Ndërlidhjet

Autoritetet e rendit në Kosovë thonë se kanë bërë përgatitjet e duhura për organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare të 12 dhjetorit, në mënyrë që siguria në vend ditën e diel të jetë në nivel të lartë.

Fatmir Xhelili, zëvendësministër i Punëve të Brendshme në dorëheqje, thotë se Policia e Kosovës është e gatshme për çfarëdo sfide në ditën e zgjedhjeve, duke e marrë parasysh edhe përvojën nga zgjedhjet e kaluara

“Policia jonë ka përvojë, duke e marrë parasysh që në zgjedhjet e mëparshme ka pasur plane operative specifike për zgjedhje. Hapat që janë ndërmarrë në këtë drejtim, do të bëjnë që Kosova të jetë një ambient i sigurt për t’u mbajtur zgjedhje të qeta dhe të sigurta”
, thotë Xhelili.

Sipas Xhelilit, masat shtesë operative janë ndërmarrë në pjesën veriore, ku së bashku me policinë e EULEX-it janë marrë hapat adekuat në drejtim të sigurimit të hapësirës së volitshme për të votuar dhe do t’u mundësohet edhe qytetarëve serbë, të cilët dëshirojnë të marrin pjesë në zgjedhje, të kenë mundësinë të votojnë.

Në anën tjetër, Arbër Beka, zyrtar për informim në Policinë e Kosovës, thotë se sa i përket ditës së zgjedhjeve, policia është përgatitur dhe në koordinim të plotë edhe me Komisionin Zgjedhor, do të ketë numër të mjaftueshëm të zyrtarëve policorë që të sigurojnë procesin zgjedhor.

“Tashmë është shpërndarë urdhri operativ nga Drejtoria e përgjithshme, edhe pse nuk presim të ndodhë ndonjë incident, por megjithatë policia do të jetë në gjendje gatishmërie të reagojnë në qoftë se kërkohet një gjë e tillë”
, bën të ditur Beka.

Sipas Bekës, shumica e përgjegjësive bien mbi Policinë e Kosovës, siç është përcjellja e materialit sensitiv, e po ashtu edhe sigurimi në përgjithësi i të gjitha vendvotimeve dhe qendrave të votimit. Por, zyrtarët policorë në teren do të jenë të gatshëm për kryerjen e gjitha obligimeve që kanë.

Ndërkaq, zyrtarë nga EULEX-i thonë se roli i këtij institucioni është udhëheqja në përgjithësi për sigurinë e Kosovës. Blerim Krasniqi, zyrtar për informim në EULEX, shpjegon:

“Roli i EULEX-it do të jetë në ditën e zgjedhjeve, mentorimi, monitorimi dhe këshillimi i Policisë së Kosovës, e cila e ka rolin udhëheqës për sigurinë e Kosovës”.


Në zgjedhjet e së dielës do të garojnë 29 subjekte politike, me gjithsej 1.265 kandidatë për deputetë në Kuvendin e Kosovës. Numri i përgjithshëm i qytetarëve me të drejtë vote është mbi 1.6 milion, ndërkaq votues të rinj janë 73,288 persona.

Lexoni edhe këtë:

Zgjedhjet rrisin sigurinë në veri
  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG