Ndërlidhjet

logo-print

Sahatqija: Ofrojmë një qeverisje ndryshe


Teuta Sahatqija

Teuta Sahatqija

Lidhja Demokratike e Kosovës ofron një qeverisje me njerëz të pastër, një qeverisje me njerëz ekspertë, thotë në intervistën dhënë Radios Evropa e Lirë Teuta Sahatqija, nënkryetare e LDK-së.



RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Sahatqija, cila është oferta e Lidhjes Demokratike të Kosovës për elektoratin kosovar? Pse duhet të votohet LDK-ja?

TEUTA SAHATQIJA
Lidhjen Demokratike të Kosovës duhet ta votojnë sepse është parti, e cila në këto zgjedhje hyn me një ofertë të re, hyn me një ekip të ri, hyn me një mentalitet të ri.

Prandaj, duhet të votohet LDK-ja, sepse LDK-ja në ofertën e saj ofron një qeverisje më ndryshe, një qeverisje me njerëz të pastër, një qeverisje me njerëz që janë ekspertë në lëmit e tyre, një qeverisje, në të cilën shumica e njerëzve do të jenë të rinj, djem e vajza, që janë dëshmuar në profesionet e veta dhe do të punojnë për të mirën e vendit.

RADIO EVROPA E LIRË
Të gjitha subjektet politike që garojnë për zgjedhjet e 12 dhjetorit, zotohen për një zhvillim të hovshëm ekonomik, luftimin e korrupsionit dhe integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian. Si do t’i arrijë partia juaj këto?

TEUTA SAHATQIJA
Në qoftë se nisemi prej ndërrimit më të madh që ka ndodhur aty, është ndërrimi i kryetarit. Nëse e kemi parasysh se zoti Isa Mustafa është njëri prej ekspertëve më eminentë të ekonomisë, atëherë është shumë e afërt dhe shumë e besueshme të mendojmë se një ekonomist i zoti prioritet do ta ketë ekonominë.

Prandaj, zhvillimi ekonomik është ngushtë i lidhur jo vetëm me kryetarin, por edhe me ekipin që ai ka përzgjedhur afër vetes. Me një numër të madh të njerëzve të zotë në lëmin e ekonomisë, zhvillimi ekonomik është diçka, së cilës vërtet duhet t’i besohet.

Zoti Isa Mustafa është në udhëheqje jo për një kohë të shkurtër, por për një kohë të gjatë dhe nuk ka asnjë njollë, asnjë skandal që lidhet me të. Në ekipin e tij do të jenë njerëz, të cilët janë vërtet të përkushtuar për luftimin e korrupsionit.

Ne mendojmë se zhvillimi ekonomik së bashku me sundimin e ligjit janë parakushtet themelore për afrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian.

Mendojmë se Kosova në Bashkimin Evropian nuk duhet të hyjë me kokë poshtë, por duhet të hyjë si një shtet, në të cilin sundon ligji dhe në të cilin ne do të jemi të barabartë për kah zhvillimi ekonomik, për kah zhvillimi i demokracisë. Të jemi anëtar i barabartë në Bashkësinë Evropiane.

RADIO EVROPA E LIRË
Është një vlerësim i përgjithshëm se integrimi i veriut vazhdon të jetë një sfidë jo e lehtë. Nëse partia juaj do të qeverisë, si mendoni se mund të ndryshohet gjendja atje?

TEUTA SAHATQIJA
Në LDK mendojmë se, jo vetëm në veri, por në udhëheqjen e qeverisë në përgjithësi ka munguar një menaxhim i mirëfilltë. Mendojmë se edhe veriu i Kosovës, ndonëse pjesë pak më e vështirë e qeverisjes, duhet të zgjidhet me një menaxhim më të mirë të situatës, me një përkushtim më të thellë në zgjidhjen e kësaj çështjeje.

Mendojmë se së bashku me një qeverisje të re, edhe veriu, përmes një menaxhimi të mirëfilltë, do të afrohet në integrim të plotë, si pjesë përbërëse e tërësisë së Kosovës. Institucionet shtetërore duhet të jenë funksionale, sikur gjykatat, policia... Por, si adut kryesor duhet të jetë zhvillimi ekonomik.

Në përgjithësi, nëse e keni vërejtur në programin tonë apo në deklarimet e kryetarit Mustafa, shihet si një prioritet i veçantë do t’iu kushtohet pjesëve kufitare të Kosovës, ku merr pjesë edhe veriu, por gjithashtu edhe Gjakova, edhe pjesët tjera kufitare, të cilat kanë mbetur pa një program të mirëfilltë ekonomik, i cili do të ndihmonte në integrimin më të shpejtë të këtyre viseve.

RADIO EVROPA E LIRË
Në çfarë rrethanash do të pranonit të hyni në koalicion qeverisës nëse ju ofrohet një mundësi e këtillë?

TEUTA SAHATQIJA
Ne mendojmë se do të jemi ne ata, të cilët do t’i përzgjedhim partnerët tonë. Për këtë kemi bazë të fortë në sondazhe, në pritjet, në të cilat si në një formë orteku, çdo ditë e më tepër rritet përkrahja për LDK-në dhe kryetarin.

Ne kemi deklaruar se nuk do të bëjmë koalicion në asnjë mënyrë me Partinë Demokratike të Kosovës, sepse mendojmë se për demokracinë e vendit është e rëndësishme, jo vetëm të ketë një qeverisje të fuqishme, por edhe një opozitë të fuqishme, e cila siguron që qeveria të jetë një qeveri vërtet demokratike, e kontrolluar mirë.

Prandaj, kjo është arsyeja pse mendojmë që, për të mirë të vendit, në këto rrethana kur Kosova veç është shtet, nuk duhet të ketë koalicione të dy partive të mëdha.

Se cilat parti do t’i përzgjedhim, mendoj se pas 12 dhjetorit mund të flasim më tepër për koalicione të mundshme. Tash jemi të angazhuar, të përkushtuar për vendin e parë, por të jemi bindshëm të parët në zgjedhjet e 12 dhjetorit.

RADIO EVROPA E LIRË
Qeveria e re pritet t’i nisë bisedimet e mundshme teknike me Beogradin. Cili është qëndrimi i partisë suaj në këtë rrafsh?

TEUTA SAHATQIJA
Ne mendojmë se shteti i Kosovës duhet të ketë marrëdhënie të mira me të gjitha shtetet përreth. Këtu nuk përjashtohet as Serbia.

Mendoj se ka mjaft çështje teknike, çështje konkrete, të cilat përmes bisedimeve do t’ua lehtësonin jetën qytetarëve, si në Kosovë, ashtu edhe në Serbi. Janë çështjet ekonomike, të të zhdukurve... – mos t’i numëroj, por është një numër i atyre për të cilat duhet të bisedohet me secilin fqinj, e në këtë rast edhe me Serbinë.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG