Ndërlidhjet

logo-print

Kacin: I shokuar me bojkotin e Beogradit

  • RFE /RL

Oslo: Qendra e Çmimit Nobel pë Paqe.

Oslo: Qendra e Çmimit Nobel pë Paqe.

Vendimi i Serbisë për të bojkotuar ceremoninë e dhënies së Çmimit Nobel për Paqe për disidentin e burgosur kinez, Liu Xiaobo, ka nxitur kritika nga veprimtarët për të drejtat e njeriut dhe Bashkimi Evropian, i cili është shprehur i shokuar që vendi kandidat për pranim, do t’iu nënshtrohet dëshirave të Kinës.

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremiq, tha se Serbia “i kushton kujdes ekstrem shkeljes së të drejtave të njeriut”, por marrëdhëniet e saj të dyanshme me Kinën kanë prioritet.

Serbia ka shqetësime se pjesëmarrja e saj do ta zemëronte Kinën, e cila e ka mbështetur Beogradin në kundërshtimin e pavarësisë së Kosovës.

Raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë, Jelko Kacin, tha se ishte i “shokuar” me vendimin e Beogradit për të mos marrë pjesë në ceremoninë e së premtes.

“Nuk ekziston vend kandidat ose vend kandidat potencial, që në këtë mënyrë e manifeston bindjen ndaj Kinës", tha zoti Kacin.

Ftesat norvegjeze për pjesëmarrje në ceremoni i kanë refuzuar edhe Rusia e Pakistani.

Grupi për të drejtat e njeriut në Serbi, Jukom, tha se “duke bojkotuar ceremoninë e këtij viti, Serbia përsëri po tregon se është larg nga sinqeriteti në betejën për të drejtat e njeriut dhe për të gjitha vlerat e shoqërisë moderne demokratike evropiane”.

Në ceremoni nuk do të marrin pjesë as aleatët e Kinës, si Venezuela dhe Kuba, fqinjët rajonalë: Filipinet dhe Kazakistani, pastaj Arabia Saudite e të tjerë.

Raportohet se në ceremoninë në Oslo të Norvegjisë nuk do të jenë të pranishme as Ukraina, Kolumbia, Egjipti, Sudani, Tunizia, Iraku, Vietnami, Afganistani dhe Maroku.


Jovanoviq: Turp për Serbinë

Mungesa e përfaqësuesit të Serbisë në ndarjen e Çmimit Nobel për Paqe është turp për Serbinë, vlerësoi kryetari i Partisë Liberal-Demokratike, Çedomir Jovanoviq.

Duke reaguar ndaj vendimit të qeverisë, që më 10 dhjetor, në ceremoninë e ndarjes së çmimit për disidentin kinez, Liu Xiaobo, në Osllo të mos jetë përfaqësuesi i Serbisë, ai tha se me këtë ka rënë kredibiliteti edhe ashtu i dobët i Serbisë në botën demokratike.

"Prishëm edhe atë kredibilitet të dobët në botën demokratike, duke u fshehur pas arsyeve të paqarta, që në fakt janë vazhdim i skllavërisë së diplomacisë sonë si në modelin e luftës për Kosovën, në të cilën protagonisti kryesor ka pësuar humbje të rëndë”, tha Jovanoviq, duke aluduar në ministrin e Punëve të Jashtme, Vuk Jeremiq, dhe vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për Kosovën.

Jovanoviq tha se me këtë vendim, Serbia nuk është bërë aleate e fortë e Kinës dhe as nuk do të respektohet më shumë nga ky vend.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG