Ndërlidhjet

Kriminelët shqiptarë “lulëzojnë” në Nju Jork


(Fotografi ilustruese)
(Fotografi ilustruese)
"Jane's Intelligence Review"

Grupet kriminale shqiptare po bëhen të njohura në disa pjesë të Shteteve të Bashkuara, posaçërisht në Nju Jork, ku ata gëzojnë krahasime me pesë familje italo-amerikane të mafias.

Pavarësisht dominimit të krimeve të grupit Kosa Nostra për një kohë të gjatë në Shtetet e Bashkuara, një arrestim në muajin korrik vuri në pah se ky grup mund të mos jetë e vetmja organizatë e fuqishme dhe e dhunshme e tipit të mafias, e cila vepron në Nju Jork.

Atë muaj, Almir Rrapo, shtetas shqiptar dhe ish-bashkëpunëtor i zëvendëskryeministrit të Shqipërisë, Ilir Meta, u arrestua nga policia shqiptare, për t’u ekstraduar më pas në SHBA.

Rrapo ka mohuar të jetë anëtar i organizatës kriminale që vepron në Nju Jork, si dhe ka hedhur poshtë aktakuzën e SHBA-ve, sipas së cilës, ai ka qenë pjesë e grupit të fuqishëm Krasniqi – përgjegjës ky për trafikim të drogës dhe aktivitete të tjera kriminale.

Në muajin qershor, 16 shqiptarë u arrestuan gjatë një operacioni të FBI-së, përkatësisht Departamentit të Krimit të Organizuar. Më vonë ata u akuzuan për rrëmbim, shantazh, trafikim të narkotikëve, grabitje dhe posedim armësh.

Sipas dy padive të ngritura, grupi Krasniqi ka nisur trafikimin e marihuanës nga viti 2003 dhe nuk ka nguruar të plaçkitë edhe furnizuesit e vet.

Organizata Krasniqi, e përbërë pothuajse ekskluzivisht nga imigrantë shqiptarë, udhëhiqej nga vëllezërit Bruno dhe Saimir Krasniqi. Ajo operonte kryesisht në Nju Jork, Miçigen dhe Konektikut.


Fushëveprimi evropian

Shkalla e këtij operacioni demonstroi shtrirjen në rritje të grupeve kriminale shqiptare. Këto banda kanë qenë prej kohësh të njohura si problematike në Evropë, me organizatat e tyre që kanë karakter fisnor dhe brutal, e që mund të krahasohen me mafian siciliane.

Në 10 vjetët e kaluar, Europoli, Këshilli i Evropës dhe organizata të tjera të ngjashme vazhdimisht kanë tërhequr vërejtjen se grupet etnike shqiptare të krimit të organizuar përbëjnë kërcënim serioz për BE-në, për shkak të përdorimit të dhunës ekstreme, si dhe kalimit nga niveli i ulët i aktiviteteve kriminale te bashkëpunimi me njësitet më të larta të krimit të organizuar ndërkombëtar.

Ajo që është risi në këtë drejtim është prania në rritje e këtyre grupeve në SHBA. Derisa kjo tregon se grupet shqiptare në Nju Jork vazhdojnë të operojnë brenda strukturës tradicionale fisnore, shumëllojshmëria e aktiviteteve në të cilat janë të angazhuara dhe niveli i bashkëpunimit me grupet e tjera kriminale, tregon se ato po fillojnë të operojnë më shumë si një seri e rrjeteve kriminale, sesa si një organizatë me strukturë të rreptë hierarkie.


Ndërlidhjet etnike

Tradicionalisht, diaspora etnike shqiptare luan një rol thelbësor në lidhshmërinë që ekziston midis trafikuesve shqiptarë në mbarë botën. Janë rreth tetë milionë shqiptarë në botë, kurse vetëm 3.5 milionë prej tyre jetojnë në Shqipëri.

Pas shpërthimit të konfliktit në Kosovë, më 1998, rreth 400 mijë shqiptarë vlerësohet të kenë emigruar nga Kosova si refugjatë politikë. Shqiptarët etnikë nga Shqipëria dhe Maqedonia, ndonëse jo të prekur drejtpërsëdrejti nga konflikti në Kosovë, shfrytëzuan situatën, u prezantuan si refugjatë nga Kosova dhe emigruan.

Një prej motiveve pse mbahen lidhjet midis grupeve shqiptare kriminale, është mundësia e strehimit në Shqipëri. Interpoli ka vlerësuar se në 2009-ën, Shqipëria, Kosova dhe pjesa veriperëndimore e Maqedonisë, të gjitha këto pjesë të banuara me popullatë dërrmuese shqiptare, janë në shumë raste vende të sigurta për figurat kriminale shqiptare që veprojnë në BE ose SHBA.

Më shumë se gjysma e kriminelëve të njohur shqiptarë në BE dhe SHBA kanë identitete të dyfishta ose të shumëfishta - në disa raste numri i këtyre identiteteve shkon deri në 30.

Sipas zyrtarëve të Interpolit, identiteti i më shumë se 40 për qind të kriminelëve shqiptarë, të përfshirë në trafikimin e paligjshëm të drogës, nuk është i konfirmuar.

Në periudhën e pasluftës në Kosovë, rregulloret e atëhershme ishin instrumentalizuar nga kriminelët shqiptarë për të përfituar identitete të ndryshme. Sipas atyre rregulloreve, atëbotë, një individi i duheshin jo më shumë se dy dëshmitarë për të konfirmuar identitetin.

Dhe, rasti i grupit Krasniqi ilustron më së miri rëndësinë e etnisë. Një shqiptaro-amerikan i njërit nga grupet kriminale shqiptare i ka thënë revistës: “Shkelësit e ligjit shqiptaro-amerikanë në Nju Jork bashkëpunojnë në vija etnike. Ata mbajnë lidhje të ngushta me shqiptarët nga Maqedonia, Shqipëria, Kosova, Kanadaja, Italia dhe Venezuela. Pothuajse të gjitha pikat e kontaktit janë shqiptarë që jetojnë në vende të ndryshme. Bashkëpunim ka edhe me kriminelët shqiptarë nga Maqedonia, në furnizimin me heroinë”.


Aktivitetet kriminale

Sikurse edhe grupi Krasniqi, bandat shqiptare në Nju Jork kanë demonstruar një aftësi impresive për t’u përfshirë në të gjitha format e aktiviteteve kriminale.

Sipas zyrtarëve policorë dhe raportimeve të agjencive të zbulimit, krimi shumëkahësh është tipik për kriminelët shqiptarë në Nju Jork. Këto grupe mund të përfshihen në forma simultane në trafikimin e drogës dhe të njerëzve, shpëlarjen e parave, tregtinë me armë, kontrabandimin e duhanit, reketimin, vrasje, falsifikim të kredi-kartelave, plaçkitje dhe krime të tjera.

Mbi të gjitha, grupet e këtilla janë zgjeruar gjithashtu në biznesin e paligjshëm të patundshmërive dhe në trafikimin e organeve njerëzore, duke dëshmuar kësisoj një sofistikim kriminal në rritje.

Grupet shqiptare gjithashtu duket se janë përfshirë në tregtinë shumë fitimprurëse të kontrabandimit me njerëz, me organizatat në Nju Jork, që bartin emigrantë të paligjshëm nga Shqipëria për në Meksikë dhe prej andej në SHBA.

Sipas Interpolit, në vitin 2009, kriminelët shqiptarë kanë shfrytëzuar të njëjtat rrugë për kontrabandim dhe të njëjtat metoda, si për njerëzit, ashtu edhe për drogat. Në disa raste madje, ata kanë kontrabanduar njerëz së bashku me drogat, armët dhe duhanin.

Megjithatë, trafikimi me drogë mbetet një nga aktivitetet kryesore të grupeve kriminale shqiptare. Është një tregti që sjell përfitime të konsiderueshme dhe shfrytëzon ndërlidhjet ndërkombëtare midis bankave shqiptare.

Sipas zyrtarëve të Interpolit, që prej vitit 2004, trafikuesit shqiptarë të drogës kanë forcuar lidhjet e tyre direkte me furnizuesit e heroinës në Afganistan, Iran dhe Turqi. Ata kanë një rol në rritje në importim dhe distribuimin e dërgesave substanciale të heroinës, qoftë kur janë në konkurrencë me grupet kriminale nga Turqia, qoftë edhe kur janë duke i ndihmuar këto grupe.

Në disa qytete, shqiptarët kanë marrë përsipër gjithë shitjen e heroinës së trafikuar nga shtetasit turq, duke vënë kështu nën kontroll të gjitha periudhat e tregtimit me heroinë, nga dhe nëpër gjithë Ballkanin.


Grupet në Nju Jork

Kjo përfshirje në rritje në tregtinë me drogë ka qenë veçanërisht e dukshme në Nju Jork, e cila zanafillën e ka para disa dekadash. Gjatë viteve ‘70, emigrantët shqiptarë në Shtetet e Bashkuara rekrutoheshin si postierë, transportues dhe vrasës të mafias italiane.

Duket se efikasiteti me të cilin shqiptarët kanë kryer aktivitetet e tyre kriminale, i ka promovuar ata në rrjetin e mafias, duke bërë që prania e tyre të jetë gjithnjë në rritje.

Organizata më e fuqishme shqiptare kriminale në Nju Jork, deri në kohët e fundit, ka qenë grupi Rudaj. Sipas prokurorëve federalë, Aleks Rudaj, një shqiptar nga Mali i Zi, ka qenë udhëheqës i grupit, i cili është themeluar më 1993 në Uestçeshter të Nju Jorkut.

Agjentët e FBI-së thonë se në 2004-ën, organizata Rudaj është konsideruar e gjashta në mesin e familjeve kriminale, pas familjes Bonanno, Colombo, Gambino, Genovese dhe Lucchese.

Rudaj dhe 21 anëtarët tjerë të grupit janë arrestuar në tetor të 2004-ës, kurse më 16 qershor të 2006-ës, ai është dënuar me 27 vjet burgim për reketim dhe plaçkitje.

Niveli dhe kompleksiteti i aktiviteteve kriminale, në të cilat janë përfshirë bandat shqiptare në SHBA, demonstrojnë rëndësinë e tyre në rritje në mesin e komunitetit kriminal.

Duke bashkëpunuar edhe me organizatat tjera kriminale, janë krijuar edhe grupe të profilit të lartë, sikurse që është grupi Krasniqi apo ai Rudaj.

Edhe pse në dhjetëvjetëshin e fundit kanë ndodhur disa arrestime të nivelit të lartë, niveli i aktiviteteve kriminale në të cilat përfshihen bandat shqiptare, dëshmon se ata do të vazhdojnë ta kenë një rol në rritje në krimin e organizuar në Shtetet e Bashkuara.
XS
SM
MD
LG