Ndërlidhjet

Ndonëse shumica e elektoratit kosovar tashmë e ka kuptuar se premtimet e subjekteve politike gjatë fushatës parazgjedhore, janë të stërzmadhuara, megjithatë pritet dalje masive e qytetarëve në zgjedhjet e 12 dhjetorit, thonë ekspertët e sociologjisë dhe të psikologjisë.

Sociologu Shemsi Reçica, profesor në Universitetin e Prishtinës, thotë se premtimet e subjekteve politike kësaj here janë shumë më të mëdha se në fushatat e zgjedhjeve paraprake dhe përtej kornizave, të cilat elektorati do të mund t’i pranonte si të realizueshme.

Sipas tij, shumica e këtyre premtimeve janë pa mbulesë dhe një gjë e tillë mund të reflektojë negativisht në dy drejtime.
Të mësohesh me diçka që nuk është e realizueshme në jetë, natyrisht se është shumë negative...

“Premtimet janë aq të mëdha saqë ato tashmë janë bërë qesharake. Mirëpo, si duket, qytetarët që dalin në zgjedhje, janë mësuar me premtime të tepërta. Nuk është negative vetëm fushata, në kuptimin e premtimeve pa mbulesë, por është negativ edhe pranimi nga qytetarët i këtyre premtimeve pa mbulesë”.

“Të mësohesh me diçka që nuk është e realizueshme në jetë, natyrisht se është shumë negative. Është interesant se gati askush nuk po ua sheh për të madhe premtimeve pa mbulesë. Pothuajse, janë bërë normale”,
thotë Reçica.

Edhe psikologu Dashamir Bërxulli, profesor në Universitetin e Prishtinës, vlerëson se premtimet e krerëve politikë që garojnë për zgjedhjet parlamentare, janë, siç thotë ai, shumë të fryra.

Një gjë e tillë, sipas Bërxullit, ndodh sidomos në mitingjet e caktuara me zgjedhësit. Ai thotë se kjo nuk është strategji e zgjedhur mirë nga subjektet politike.
Shpesh janë të pamenduara paraprakisht, për shkak se liderët ekzaltohen para militantëve të tyre...

“Shpesh janë të pamenduara paraprakisht, për shkak se liderët ekzaltohen para militantëve të tyre dhe natyrisht se iu dalin në mënyrë të pavetëdijshme këto lloj premtimesh. Një pjesë e elektoratit, e cila është në një gjendje të keqe - kemi shumë shtresa të varfra në Kosovë - eventualisht mund të bindet se gjërat e tilla mund të ndodhin”.

“Nga ana tjetër, elektorati, i cili mendon me argumente dhe ka një lloj informacioni mbi bazën e asaj se në çfarë gjendjeje financiare, ekonomike e sociale gjendet Kosova sot, nuk besoj se mund të bindet nga shifrat e tilla”,
thotë Bërxhulli.

Të dy këta ekspertë të fushave përkatëse vlerësojnë se, duke pasur parasysh premisat ekzistuese si dhe futjen në garë zgjedhore të disa subjekteve të reja politike, pritet një dalje më masive e elektoratit në votimet e 12 dhjetorit.

Sociologu Reçica thotë se një gjë të tillë tashmë e kanë kuptuar edhe subjektet politike, andaj edhe premtimet, sipas tij, janë më të shumta.

“Si duket, edhe vetë partitë politike janë të shqetësuara, sepse nuk mund të flitet paraprakisht për suksesin e njërës parti ose të partisë tjetër. Do të thotë, asnjë parti nuk është e sigurt në fitoren e saj”.

Nga një tubim parazgjedhor i Partisë Demokratike të Kosovës...
“Për këtë arsye, janë mobilizuar të gjithë aktivistët, të gjithë militantët e partive. Unë pres një pjesëmarrje më të madhe të qytetarëve në zgjedhjet e 12 dhjetorit”,
thekson Reçica.

Sipas psikologut Bërxulli, shtimi i konkurrencës - me futjen në skenë të subjekteve të reja politike - do të ndikojë edhe tek elektorati.

“Po të shikojmë në lidershipin e partive politike në Kosovë, shohim se kemi disa liderë të tipologjive të ndryshme, liberal-demokratë apo të tipologjive tjera”.

“Kështu që, në këtë mënyrë, votuesi mund ta gjejë veten te programi i partive të caktuara dhe te lidershipi i tyre, por edhe tek idetë e caktuara dhe të lansuara nga partitë politike. Mendoj se do të kemi një dalje më të madhe në zgjedhje, sidomos më të madhe se në zgjedhjet e fundit të vitit 2007”,
konkludon Bërxulli.

Lexoni edhe këto:
Premtime për të mbledhur vota (?)
Votuesi dhe zgjedhjet
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG