Ndërlidhjet

KQZ: Janë bërë të gjitha përgatitjet për zgjedhje


Fotografi nga zgjedhjet e kaluara
Fotografi nga zgjedhjet e kaluara
Kosova po mban heshtjen zgjedhore nga orët e para të së shtunës, pas 10 ditësh fushatë për zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Derisa subjektet politike kanë ndalur aktivitetet partiake, Komisioni Qendror Zgjedhor ka mbledhur përfaqësuesit e partive pjesëmarrëse në zgjedhje, për t'ua sqaruar procedurat e numërimit në Qendrën e Numërimit të Votave.

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, ka përsëritur se janë bërë përgatitjet e duhura për organizimin e zgjedhjeve të lira parlamentare të 12 dhjetorit.

“Të gjitha aktivitetet, të cilat kanë qenë të parapara sipas planit operacional, ne kemi arritur që t’i përfundojmë në afatet ligjore dhe në përpikëri”,
ka bërë të ditur Daka.

Zonja Daka ka thënë se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, deri tash nuk ka pasur asnjë problem gjatë përgatitjeve për zgjedhjet e jashtëzakonshme. Sipas saj, mbarëvajtja e procesit të votimit, tash e tutje është përgjegjësi e partive politike dhe e Komisioneve Komunale.

Kryetarja e Komisionit Qendror Zgjedhor, Valdete Daka

“Ne e kemi sjellë gjithë procesin zgjedhor deri këtu, pra deri në ditën e zgjedhjeve. Ndërsa, sa i takon ditës së nesërme, do të doja t’ju njoftoj se barrën më të madhe do ta keni ju, si subjekte politike, komisionarët dhe vëzhguesit e partive politike”,
ka theksuar Daka.

KQZ-ja ka konfirmuar se numri i përgjithshëm i votuesve në Kosovë, do të jetë mbi 1.6 milion. Nga ky numër, votues të rinj janë 73.288 persona. Ndërkaq, nga lista e votuesve si persona të vdekur janë hequr 6.165 emra.

Institucioni për organizimin e zgjedhjeve ka njoftuar, po ashtu, se të dielën do të hapen 746 qendra të votimit, me gjithsej 2.280 vendvotime.

Por, sa i takon asaj se çfarë qendrash të votimit do të hapen në veri të Kosovës, zonja Daka është shprehur:

Sa i takon zgjedhjeve dhe qendrave të votimit, ne do t’i hapim ato, të cilat janë të parapara sipas planit operacional, e që janë gjithsej 14 qendra të votimit. Disa nga to janë fikse, e disa të tjera janë mobile (lëvizëse). Ne do të punojmë dhe do ta implementojmë planin ashtu siç e kemi paraparë, sigurisht në partneritet me faktorin ndërkombëtar”.

KQZ-ja ka bërë të ditur se të dielën, në orët e hershme të mëngjesit materiali i ndjeshëm do të shpërndahet nëpër qendra dhe në vendvotime.

Zgjedhjet e së dielës, në të cilat garojnë 29 subjekte politike, do të monitorohen nga mbi 32 mijë vëzhgues.

Prej tyre, mbi 26 mijë u përkasin partive politike, 493 organizatave ndërkombëtare, 351 ambasadave, si dhe mbi 5 mijë vëzhgues janë nga organizatat joqeveritare.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, nuk ka premtuar asgjë se kur do të jepen rezultatet e para preliminare të zgjedhjeve.

“Gabimi i bërë në Rahovec”, sipas Dakës, “ka qenë pikërisht për shkak të presionit për të publikuar sa më shpejt rezultatin”.

Daka ka theksuar se KQZ-ja do t’i bëjë publike rezultatet e zgjedhjeve atëherë kur t’i ketë marrë rezultatet nga Komisionet Komunale Zgjedhore.
XS
SM
MD
LG