Ndërlidhjet

Kurteshi: Kushtetuta nuk respektohet sa duhet


Sami Kurteshi, Avokat i Popullit
Sami Kurteshi, Avokat i Popullit

Kushtetuta nuk respektohet në masën që do të duhej respektuar dhe ky është problemi ynë kryesor, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Avokati i Popullit në Kosovë, Sami Kurteshi.







RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Kurteshi, cila ka qenë situata në përgjithësi lidhur me respektimin e të drejtave të njeriut në Kosovë?

SAMI KURTESHI

Respektimi i të drejtave të njeriut në Kosovë, shikuar prej perspektivës sonë si institucion, mund të ndahet në dy pjesë: një është pjesa e jonë, institucionale, rastet e pranuar dhe të hetuara; dhe tjetra është situata objektive që është në tërë Kosovën.

Unë mendoj se shifrat që kemi ne, nuk flasin për realitetin që është në Kosovë, por është vetëm një pjesë e atyre shkeljeve të të drejtave të njeriut që ndodhin në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa është numri i ankesave të paraqitura gjatë këtij viti dhe cila ka qenë natyra e ankesave më të shumta të paraqitura në institucionin që ju drejtoni?

SAMI KURTESHI

Numri i rasteve të ankesave në institucionin tonë prej 1 janarit të këtij viti e deri më tash, më 11 dhjetor është 1153 raste që janë paraqitur, kurse prej tyre janë hapur 391 raste për hetim. Disa prej tyre ndoshta edhe janë mbyllur, por janë hapur domethënë që janë në mandatin tonë.

Numri më i madh i të gjitha ankesave ka të bëjë me gjykatat, janë diku mes 30 dhe 40 për qind. Rastet tjera kanë të bëjnë me ministritë, rreth 25 për qind, pastaj vijnë komunat dhe rastet tjera, në të vërtetë raste tjera ka më shumë sesa që kemi prej komunave, por kjo është përafërsisht ajo ndarja që ne e kemi.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Kurteshi përmendët gjykatat. Si e shihni gjendjen në fushën e zbatimit të ligjit?

SAMI KURTESHI

Në fushën e zbatimit të ligjit përfundimisht duhet të konstatohet se Kosova ka një problem shumë serioz dhe në qoftë se kërkohet vetëm një konstatim i shkurtër, unë mund të them se ende nuk vlen parimi “ligji mbi të gjithë”.

Do të thotë, situata në Kosovë, rastet që kemi ne, rastet që kemi hapur për hetime, rastet që na paraqiten neve, dëshmojnë se në Kosovë ende dikush është mbi ligjin.

RADIO EVROPA E LIRË
Cilët mendoni, në fakt, se janë shkaktarët dhe fajtorët lidhur me këtë çështje?

SAMI KURTESHI

Shkaktarët dhe fajtorët mund të ndahen në forma të ndryshme, varësisht prej perspektivës, por unë mendoj se shkaktari kryesor është se në Kosovë ende nuk kemi arritur t’i përmbahemi asaj, për të cilën jemi marrë vesh dhe ajo që jemi marrë vesh ne, si shoqëri, është kontrata shoqërore ose ta quajmë Kushtetutë.

Ne e kemi një Kushtetutë qe dy vjet edhe ajo është e bazuar në një rend të caktuar juridik dhe si bazë e rendit juridik janë të drejtat e njeriut. Kjo Kushtetutë nuk respektohet në masën që do të duhej respektuar dhe ky është problemi ynë kryesor.

RADIO EVROPA E LIRË
Po, fajtorët?

SAMI KURTESHI

Fajtorët jemi ne. Askush tjetër nuk është fajtor. Zbatimi i ligjit varet nga ne dhe kur them nga ne mendoj fillimisht në kulturën institucionale që jemi duke e ndërtuar, por me të cilën ne, si institucion, nuk jemi të kënaqur, sepse në të vërtetë rastet e paraqitura te ne, kanë të bëjnë me institucionet shtetërore, me autoritetet publike, ose me çdo person apo institucion që është i autorizuar nga institucionet shtetërore.

Ne nuk po flasim për të gjitha shkeljet e të drejtave në Kosovë dhe këtë duhet ta kemi të qartë. Ne po flasim vetëm për ankesat kundër institucioneve shtetërore dhe kur them të institucioneve shtetërore, po mendoj të tri shtyllat e pushtetit shtetëror.

RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se politika këtu qëndron mbi ligjin?

SAMI KURTESHI

Përfundimisht po. Shembujt ne i shohim për çdo ditë. Përndryshe, cila do të jetë arsyeja që të mos zbatohen vendimet gjyqësore? Nuk ka ndonjë arsye tjetër, sepse çdo vendim shoqëror, institucional që merret në Kosovë, ka karakter politik. Fajtor është mungesa e vullnetit politik.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Kurteshi, cila kategori e shoqërisë mendoni se ka qenë më e diskriminuara?

SAMI KURTESHI

Varësisht se si shikohen, varësisht edhe cila ndarje bëhet. Unë dëgjoj se bëhet edhe ndarje etnike, bëhet ndarje gjinore, bëhen ndarje të ndryshme. Në qoftë se flasim me shifra, sipas ndarjes etnike që nuk është korrekte - unë po e them, po, megjithatë, ne kemi prej të gjitha rasteve që kemi hetuar - do të thotë 317 janë shqiptarë, 57 janë serbë, 5 janë boshnjakë dhe 11 janë të tjerë.

Unë po e them që ne nuk jemi të kënaqur me numrin e rasteve të paraqitura, sepse mendojmë se është shumë më i vogël se sa numri i problemeve ose realiteti objektiv.

Kurse, në aspektin që nuk do t’i ndaja sipas përkatësisë etnike, sigurisht grupi i parë janë femrat. Femra është e diskriminuar, ne mund të flasim çka të duam, por pasojat e një patriarkalizmi, herë-herë shumë të rëndë, ende janë të pranishme te ne.

Pastaj janë fëmijët. Ne si institucione jemi shumë fajtorë, sepse fëmijët, në çdo rast të diskriminimit të tyre, nuk kanë faj, pa marrë parasysh veprën, veprimin dhe dëmin që e shkaktojnë. Ata kurrë nuk janë fajtorë - fajtorë janë të mëdhenjtë, edhe ne si shoqëri nuk u kushtojmë kujdes të duhur njerëzve që pas 10 apo 20 vjetësh kanë për ta udhëhequr këtë vend.

Kemi edhe kategori tjera, një kategori që unë me çdo kusht do ta përmendja, janë personat me nevoja të veçanta, për të cilët shoqëria jonë bën shumë pak, mos të them që është diskriminuese edhe si kulturë shoqërore.

Ne mund të gënjejmë veten të themi se bëjmë përpjekje, strategji – ne duhet të shikojmë ku jemi, çka jemi ne, si bëjmë ne, e atëherë të flasim për të tjerët, po detyrë e institucioneve është që në mënyrë të planifikuar dhe në mënyrë shtetërore t’u qaset këtyre problemeve me seriozitetin më të madh dhe me angazhimin më të madh. Këtu ne i kemi vërejtjet tona.

Një grup tjetër që sigurisht mund t’i vishet koncepti etnik, unë nuk di a ka të bëjnë me etnicitetin e tyre, janë pjesëtarët e komunitetit rom, ashkalinj dhe egjiptas, sidomos problemin që e kemi kohëve fundit me kthimin e tyre nga shtetet perëndimore.

RADIO EVROPA E LIRË
Kur jemi këtu, raportet ndëretnike janë një ndër çështjet që më shumti janë përmendur. Si qëndron situata në këtë drejtim?

SAMI KURTESHI

Kemi perspektiva të ndryshme. Sa i përket konflikteve ndëretnike në Kosovë, pa pasur përshtypjen dhe tendencën që ta njoh situatën në tërë botën, unë po them për relacionet ballkanike dhe për relacionet e Evropës Juglindore, duke e përjashtuar pjesën veriore të Mitrovicës dhe të Kosovës, që për nga numri i konflikteve siguria është shumë e madhe në Kosovë, sepse nuk ka konflikte ndëretnike.

Këtë po e them duke e përjashtuar pjesën veriore të Kosovës dhe të Mitrovicës, atje është një gjendje tjetër, atje thënë krejt shkurt as institucionet e Republikës së Kosovës nuk janë krejtësisht fajtore, sepse nuk e kontrollojnë atë pjesë. Kështu që nuk mund ta bësh dikë fajtor për diçka që nuk e kontrollon.

Mirëpo, mendoj se qytetarët e Republikës së Kosovës në përgjithësi pësojnë një diskriminim edhe nga ndërkombëtarët. Ky është një problem, është një shqetësim i institucionit tonë, sepse ballafaqohemi me hipokrizi ndërkombëtare.

Te ne vijnë dhe na thonë se ju keni gjykata të korruptuara, ju keni gjykata joefikase, ju keni gjykata jo të drejta, jo kështu, jo ashtu. Kurse, qytetari ynë nuk ka të drejtë, për shkeljet që mund t’i bëhen edhe nga gjykatat, t’i drejtohet Gjykatës Evropiane për të drejtat e njeriut. Neve na kanë mbyllur hermetikisht dhe na thonë ju jeni fajtorë se s’keni gjykatë.

Po, mirë. Në qoftë se unë nuk mund të shpresoj për një gjykim të drejtë, pra më lejo t’i drejtohem një gjykate tjetër! Edhe atë s’na lejojnë, e në anën tjetër na akuzojnë. Kjo është ajo hipokrizia që e shoh unë. Por, megjithatë kjo ka të bëjë, po them, në rend të parë, me faktin se ne jemi fajtorët, jo të tjerët. Në shtëpinë tonë ne duhet t’i rregullojmë çështjet tona.

Kurse thelbi i gjithë problemit dhe unë si person, si njeri që e kam, është se me gjendjen e gjykatave askush nuk është i kënaqur, kurse gjykatat janë institucionet që ndajnë drejtësi, edhe pse nuk e ndajnë atë drejtësi gjithmonë shumë drejt, ky nuk është shqetësimi im kryesor.

Shqetësimi im kryesor është se dalëngadalë po humbet besimi jo në drejtësinë institucionale, po në drejtësinë shoqërore. E, kjo shkakton konflikte shumë të mëdha dhe të rrezikshme dhe unë kësaj po i frikësohem më së shumti.
XS
SM
MD
LG