Ndërlidhjet

Memeti: Në Maqedoni s’respektohen të drejtat e njeriut


Avokati i Popullit i Maqedonisë, Ixhet Memeti

Avokati i Popullit i Maqedonisë, Ixhet Memeti

Në Maqedoni nuk respektohen të drejtat e njeriut, thotë Avokati i Popullit, Ixhet Memeti, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë. Sipas Memetit, institucionet përkatëse nevojitet t`i njoftojnë dhe motivojnë qytetarët për të drejtat e tyre.


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Ixhet, ju keni theksuar se një nga problemet kyçe, sa i përket mbrojtjes së të drejtave të njeriut në Maqedoni, është mosinformimi i qytetarëve. Ku i shihni ju defektet e shoqërisë që qytetarët mbahen jashtë sistemit të informimit për të drejtat e tyre?

IXHET MEMETI

Prekët një segment shumë të rëndësishëm që ka të bëjë me mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut, segmentin themelor se sa janë të informuar qytetarët, sa dinë ata për të drejtat dhe liritë e tyre dhe, njëherësh, sa i njohin instrumentet dhe mekanizmat që mund t`i ndihmojnë ata në rastet kur kërcënohet e drejta e tyre.

Në Republikën e Maqedonisë ka një hapësirë, apo thënë më saktë, ka nevojë permanente që qytetarët të informohen. Pra, ligjet që rregullojnë statuse të ndryshme, të drejta të ndryshme të qytetarëve, të jenë shumë më afër qytetarëve. Me një fjalë, promovimi i lirive dhe të drejtave të qytetarëve është një punë shumë e madhe, ndaj së cilës shoqëritë nuk kanë treguar shumë kujdes.

Këtë e them për hir të asaj se Institucioni i Avokatit të Popullit, thelb të punës së vet ka mbrojtjen e të drejtave dhe lirive, por ne njëherësh shfrytëzojmë dhe mundësi të ndryshme që të mos mbetemi vetëm në segmentin e mbrojtjes, po gjithashtu edhe t`i promovojmë ato.

RADIO EVROPA E LIRË
Cilat janë ato institucione që i kanë apostrofuar qytetarët si institucione që kërcënojnë liritë dhe të drejtat e tyre?

IXHET MEMETI

Numri më i madh i qytetarëve që ankohen, ka të bëjë me sistemin gjyqësor. Pra, që nga viti 2002 e këtej qytetarët ankohen për sistemin gjyqësor dhe për kualitetin e shërbimeve të gjyqësorit. Vendin e dytë e zënë ankesat që kanë të bëjnë me cenimin e së drejtës në lëmin e punësimeve, pastaj prin sektori i policisë. Është karakteristikë se rritet e dhe numri i ankesave që kanë të bëjnë me pronësinë - këtu kemi edhe çështjet sociale etj.

Më duhet të theksoj se sa i përket mbrojtjes nga diskriminimi, është karakteristik numri shumë i vogël i qytetarëve që paraqesin ankesa. Ndërkohë, shpeshherë kam përmendur se mosdiskriminimi është e drejtë fundamentale, të cilën fatkeqësisht qytetarët shumë pak e njohin dhe besoj se në të ardhmen nevojitet shumë punë pikërisht në këtë drejtim, që qytetarët të dinë të detektojnë një fenomen të tillë apo cenim të të drejtave të tyre dhe të kërkojnë mbrojtje.

Gjithashtu, më duhet të theksoj se është karakteristike edhe çështja e ambientit jetësor, ngase shpeshherë ka raste kur mund të vijë deri te cenimi i së drejtës për jetë, pasi që qytetarët shumë pak janë të njoftuar me këtë të drejtë dhe nuk janë të interesuar t'i paraqesin rastet e shkeljes së të drejtës së tyre për ambientin jetësor.

RADIO EVROPA E LIRË
Zyra e Avokatit të Popullit gjithnjë e më shumë trokitet nga qytetarët, kjo flet se institucionet nuk e bëjnë si duhet punën e tyre. Ç’thonë shifrat në këtë drejtim?

IXHET MEMETI

Nëse i analizojmë shifrat që nga viti 2005 e këndej, karakteristikë kryesore është se për çdo vit ne kemi rritje të ankesave për rreth 20 për qind të qytetarëve, të cilët i drejtohen këtij institucioni.

Është edhe një karakteristikë që dua ta theksoj se në krahasim me të gjitha institucionet në rajon, të cilat merren me të drejtat dhe liritë e njeriut, Institucioni i Avokatit të Popullit në Maqedoni ka një veçanti.

Përderisa në vendet e rajonit vetëm një për qind e numrit të popullatës ankohet tek Avokati i Popullit, në Maqedoni, në raport me numrin e përgjithshëm të popullsisë, kemi dyfishin e ankesave të parashtruara krahasuar me vendet e rajonit, siç është Shqipëria, Bullgaria, Greqia, Kosova, Mali i Zi apo Serbia.
XS
SM
MD
LG