Ndërlidhjet

BE-ja e zhgënjyer me Serbinë

  • Augustin Palokaj

Fotografi ilustruese

Fotografi ilustruese


Bashkimi Evropian ka shprehur zhgënjim me vendimin e Serbisë për të mos marrë pjesë në ceremoninë e ndarjes së Çmimit Nobel për Paqe, për disidentin e burgosur kinez, Liu Xiaobo, duke u rreshtuar kështu me Kinën, Rusinë, Venezuelën, Iranin dhe vende të tjera që kanë vendosur, me kërkesë të Kinës, që ta bojkotojnë këtë ceremoni.

Zëvendësja e komisionarit për Zgjerim Stefan Fyle, Angela Filote, ka thënë se Bashkimi Evropian ka marrë vendim që të gjitha 27 vendet anëtare të BE-së të marrin pjesë në ceremoni dhe presin, po ashtu, nga vendet kandidate dhe kandidatët potencialë që të vazhdojnë t’i respektojnë të drejtat e njeriut dhe të respektojnë të njëjtat parime sikurse BE-ja, nëse dëshirojnë të jenë anëtare të BE-së një ditë.

Prandaj, ka thënë ajo, komisionari Fyle do të bisedojë nesër edhe me kryeministrin e Serbisë dhe BE-ja, edhe në takimet tjera me Serbinë ua ka bërë të qartë se Bashkimi Evropian është i zhgënjyer me këtë veprim të Serbisë.

Në anën tjetër, ajo ka folur edhe për zgjedhjet në Kosovë dhe ka bërë ftesë për të gjithë qytetarët që të dalin në votime.

Në pyetjen se cili është qëndrimi i Komisionit Evropian lidhur me kërkesën e Beogradit ndaj serbëve të Kosovës që të mos marrin pjesë në këto votime, zëvendësja e Komisionit Evropian ka thënë se BE-ja i fton të gjithë qytetarët e Kosovës, pa dallim përkatësie etnike, që të dalin në votime.

Po ashtu, të mërkurën, në konferencën për gazetarë në selinë e Komisionit Evropian është folur edhe për procesin e liberalizimit të vizave.

Zëvendësi i komisionares Malstrom që është angazhuar për këtë çështje, Mikele Çerkone, ka thënë se nuk ka pasur dhe nuk ka premtime për data nga ana e Bashkimit Evropian.

Komisioni Evropian nuk jep premtime, por kërkon rezultate, është shprehur ai.

Ndërkaq, i pyetur në mënyrë të drejtpërdrejtë lidhur me deklaratën e kryeministrit në dorëheqje, Hashim Thaçi, se ka garanci nga Brukseli se vizat për Kosovën do të liberalizohen në një afat prej 15 muajsh, ai ka thënë se Komisioni Evropian nuk ka përmendur kurrfarë datash dhe se Komisioni është vetëm duke bërë analiza lidhur me përmbushjen e kritereve nga ana e Kosovës për të nisur dialogun për vizat.

Mirëpo, ai nuk ka qenë në gjendje të përmendë ndonjë datë, as për nisjen e këtij dialogu.

Çerkone posaçërisht ka nënvizuar se Komisioni Evropian është duke analizuar se sa është e gatshme Kosova për të implementuar ligjin lidhur me integrimin e të kthyerve.

Ai ka thënë se kur të përmbushen kriteret dhe kur një gjë e tillë vlerësohet nga Komisioni Evropian, atëherë do të mund të fillojë dialogu i vizave, ndërkaq datë konkrete për këtë nuk ka.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG