. Ju lutemi, ta bëni të njëjtën gjë për të".

Një nga këngët më të popullarizuara të Lenonit titullohet "Imagine" - ku këngëtari "imagjinonte" se si do të ishte bota po të mos kishte dallime në fe apo vende. (v.t.)
XS
SM
MD
LG