Ndërlidhjet

Listë e gjatë kushtëzimesh


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Analistët politikë në Kosovë e Serbi pajtohen për rëndësinë që Prishtina e Beogradi, sa më parë, të ulen në tryezën e bisedimeve për t’i zgjedhur problemet që kanë ndërmjet vete. Ata thonë se bisedimet do të karakterizohen nga një varg kushtesh, të cilat Bashkimi Evropian do t’ua vë palëve, mirëpo ekzistojnë mendime kontradiktore lidhur me atë se a do të jetë njohja e Kosovës nga Serbia një nga ato kushte.


Njohësit e zhvillimeve politike në Prishtinë e Beograd paralajmërojnë një rrugë të gjatë kushtëzimesh, të cilat Bashkimi Evropian do t’ua vë Kosovës e Serbisë gjatë bisedimeve të ardhshme ndërmjet tyre.

Çelësi kryesor për nisjen e këtyre bisedimeve, sipas tyre, do të jetë koordinimi i agjendave shtetërore të të dyja palëve me agjendën evropiane të integrimeve.

Përfaqësuesi i Grupit Ndërkombëtar të Krizave në Prishtinë, Naim Rashiti, thotë se Bashkimi Evropian po dështon ta konsolidojë politikën evropiane të Ballkanit dhe se, rrjedhimisht, perspektiva evropiane sikurse për Kosovën ashtu dhe shtetin serb, duket ende e largët. Përmes bisedimeve, thotë Rashiti, do të synohet të qartësohet kjo problematikë.

“Do të kemi një proces, ku pas çdo hapi dhe për çdo hap drejt integrimit evropian, do të ketë kushtëzime për të dy palët, të cilat në veçanti lidhen me një fqinjësi të mirë”,
thotë Rashiti.

Lehtësimi i dialogut nga Bashkimi Evropian parashihet në një rezolutë të miratuar në shtator të këtij viti në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Të gjitha detajet e tjera lidhur me bisedimet ndërmjet Prishtinës e Beogradit, nuk janë saktësuar ende.
Prishtina e Beogradi thuhet se po e mbajnë njëra-tjetrën peng të integrimit në Bashkimit Evropian derisa nuk fillojnë bisedimet.

Të dyja palët thuhet se duhet t’i tejkalojnë pjesërisht “vijat e tyre të kuqe” për të arritur te një kompromis eventual që do t’ua mundësonte në periudhën afatgjatë integrimin në BE. Rashiti e quan të pashmangshme njohjen e Kosovës nga Serbia.

“Serbia do të duhet ta njohë Kosovën, jo për shkak se dëshiron ose për shkak të Kosovës, por për shkak të agjendës së integrimeve evropiane. Dihet qartë se Serbia nuk do të hyjë në BE pa e njohur Kosovën”
, vlerëson Rashiti.

Ndërkohë, analistët serbë thonë se Prishtina e Beogradi po e mbajnë njëra-tjetrën peng të integrimit në Bashkimin Evropian derisa nuk nisin bisedimet ndërmjet vete. Vladimir Todoriq nga Qendra për Politika të Reja në Beograd thotë se Brukseli zyrtar nuk po luan “lojën e barabartë të karotave” për Kosovën e Serbinë dhe se aktualisht po favorizohet shteti serb.

Megjithatë, Todoriq shprehu bindjen se do të jetë i mundshëm anëtarësimi i Kosovës në BE pa njohjen formale nga Serbia. Një model eventual, sipas tij, mund të jetë marrëveshja gjermane “Grundlagenvertrag”, nënshkrimi i së cilës më 1972 u hapi rrugën të dy Gjermanive të aplikonin së bashku për anëtarësim në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

“Kosova do të ishte në gjendje të anëtarësohej në institucione ndërkombëtare dhe të nënshkruajë marrëveshje me BE-në, pa u njohur formalisht nga Serbia. Kjo marrëveshje de fakto është e mundshme me një ndryshim të vogël - josubstancial të Planit Ahtisari”,
shprehet Todoriq për të shtuar se kompromisi final do të ngërthente në vete një varg koncesionesh territoriale për të dy palët - gjë për të cilën, sipas tij, nuk eksiton ndonjë vullnet politik, as në Kosovë, e as në Serbi.

Analizimi i mundësive për kompromise, megjithatë, duket se nuk mund të nisë para përfundimit të zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë.

Procesi i ardhshëm elektoral në Serbi, sipas Todoroviqit, mund të ndikojë po ashtu në proces. Ai thotë se politika serbe nuk është e interesuar që, pa i zgjidhur çështjet kryesore me Kosovën, të hyjë në procesin zgjedhor që pritet të mbahet në fund të vitit të ardhshëm, apo në fillim të vitit 2012.

“Supozoj se Qeveria në Serbi, apo koalicioni qeverisës nuk do të dëshirojë ta ketë këtë çështje si temë paraelektorale”
, thekson Todoroviq.

Lexoni edhe këtë:
Pack: Qeveria e re të bisedojë me Beogradin
XS
SM
MD
LG