Ndërlidhjet

logo-print

SHBA: Shqetësim për kërcënimet serbe para zgjedhjeve në Kosovë


Diplomati i lartë amerikan, Tom Kantrimen, tha se Uashingtoni është i “shqetësuar” për deklaratat e bëra javën e kaluar nga zyrtarët serbë në Kosovën veriore, lidhur me zgjedhjet parlamentare më 12 dhjetor.

Liderët lokalë kanë tërhequr vërejtjen se krijimi i vendvotimeve në katër komuna me shumicë serbe, në pjesën veriore, do të paraqiste provokim.

Dragisha Milloviq, nga Komuna e Zveçanit, tha se hapja e vendvotimeve në hapësirat serbe do të ishte e “papranueshme”.

Në një dëgjim në Komisionin e Helsinkit të Shteteve të Bashkuara, zyrtari i lartë i Departamentit amerikan të shtetit, mbrëmë në Uashington, Tom Kantrimen, pos tjerash, tha:

“Këto kërcënime nga java e kaluar e kanë pasur efektin e tyre të dëshiruar, duke i frikësuar votuesit, të cilët dëshirojnë të marrin pjesë në çfarëdo mënyre në jetën publike të Republikës së Kosovës. Ato janë kërcënime të besueshme, pasi ndodhin në kontektstin e një varg incidentesh të dhunshme, të drejtuara kundër serbëve në veri të Kosovës, që bashkëpunojnë”, tha zoti Kontrimen.

Ai mëtutje theksoi se Shtetet e Bashkuara “presin dhe inkurajojnë qeverinë e Serbisë të bëjë çdo gjë të mundshme për ta qetësuar atmosferën dhe parandaluar çfarëdo dhune të tillë”.

Beogradi, poashtu, ka vendosur që të mos e mbështesë pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhjet e Kosovës më 12 dhjetor, që do të jenë të parat pas shpalljes së pavarësisë nga Serbia, në shkurt të vitit 2008.

Zgjedhjet po ndiqen nga komuniteti ndërkombëtar dhe shihen si test i aftësisë së Kosovës, për të mbajtur zgjedhje korrekte dhe për ta integruar komunitetin serb, pjesa më e madhe e të cilit e kanë kundërshtuar fuqishëm pavarësinë e Kosovës.

Dje një boshnjak, i cili ishte pjesë e ekipit për organizimin e zgjedhjeve në pjesën veriore të Kosovës, ishte vrarë në këtë rajon.
XS
SM
MD
LG