Ndërlidhjet

Kacin: I shokuar me bojkotin e Beogradit ndaj ceremonisë Nobel


Vendimi i Serbisë për ta bojkotuar ceremoninë e dhënies së Çmimit Nobel për Paqe, për disidentin e burgosur kinez, Liu Xiaobo, ka nxitur kritika nga veprimtarët për të drejtat e njeriut dhe Bashkimi Evropian, i cili është shprehur i shokuar, që vendi kandidat për pranim, do t’u nënshtrohet dëshirave të Kinës.

Ministri i jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremiq, tha se Serbia “i kushton kujdes ekstrem shkeljes së të drejtave të njeriut”, por marrëdhëniet e saj të dyanshme me Kinën kanë prioritet.

Serbia ka shqetësime se pjesëmarrja e saj do ta zemëronte Kinën, e cila e ka mbështetur Beogradin në kundërshtimin e pavarësisë së Kosovës.

Raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë, Jelko Kacin, tha se ishte i “shokuar” me vendimin e Beogradit për të mos marrë pjesë në ceremoninë e së premtes.

“Nuk ekziston vend kandidat, ose vend kandidat potencial, që në këtë mënyrë e manifeston bindjen” ndaj Kinës, tha zoti Kacin.

Ftesat norvegjeze për pjesëmarrje në ceremoni i kanë refuzuar edhe Rusia dhe Pakistani.

Grupi për të drejtat e njeriut në Serbi, Jukom, tha se “duke e bojkotuar ceremoninë e këtij viti, Serbia përsëri po tregon se është larg nga sinqeriteti në betejën për të drejtat e njeriut dhe për të gjitha vlerat e shoqërisë moderne demokratike evropiane”.

Në ceremoni nuk do të marrin pjesë as aleatët e Kinës, siç janë Venezuela dhe Kuba, fqinjët rajonalë Filipinet dhe Kazakistani, pastaj Arabia Saudite e të tjerë.

Raportohet se në ceremoninë në Oslo të Norvegjisë, nuk do të jenë të pranishme as Ukraina, Kolumbia, Egjipti, Sudani, Tunizia, Iraku, Vietnami, Afganistani dhe Maroku.
XS
SM
MD
LG