Ndërlidhjet

Incidente në veri, arrestohen dy serbë


Serbët e veriut kanë bërë thirrje për bojkotim të zgjedhjeve që organizon Prishtina zyrtare. Mitrovicë, 11 dhjetor 2010.
Serbët e veriut kanë bërë thirrje për bojkotim të zgjedhjeve që organizon Prishtina zyrtare. Mitrovicë, 11 dhjetor 2010.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se në veri të Mitrovicës, në zonën e Leposaviqit, janë shënuar dy incidente lidhur me procesin zgjedhor.

Rreth 40 qytetarë serbë thuhet se janë mbledhur rreth një vendvotimi mobil, si shenjë kundërshtimi me zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në atë pjesë të Kosovës, ndërsa bëhet e ditur se po në zonën rurale të Leposaviqit është sulmuar me mjete piroteknike një njësi tjetër mobile e votimit.

Zëdhënësi i Policisë rajonale në Mitrovicë, Besim Hoti, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se lidhur me këtë incident, janë arrestuar dy persona të nacionalitetit serb.

“Dy persona të përkatësisë etnike serbe janë identifikuar, janë vënë nën kontrollin e policisë dhe janë dërguar në stacionin policor në Zveçan për të proceduar më tutje me rastin”,
ka bërë të ditur Hoti.

Hoti ka theksuar se tani situata në Mitrovicë, përfshirë pjesën veriore të qytetit, është qetësuar dhe është nën kontrollin e mekanizmave të sigurisë.


* * * * *
Edhe tri incidente të tjera


Policia e Kosovës, deri më tani, ka regjistruar të paktën tri incidente që kanë të bëjnë me zgjedhjet e sotme parlamentare.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, i ka tha Radios Evropa e Lirë se rasti i parë ka ndodhur gjatë natës së mbrëmshme në Zubin Potok, ku është sulmuar me armë zjarri Zyra Ndërlidhëse e Monitorimit, e cila funksionon në kuadër të KFOR-it.

Zëdhënësi Baki Kelani tha se, përveç dëmeve materiale, në vendin e ngjarjes është vendosur edhe një letër kërcënuese nga, siç tha ai, një organizatë terroriste serbe, në të cilën bëhet thirrje të mos dilet në votime, si dhe kërcënohen zyrtarët policorë.

Në Biti të Shtëprcës ka ndodhur një sulm fizik, ku është rrahur një vëzhgues i Partisë Social-Demokrate Serbe nga një person i komunitetit serb.

Mediat kosovare njoftojnë se sulmuesi është kryetari i komunës së Shtërpcës, por Kelani nuk e konfirmoi një gjë të tillë.

Ndërkohë, pesë persona janë shoqëruar për në polici për shkak të prishjes së rendit dhe qetësisë publike.

Ata, sipas Kelanit, janë rrahur mes vete në fshatin Ponorc të Malishevës, përkatësisht në vendvotimin nr 3013.

Ai tha se bëhet fjalë për qytetarë të Kosovës, por nuk saktësoi nëse ata ishin zyrtarë të zgjedhjeve apo votues.

Kelani tha se procesi i votimit po vazhdon me rregull në këtë qendër votimi.
XS
SM
MD
LG