Ndërlidhjet

SHBA: Shqetësim për kërcënimet serbe

  • RFE /RL

Alsi Hastings dhe Benjamin Kardin

Alsi Hastings dhe Benjamin Kardin

Diplomati i lartë amerikan, Tom Kantrimen, tha se Uashingtoni është i “shqetësuar” për deklaratat e bëra, javën e kaluar, nga zyrtarët serbë në Kosovën veriore, lidhur me zgjedhjet parlamentare më 12 dhjetor.

Liderët lokalë kanë tërhequr vërejtjen se krijimi i vendvotimeve në katër komuna me shumicë serbe, në pjesën veriore, do të paraqiste provokim.

Dragisha Milloviq, nga Komuna e Zveçanit, tha se hapja e vendvotimeve në hapësirat serbe do të ishte e “papranueshme”.

Në një dëgjim në Komisionin e Helsinkit të Shteteve të Bashkuara, mbrëmë në Uashington, zyrtari i lartë i Departamentit amerikan të shtetit, Tom Kantrimen, pos tjerash, tha:

“Këto kërcënime nga java e kaluar e kanë pasur efektin e tyre të dëshiruar, duke i frikësuar votuesit, të cilët dëshirojnë të marrin pjesë në çfarëdo mënyre në jetën publike të Republikës së Kosovës”.

“Ato janë kërcënime të besueshme, pasi ndodhin në kontekstin e një varg incidentesh të dhunshme, të drejtuara kundër serbëve në veri të Kosovës, që bashkëpunojnë”
, tha zoti Kantrimen.

Ai theksoi se Shtetet e Bashkuara “presin dhe inkurajojnë Qeverinë e Serbisë të bëjë çdo gjë të mundshme për ta qetësuar atmosferën dhe për të parandaluar çfarëdo dhune të tillë”.

Dëgjimin në Komisionin e Helsinkit të Shteteve të Bashkuara e bashkëkryesuan senatori Benjamin L. Kardin dhe përfaqësuesi Alsi L. Hastings, të cilët kërkuan qartësi në koordinimin e politikës së Shteteve të Bashkuara dhe të Bashkimit Evropian për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Në dëgjim u përfshinë Shqipëria, Bosnjë e Hercegovina, Kroacia, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia.

Bashkëkryesuesi Hastings argumentoi se konflikti i ripërtërirë në rajon duhet të bëhet i pamundshëm, pasi vendet për të cilat bëhet fjalë, duhet ta shohin të ardhmen e tyre në Evropë, ndërsa krimi i organizuar dhe korrupsioni zyrtar duhet të ndalen.

Zoti Hastings i tha dëshmitarit - zyrtarit të lartë të Departamentit amerikan të Shtetit, Tom Kantrimen, se angazhimi aktiv i Shteteve të Bashkuara nuk do të duhej vetëm të legjitimonte qasjen e Bashkimit Evropian për Ballkanin, por po ashtu “ta bëjë qasjen e BE-së më tepër substanciale dhe më tepër konstruktive në proces”.

Bashkëkryesuesi Kardin ftoi për qartësi në politikat e Shteteve të Bashkuara dhe të BE-së, duke argumentuar se “këtyre shteteve u duhet ndjenja konkrete e drejtimit” dhe se “dykuptimësitë qartazi po shfrytëzohen nga politikanët në Ballkanin Perëndimor për avantazhin e tyre”.

Zoti Kantrimen u pajtua me fjalët e bashkëkryesuesit, duke thënë se, “siç e ka bërë të qartë sekretarja Klinton, gjatë vizitës së saj në tetor, Shtetet e Bashkuara janë të vendosura në përkushtimet e tyre për Ballkanin Perëndimor”.

Ai theksoi se “ne ishim gjatë periudhës më të vështirë e mbesim të përkushtuar edhe sot, për ndihmë për secilin prej shtatë vendeve, për realizimin e aspiratave të tyre për stabilitet, prosperitet dhe anëtarësim në institucionet euroatlantike”.

Në dëgjimin në Uashington ishin edhe anëtarët e senatit: Xhini Shahin dhe Xhorxh Voinoviç, si dhe anëtarët e Dhomës Përfaqësuese: Irl Pomeroj dhe Rus Karnahan, të cilët aktivisht ishin të involvuar në politikat e zhvillimit të Ballkanit gjatë viteve. (f.b.)

Trego komentet

XS
SM
MD
LG