Ndërlidhjet

Nisma e redaksisë së enciklopedisë maqedonase për rikthimin e botimit të parë në opinion, ka shkaktuar reagime të ashpra te shqiptarët. Pas Ramiz Abdylit, edhe Alajdin Abazi është tërhequr nga redaksia e enciklopedisë. Akademikët maqedonas thonë se propozimi nuk nënkupton heqje dorë nga botimi i ri, por në të njëjtën kohë nuk e mbyll rastin me botimin që është vlerësuar si skandaloz dhe konfliktuoz.


Vendimi i redaksisë së enciklopedisë maqedonase për rikthimin në opinion të botimit skandaloz, siç është quajtur nga qarqe të ndryshme shqiptare enciklopedia e re, ka rikthyer situatën e para një viti, kur të gjithë shqiptarët pa përjashtim, jo vetëm brenda, por edhe jashtë Maqedonisë kritikuan përmbajtjen e saj fyese për shqiptarët.

Redaksia e enciklopedisë u ka kërkuar instancave më të larta të Akademisë së Shkencave zhbllokimin e botimit të parë, por këtë herë me një kaptinë të bashkangjitur me sqarime lidhur me kontestet që kanë shkaktuar pjesë të veçanta të saj.
Me shumicë votash vendosëm, në fakt, propozuam përpunimin e një enciklopedie të re dhe zhbllokimin Enciklopedisë...

”Me shumicë votash vendosëm, në fakt, propozuam përpunimin e një enciklopedie të re dhe zhbllokimin Enciklopedisë dhe të bëhet një libër i plotë në bazë të të gjitha materialeve që kemi në të, që të dihet se cili është qëndrimi i Akademisë së Shkencave lidhur me këtë çështje. Gjithashtu, ky libër të ketë edhe një shtojcë me kritikat lidhur me përmbajtjen e saj”.

“Por, është shumë e rëndësishme se këto dy vendime - përpunimi i enciklopedisë së re dhe zhbllokimi, të shkojnë në pako. Pra, ne nuk jemi për zhbllokim nëse nuk merret vendim për enciklopedi të re”,
deklaron kryetari i redaksisë, Mitko Maxhunkov.

Por, ky vendim, e në veçanti ai për rikthimin e enciklopedisë së vjetër, ka bërë që pas Ramiz Abdylit, nga redaksia të largohet edhe anëtari tjetër shqiptar, akademik Alajdin Abazi.

Abazi mbështet vendimin e para një viti të redaksisë për tërheqjen e enciklopedisë nga qarkullimi dhe ky botim të konsiderohet i pavlerë dhe jorelevant.

“Opinioni është i njoftuar se para një viti Kuvendi i Akademisë e tërhoqi enciklopedinë nga distribuimi i mëtutjeshëm, për shkak të reagimeve të ashpra, për ofendimet, jo të vërtetat dhe për shtrembërimin e fakteve historike. Unë mendoj se nuk ka zgjidhje tjetër për enciklopedinë e vjetër, përveç se të ngelë atje ku është”
, thotë Abazi.

Lëvizja Qytetare “Zgjohu”, konsideron se qëndrimi i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë për kushtëzimin e përpilimit të enciklopedisë së re me ribotimin e, siç e quan, enciklopedisë skandaloze të vitit të kaluar me kritika të bashkangjitura, është absolutisht i papranueshëm dhe me tendencë përfundimtare që të shkaktojë tensione ndëretnike dhe ndasi midis dy komuniteteve shumicë në Maqedoni.
Çdo përpjekje për ta rikthyer enciklopedinë e vjetër, qoftë edhe me kritika të përngjitura, është absolutisht e papranueshme...

"Çdo përpjekje për ta rikthyer enciklopedinë e vjetër, qoftë edhe me kritika të përngjitura, është absolutisht e papranueshme për të gjithë shqiptarët dhe do të konsiderohet si akt i qëllimshëm provokues me synim të krijimit të ndasive midis shqiptarëve dhe maqedonasve”.

“Kjo është edhe një tendencë e qarqeve destruktive maqedonase në ASHAM (Akademia e Shkencave dhe Arteve e Maqedonisë), për t’i provokuar rëndë shqiptarët, duke krijuar tensione të mëdha dhe të pariparueshme ndëretnike, në mënyrë që të shpërqendrohet opinioni publik nga urgjenca e integrimit Euroatlantik të Maqedonisë”
, shprehet Bekim Hoxha nga Lëvizja qytetare “Zgjohu”.

Por, pavarësisht reagimeve të këtilla, anëtarët maqedonas të redaksisë thonë se kërkesa e shqiptarëve për botimin vetëm të një enciklopedie të re nuk do të mbështetet pa zgjidhur, siç thonë fatin e enciklopedisë së vjetër,e cila, në përmbajtjen e saj veç tjerash shkruan se shqiptarët në Maqedoni janë ardhacakë, të zbritur nga mali në shekullin e XVI me qëllim pushtimin e territoreve të banuara nga maqedonasit.

“Vërshimin e tyre drejt Maqedonisë e ka mundësuar Ali Pashë Tepelena, kurse shteti i parë shqiptar është formuar nga Gjermania fashiste, e cila kufijtë e këtij shteti i zgjeroi në rajonet e Maqedonisë perëndimore...”
, shkruan në enciklopedinë maqedonase.

Lexoni edhe këto:

Enciklopedia politike
Shkup: Enciklopedia do të korrigjohet

Trego komentet

XS
SM
MD
LG