Ndërlidhjet

Proces me numër rekord vëzhguesish


Numri rekord prej mbi 32 mijë vëzhguesve mund të ulë, por jo të eliminojë mundësitë për manipulime në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të së dielës, vlerësojnë njohësit e proceseve zgjedhore në Kosovë. Ata thonë se për të pasur efekt gjatë mbikëqyrjes, vëzhguesit duhet të shpërndahen në mënyrë racionale nëpër vendvotimet në Kosovë.


Njohësit e proceseve elektorale në Kosovë thonë se numri rekord i vëzhguesve që pritet ta mbikëqyrin ecurinë e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, nuk eliminon tërësisht, por zvogëlon mundësitë për manipulime me vota.

Mbi 32 mijë vëzhgues, prej të cilëve mbi 26 mijë u përkasin partive politike, 493 organizatave ndërkombëtare, 351 ambasadave dhe mbi 5 mijë vëzhgues nga organizatat joqeveritare, pritet t’i monitorojnë zgjedhjet e së dielës.

Ish-kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë, Adnan Merovci, thotë se me një shpërndarje të arsyeshme të këtyre vëzhguesve, zvogëlohen mundësitë për manipulime eventuale gjatë procesit zgjedhor.
...zakonisht manipulimet bëhen si rezultat i mosseriozitetit të komisionarëve, ose grupeve të caktuara që i shfrytëzojnë hapësirat e mundshme.


“Me një numër kaq të madh dhe një shpërndarje racionale në krejt vendvotimet, dy mijë e sa ndodhen, mendoj se shtohet e rritet garancia dhe zvogëlohet probabiliteti i mundësisë së manipulimit, sepse zakonisht manipulimet bëhen si rezultat i mosseriozitetit të komisionarëve, ose grupeve të caktuara që i shfrytëzojnë hapësirat e mundshme”,
thotë Merovci për Radion Evropa e Lirë.

Vëzhguesit e zgjedhjeve do të kenë të drejtë të jenë të pranishëm gjatë tërë procesit zgjedhor - që nga hedhja e fletëvotimeve në kuti, e deri në hapjen e kutive, numërimin e votave dhe komunikimin e rezultateve.

Përfaqësues të KQZ-së kanë shprehur shqetësimin se numri aq i madh i vëzhguesve do të mund të komplikojë procesin zgjedhor, për shkak të hapësirave ku do të zhvillohen zgjedhjet.

Ish-kryeshefi i sekretariatit të KQZ-së, Mazllum Baraliu, thekson rëndësinë për një menaxhim të duhur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve lidhur me këtë. Baraliu thotë se prania e një numri të madh të vëzhguesve nëpër vendvotime, nuk do të ketë efekt nëse ata nuk e kryejnë punën si duhet.

“Në qoftë se ata shkojnë 3 minuta ose 30 dhe qëndrojnë; nëse qëndrojnë vetëm në qendra të mëdha, e të voglat shkojnë dhe i vizitojnë, ndërsa në të tjerat jo - në provinca, ku kryesisht ka mundësi për manipulime eventuale të procesit, atëherë sigurisht se nuk do të ketë efekt prania e tyre”
, vlerëson Baraliu.

Në zgjedhjet e fundit parlamentare në Kosovë, më 2007, kanë qenë të angazhuar rreth 27 mijë vëzhgues, të cilët, megjithatë, nuk kishin vëzhguar edhe shpenzimet e partive gjatë fushatës elektorale.

Këtë veprim, kësaj radhe, e kanë bërë vëzhguesit e rrjetit të organizatave joqeveritare “Demokracia në Veprim”. Ish-kreu i KQZ-së, Merovci, shpreh bindjen se vëzhgimi i shpenzimeve nga ky rrjet ka shtuar kujdesin e partive për të mos i tejkaluar kufijtë e shpenzimeve që parashihen me ligj.
Deri më tani çdo gjë ka qenë në suaza të ligjit...


“Deri më tani çdo gjë ka qenë në suaza të ligjit, sepse e dimë që ligji parasheh rreth 0.1 euro ose 50 cent për numër të votuesve për subjekte politike dhe mendoj se është respektuar. Por, natyrisht se me kohë do të bëhet auditimi dhe prejardhja e krejt fondeve dhe buxhetit të periudhës së vëzhgimit të financimit ashtu siç e parasheh ligji”
, thekson Merovci.

Rritja e interesit për t’i vëzhguar këto zgjedhje, thuhet se vjen për shkak se këto zgjedhje janë zgjedhjet e para parlamentare që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës.

Lexoni edhe këtë:

Sfidat e monitorimit
XS
SM
MD
LG