Ndërlidhjet

Vendvotimet në veri më shumë mobile


Mitrovicë
Mitrovicë
Në pjesën veriore të Kosovës, më 12 dhjetor, do të hapen 21 vendvotime, për t’iu mundësuar qytetarëve të kësaj ane të marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare, bëjnë të ditur zyrtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Policia e Kosovës gjithashtu njofton se do të angazhohet për të siguruar mbarëvajtjen e procesit zgjedhor në të gjitha këto vendvotime - 13 prej të cilave janë mobile dhe 8 statike.

Xhemajl Peqani, kryeshef i Sekretariatit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, thotë se në mjediset e banuara me shqiptarë do të hapen vendvotimet e rregullta.

“Aty ku ka popullatë shqiptare do të jenë qendrat e rregullta. Kjo ka të bëjë me Zubin Potokun, Leposaviqin, Zveçanin, ku janë fshatrat Çabër, Boletin dhe Bistricë. Ndërsa, aty ku është edhe komuniteti boshnjak, edhe komuniteti serb, (gjithashtu) ka vendvotime statike”, thotë Peqani, duke lënë të kuptohet se fjala është për mjediset e banuara me popullatë të përzier.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, thotë se vendvotime statike nuk do të ketë në mjediset ku jetojnë vetëm serbët.

“Vendet statike të vendvotimeve do të jenë ato lokacione, të cilat janë të banuara me popullatë të përzier, popullatë shqiptare apo të etnive tjera joserbe. Ndoshta, me ndihmën e organizatës joqeveritare IFES do të mundësohet dalja e të gjithë atyre që janë të vullnetit të lirë, përmes ekipeve mobile, të cilat janë të përgatitura teknikisht për t’i organizuar këto zgjedhje”.

“Policia sigurisht se ka rolin që të asistojë dhe të mundësojë një ambient sa më të qetë dhe sa më të mirë, për të gjithë ata që dëshirojnë të dalin në zgjedhje”,
thekson Hoti.

Ai thotë se qendra statike të votimit do të ketë në “Lagjen e Boshnjakëve”, në “Kodrën e Minatorëve”, afër “Tre rrokaqiejve”, në fshatrat Vitomiricë dhe Bushat, si dhe në zonat e banuara kryesisht me popullatë shqiptare.

Në anën tjetër, ish-shefi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Mazllum Baraliu, thotë se njësitë mobile të votimit, të cilat do të lëvizin në hapësirat me popullatë serbe, nuk janë stimuluese për qytetarët për të dalë në votime.

“Natyrisht që është averzive për qytetarët kur shohin mekanizma mobilë, për të mos i përmendur ato karroca dhe mekanizma tjerë mobilë që krijohen atje. Vetë atmosfera është jo sa duhet tërheqëse, për të mos thënë dëbuese për qytetarët”
, shprehet Baraliu.

Sipas tij, futja në funksion e stacioneve mobile dhe moskrijimi i qendrave statike të votimit në veri të Kosovës, mund të reflektojnë edhe situata të tjera të padëshirueshme.
Elementet ekstreme mund t'i pengojnë njësitet mobile...

“Natyrisht që krijojnë përshtypjen se atje nuk është diçka në rregull. Eventualisht, elementet ekstreme, të cilat joshen dhe shtyhen nga strukturat e sigurimit të inteligjencës dhe të Qeverisë serbe, do të mund të konkludonin se atje mund të bëjnë çka të duan”.

“Mund t’i pengojnë dhe pastaj këto (njësitet mobile) do të detyrohen të kalojnë në një ambient tjetër, në një lokacion tjetër, për t’iu shmangur konflikteve eventuale, gjegjësisht pengesave eventuale që mund t’i bëjë ndonjë subjekt, ndonjë person fizik ose grupacion i vogël i atyre elementeve që i përmenda më parë”, thotë Baraliu.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Hoti, thotë se policia tashmë e ka përpiluar planin operativ, i cili do të zbatohet gjatë gjithë procesit zgjedhor. Sipas tij, forcat e rendit do të jenë të koordinuara me policinë e EULEX-it dhe me KFOR-in.

Në pjesën veriore të Mitrovicës janë parë një mori pankartash të vendosura në rrugët e qytetit, të cilat u bënin thirrje serbëve të mos dalin në zgjedhjet e 12 dhjetorit. Por, Hoti thekson se nuk ka shenja të tensionimit të situatës në veri.

“Këto (pankartat) nuk flasin për tensionim. Flasin kryesisht për fjalë të ndryshme ose kërcënime të formave të ndryshme, për nga karakteri i përfaqësuesve politikë mendoj. Mirëpo, këto nuk duhet të ndikojnë në mendjen e asnjë individi, i cili ka shprehur dëshirën të dalë në zgjedhje”.

“Ne mundohemi të krijojmë hapësirën më të mirë të mundshme, për të gjithë ata që dëshirojnë të marrin pjesë në këto zgjedhje. Ndërsa, këto pankarta sigurisht se më tepër janë një gjuhë politike”,
deklaron Hoti.

Megjithatë, dje në veri të Kosovës janë sulmuar dy punëtorë të Komisionit Komunal të Zgjedhjeve të Leposaviqit, të përkatësisë kombëtare boshnjake. Njëri prej tyre është vrarë, ndërsa tjetri është plagosur.

Zyrtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kanë thënë se sulmi ndaj tyre ishte kryer derisa ata ishin në orar të punës dhe me veturë zyrtare, ndërsa autoritetet e rendit sulmin e kanë cilësuar si të organizuar, por duke mos dhënë detaje të tjera.

Lexoni edhe këtë: Serbët para zgjedhjeve
XS
SM
MD
LG