Ndërlidhjet

ENEMO shtrin vëzhguesit në gjithë Kosovën


Rrjeti Evropian i Organizatave Monitoruese të Zgjedhjeve – ENEMO ka konfirmuar se vëzhguesit e këtij rrjeti po e përcjellin nga afër procesin e votimeve në Kosovë.

Kryesuesi i këtij misioni, Zllatko Vujoviq tha se ENEMO është duke përcjellë dhe mbledhur detaje të votimeve nga të gjitha qendrat dhe se vlerësimet në lidhje me procesin do të publikohen gjatë ditës së nesërme- të hënën.

“Ekipet tona janë duke mbuluar një të tretën e qendrave të votimit”, tha Vujoviq.

Por, nënvizoi ai, “ENEMO jep vlerësimet vetëm pasi që të përfundojë procesi i monitorimit në nivel të vendit”.

Një pjesë të vëzhguesve, Vujoviq tha se e ka dërguar edhe në veri të Kosovës, por as nga kjo pjesë nuk ka dhënë shpjegime në lidhje me ecurinë e deritashme të procesit të votimit.

ENEMO ka konfirmuar shtrirjen e 182 vëzhguesve në gjithë Kosovën.

Prej tyre, 170 do të shpërndahen në të gjitha qendrat e votimit nëpër Kosovë, ndërsa 12 vëzhgues do të qëndrojnë në qendrën e numërimit të votave dhe rezultateve dhe do monitorojnë procesin derisa të shpallet rezultati përfundimtar.
XS
SM
MD
LG