Ndërlidhjet

Shkup: Gruevski kundër zgjedhjeve të parakoshme


VMRO DPMNE-ja e kryeministrit Nikolla Gruevski hodhi poshtë kërkesën e opozitës për zgjedhje të parakoshme parlamentare.

Vendimi u kumtua pas mbledhjes së Komitetit ekzetutiv të kësaj partie, që ka përfunduar pas mesnate.

Në komunikatën e publikuar thuhet se “për momentin nuk ekzistojnë shkaqe objektive dhe arsye për ndërprerjen e mandatit të besuar katërvjeçar nga qytetarët për realizimin e projekteve të premtuara. Për VMRO-DPMNE-në është e papranueshme që për shkak të një blofi dhe një qasjeje pokeri të politikës së Branko Cërvenkovskit, të shpërqëndrohet energjia nga zbatimi i programit të premtuar katërvjeçar”.

VMRO DPMNE thotë se është e vetëdijshme se LSDM-ja do të tentoj, që këtë vendim t’a keqpërdorë për përfitime politike, por, ia tërheq vërejtjen se “do të dëshpërohet nga zgjedhjet e ardhshme kur do të ballafaqohet me realitetin”.

Paraprakisht kundër zgjedhjeve ishte deklaruar edhe partia shqiptare në qeveri, BDI-ja, e cila, së pari, kërkon zgjidhjen e kontestit rreth emrit me Greqinë dhe më pas të mbahen zgjedhjet.

LSDM-ja, kërkesën për zgjedhje e paraqiti, në marshin protestues, që e organizoi të dielën në Shkup. Kjo parti akuzon qeverinë për moszgjidhjen e kontestit rreth emrit, bllokimin e procesit integrues dhe për paaftësi për ta zhvilluar ekonomikisht Maqedoninë.

Zgjedhjet e parakoshme parlamentare kërkohen edhe nga partitë opozitare shqiptare.
XS
SM
MD
LG