Ndërlidhjet

Sfidat e qeverisë së ardhshme


Ndërtesa e Qeverisë së Kosovës

Ndërtesa e Qeverisë së Kosovës

Bisedimet me Beogradin, zhvillimi ekonomik dhe integrimi në Bashkimin Evropian, për analistët politikë në Prishtinë, janë sfidat më të mëdha për qeverinë e re të Kosovës, që do të dalë pas zgjedhjeve të 12 dhjetorit.

Analisti politik, Halil Matoshi, thotë se qeveria e re do të përballet në shumë aspekte me çështje të brendshme të zhvillimit të Kosovës, por edhe ato të politikës së jashtme.
Qeveria e re, në rend të parë, do të ballafaqohet me sfidën e bisedimeve me Serbinë...

“Qeveria e re, në rend të parë, do të ballafaqohet me sfidën e bisedimeve me Serbinë dhe sfida kryesore pa dyshim do të jetë integrimi i veriut. Ndërkaq, sfidë tjetër do të jetë politika e jashtme për integrim apo edhe për njohje të reja, për ta marrë kuotën e duhur për t’u inkuadruar në Organizatën e Kombeve të Bashkuar, dhe liberalizimi i vizave”,
thotë Matoshi.

Sa i takon çështjeve të brendshme, Matoshi thotë se institucionet e reja kosovare do të përballen edhe me çështjen e zhvillimit ekonomik dhe uljen e papunësisë.

“Nuk duhet të harrohet edhe sfida e luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit. Pritet që vitin që vjen, Kosova të futet në krizë sociale, pra pa dyshim do të rriten vlimet sociale dhe secila qeveri që do të ndërtohet, do ta ketë shumë të vështirë ta blejë paqen sociale në vend”,
vlerëson Matoshi.

Nga ana tjetër, analisti politik, Ramush Tahiri, shpreh mendimin se fillimisht do të ketë probleme në formimin e qeverisë së re pas zgjedhjeve të 12 dhjetorit dhe më pas, siç shprehet ai, do të vijnë sfidat e tjera.
Por, sfidë kryesore prapë mbeten integrimet euro-atlantike.

Në segmentin politik, veç bërjes së qeverisë dhe politikës së numrave që qeveria të jetë stabile dhe të ketë më shumë se 70 vota të deputetëve, do të jenë bisedimet me Serbinë, jo pse i dëshiron Kosova, por pse Bashkësia Ndërkombëtare insiston në këto bisedime dhe ngaqë janë disa çështje që duhet të përmbyllen. Por, sfidë kryesore prapë mbeten integrimet euro-atlantike”, shprehet Tahiri.

Çështjet e brendshme, ndër to papunësia, sipas analistit Tahiri, duhet të shihen si çështje me prioritet për t’u zgjidhur.

“Kryeministri në dorëheqje, që pretendon të jetë sërish kryeministër, ka bërë premtime për rritje të rrogave, për dyfishime me 50 për qind - rrogat paguhen nga buxheti dhe në strukturën e buxhetit dihet sa mund të jepen për paga. Duhet të ketë investime dhe kapital të huaj. Është problem të sigurohen këto paga, ndërkohë që papunësisë duhet të zvogëlohet”,
thekson Tahiri.

Sido që të jetë, sa i takon sfidës së bisedimeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, deri më tash subjektet politike në Kosovë nuk kanë qëndrim unik në lidhje me atë se kur mund të fillojë dialogu.

Lexoni edhe këtë:

Kosovë: Bisedimet me Serbinë - me qeveri legjitime
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG