Ndërlidhjet

KQZ: Kanë votuar 47.80 %


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve gjatë konferencës për shtyp, 12 dhjetor 2010.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve gjatë konferencës për shtyp, 12 dhjetor 2010.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se të gjitha vendvotimet në mbarë Kosovën janë mbyllur në orën 19:00, përveç atyre ku mund të ketë pasur njerëz në pritje për të votuar. Zyrtarët e KQZ-së dhe ata të “Demokracisë në Veprim”, procesin e zgjedhor e kanë vlerësuar si të rregullt.


Në zgjedhjet parlamentare, të cilat u mbajtën sot në Kosovë, sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, pjesëmarrja e votuesve vlerësohet të jetë mbi 47.80%.

Përfaqësuesit e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve thanë se procesi në përgjithësi mund të vlerësohet si i rregullt, pavarësisht disa incidenteve të vogla që janë paraqitur.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, për Radion Evropa e Lirë, deklaroi:

“Sa i përket procesit zgjedhor, konsiderojmë se duke marrë parasysh disa shkelje të vogla, apo disa incidente të vogla, të cilat janë shënuar, në përgjithësi procesi zgjedhor ka qenë mjaft i rregullt. Ndërsa, sa i përket përqindjes së daljes së votuesve, do të jetë më e lartë se 40 për qind”.


Nga ana tjetër, koalicioni i OJQ-ve “Demokracia në Veprim” që ka monitoruar procesin e votimit në të gjitha vendvotimet në Kosovë dhe ka pasur më shumë se 5,000 vëzhgues, tha se procesi i votimi kryesisht ka qenë i qetë.

Drejtuesit e këtij koalicioni njoftuan se deri në orën 16:00, kanë votuar më shumë se 33% e votuesve, duke mos përfshirë në këtë përqindje 15 % të vendvotimeve.

Veton Muja nga “Demokracia në Veprim”, përmendi një numër incidentesh, por siç u shpreh ai, asnjë nga incidentet nuk e ka dëmtuar procesin e votimit.

“Ne kemi vërejtur një pjesë të problemeve gjatë votimit, po besojmë se e gjithë ajo që ka ndodhur, nuk mendojmë që do ta dëmtojnë procesin e zgjedhjeve”
, tha Muja.

Sipas Mujës, incidenti më i rëndë është cilësuar ai në komunën e Prizrenit, ku një koordinator i vëzhguesve është arrestuar nga policia pasi tek i njëjti është gjetur një armë zjarri.

Rezultatet e para paraprake të KQZ-së është thënë se do të bëhen të ditura brenda 24 orëve nga mbyllja e qendrave të votimit.



  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG