Ndërlidhjet

Votat e liderëve partiakë


Qendër votimi në Prishtinë
Qendër votimi në Prishtinë
Në orët e mëngjesit, procesit të votimit i janë përgjigjur edhe liderët e partive politike në Kosovë. Ata kryesisht kanë adresuar mesazhe në favor të daljes së votuesve në zgjedhje, duke besuar se Kosova po e kalon një proces të rëndësishëm dhe test të demokracisë.


Liderë vendorë dhe përfaqësues ndërkombëtarë kanë ftuar qytetarët të votojnë, duke besuar se vendi po e kalon një test të rëndësishëm të demokracisë me zgjedhjet e para parlamentare në Kosovën e pavarur.

Zgjedhjet e lira e demokratike janë të rëndësishme për reputacionin ndërkombëtar të Kosovës, ka thënë Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së në Kosovë, Piter Feith.

“Duke votuar, kosovarët do të vendosin për qeverisjen e vendit për katër vitet e ardhshme. Natyrisht që është me rëndësi që zgjedhjet të kalojnë si duhet dhe pa ndonjë parregullsi në mënyrë që të përmirësohet reputacioni ndërkombëtar i Kosovës”,
ka thënë Feith.

Ndërkohë, edhe përfaqësues vendorë janë shprehur optimist për një proces të rregullt e demokratik.

Kryeministri dhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se votimet e sotme janë për të ardhmen evropiane të Kosovës.

“Sot Kosova voton për të ardhmen evropiane, për liberalizimin e vizave, për Kosovën pjesë të NATO-s, për t’u afruar dhe integruar në BE dhe në OKB, për rritjen e mirëqenies sociale të qytetarëve. Pra, voton për një të ardhme më të sigurt, për një të ardhme evropiane”
, është shprehur Thaçi.

Votën e vet e ka hedhur edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa. Ai ka theksuar se me këto zgjedhje fiton Kosova dhe qytetarët e saj.

“Uroj që zgjedhjet të jenë të suksesshme dhe besoj plotësisht në suksesshmërinë e këtyre zgjedhjeve dhe besoj se të gjithë ne do të jemi të kënaqur me rezultatet e zgjedhjeve. Do të fitojë ai që e merr votën e qytetarëve”,
ka thënë Mustafa.

Ndërsa ka votuar, edhe lideri i Aleancës Kosova e Re, Behxhet Pacolli, ka shprehur shpresën që vota e qytetarëve të Kosovës do të respektohet.

“Besoj se edhe kjo ditë do të kalojë mirë, pa probleme dhe qytetarët e Kosovës janë vetëdijesuar dhe e dinë se vota e tyre është e shenjtë dhe ajo do të shkojë aty ky është drejtuar”,
ka theksuar Pacolli.

Zgjedhjet e para parlamentare në Kosovën e pavarur janë të një rëndësie të veçantë, është shprehur Ukë Rugova nga koalicioni AAK – Lista “Dr.Ibrahim Rugova”.

“Këto zgjedhje janë të rëndësishme për fuqizimin e demokracisë në Kosovë, për fuqizimin e rrugëtimit të vendit drejt Bashkimit Evropian, NATO-s dhe miqësisë së përhershme me SHBA-të”,
ka potencuar Rugova.

Në zgjedhjet e sivjetme po marrin pjesë dhe parti të reja. Lideri i Vetëvendosjes Albin Kurti ka theksuar se këto janë zgjedhjet më të rëndësishme që po mbahen në Kosovën e pasluftës:

“Sot është një ditë e rëndësishme për Kosovën, për shkak se këto janë zgjedhjet më të rëndësishme në Kosovën e pasluftës. Inkurajojmë të gjithë qytetarët që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar dhe kësisoj të vendosin vetë dhe t’i sjellin ndryshimet pozitive, të cilat janë të domosdoshme në Kosovë”.


Mbarëvajtjen e zgjedhjeve e kanë inkurajuar edhe eurodeputetet Doris Pack dhe Ulrike Lunacek, të cilat e kanë vizituar Komisionin Qendror Zgjedhor dhe disa qendra votimi. Ato po qëndrojnë sot në Kosovë si pjesë e misionit vëzhgues të zgjedhjeve nga Parlamenti Evropian.
XS
SM
MD
LG