Ndërlidhjet

Vestervele: Pas zgjedhjeve, bisedimet


Ministri i jashtëm gjerman, Guido Vestervele pret që zgjedhjet e nesërme në Kosovë të paraqesin “një ditë të suksesshme për demokracinë dhe për njerëzit në shtetin e ri”, ka njoftuar përmes një komunikate Ministria e Punëve të Jashtme e Gjermanisë.

“Të gjithë personat me të drejtë vote, përfshirë edhe pjesëtarë e pakicës serbe, do të shfrytëzojnë shansin që me votat e veta të ndikojnë në kursin politik të vendit”, citohet të ketë thënë Vestervele.

Ai ka shfaqur shpresën që pas zgjedhjeve do të fillojnë bisedimet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.

“Unë shpresoj se qeveria e re e zgjedhur në Prishtinë së shpejti pas zgjedhjeve do t’i fillojë bisedimet direkte me Serbinë, në mënyrë që të fillohet me zgjidhjen e problemeve të përditshme jetësore”, ka thënë ministri i Jashtëm gjerman.

Në komunikatë gjithashtu theksohet se qeveria gjermane angazhohet për mbarëvajtje të zgjedhjeve në Kosovë nëpërmjet mbështetjes së projekteve të ndryshme të organizatave joqeveritare, ndër të cilat edhe ai për financimin e angazhimit të 4 800 vëzhguesve të pavarur zgjedhor të rrjetit “Demokracia në Veprim”.
XS
SM
MD
LG