Ndërlidhjet

logo-print

Bojkotohen votimet


Serbët e veriut kanë bërë thirrje për bojkotim të zgjedhjeve parlamentare të Kosovës, 11 dhjetor 2010.

Serbët e veriut kanë bërë thirrje për bojkotim të zgjedhjeve parlamentare të Kosovës, 11 dhjetor 2010.

Autoritetet e sigurisë dhe ata të administrimit të procesit zgjedhor e quajnë “përgjithësisht të rregullt” procesin zgjedhor në Mitrovicë - përfshirë pjesën veriore të këtij qyteti. Megjithatë, zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në veri janë karakterizuar nga tri incidente - reagime kundërshtuese të serbëve lokalë ndaj procesit zgjedhor.


Serbët e veriut të Kosovës kanë tentuar të pengojnë gjatë ditës mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare në atë pjesë të vendit. Ata, kohë më parë, patën paralajmëruar se do të ndërmarrin të gjitha masat për të mos lejuar vendosjen e vendvotimeve në atë pjesë të qytetit.

Përmes një letre, e cila u vendos gjatë natës së mbrëmshme në derën e objektit të Zyrës Ndërlidhëse të Monitorimit të KFOR-it në Zubin Potok, serbët kërcënuan me sulme mekanizmat vendorë e ndërkombëtarë të sigurisë, në rast se zhvillohet procesi zgjedhor në zonat e banuara me serbë.

Më vonë, rreth 40 qytetarë serbë u mblodhën rreth një vendvotimi mobil në Leposaviq me synim të ndërprerjes së procesit zgjedhor, ndërsa bëhet e ditur se në zonën rurale të kësaj komune është sulmuar me mjete piroteknike një njësi tjetër mobile e votimit.

Zëdhënësi i Policisë rajonale në Mitrovicë, Besim Hoti, i tha Radios Evropa e Lirë se lidhur me këtë incident janë arrestuar dy persona të nacionalitetit serb.

“Dy persona të përkatësisë etnike serbe janë identifikuar, janë vënë nën kontrollin e policisë dhe janë dërguar në stacionin policor në Zveçan për të proceduar më tutje me rastin”,
bëri të ditur Hoti.

Hoti theksoi se tani situata në Mitrovicë, përfshirë pjesën veriore të qytetit, është qetësuar dhe është nën kontrollin e mekanizmave të sigurisë.

Për një proces përgjithësisht të rregullt me parregullsi, siç quhen, të vogla, flasin edhe vlerësimet e Komisionit Komunal Zgjedhor të Mitrovicës dhe ato të rrjetit të organizatave joqeveritare “Demokracia në Veprim”, i cili me 104 vëzhgues në jug, e 38 në veri po monitoron zgjedhjet atje.

Telashi më i madh që nga hapja e vendvotimeve në orën 7 të mëngjesit e deri më tani, sipas kreut të Komisionit Komunal Zgjedhor në jug të qytetit, Gani Mikullovci, ka qenë mosfunksionimi i llambave ultravjollce.

“Procesi zgjedhor, në përgjithësi, ka shkuar në mënyrë të rregullt, përveç këtyre problemeve teknike që janë në krejt Kosovën rreth baterive dhe llambave. Gjatë gjithë kohës jam duke u përpjekur të bëj gjithë çfarë mund të bëj, e të shohim se si do të përfundojë kjo punë
”, theksoi Mikullovci.

Koordinatorja e “Demokracisë në Veprim” për rajonin e Mitrovicës, Afërdita Syla shpjegoi pasojat që mund shfaqen nga mosfunksionimi i llambave dhe baterive ultravjollce.

“Mosfunksionimi i llambave lë hapësirë për tentime për të votuar disa herë”
, tha Syla.

Syla foli dhe për parregullsi të tjera, siç janë votimi familjar, votimi i dyfishtë dhe prania e madhe e militantëve të partive nëpër qendrat e votimit.

Edhe pse informatat e autoriteteve përgjegjëse për administrimin e procesit zgjedhor flasin për funksionimin e 13 vendvotimeve mobile e 8 vendvotimeve statike në veri, Syla tha se në Zveçan është ndalur procesi i votimit.

Ndërkohë, sipas shifrave të para zyrtare për pjesëmarrje në votime thuhet se deri pak para mesditës në Zubin Potok kanë votuar rreth 2.78 për qind e banorëve, në Zveçan 1,3 për qind, ndërsa në komunën e Leposaviqit thuhet se rreth 0.65 për qind e votuesve e kanë shfrytëzuar të drejtën për të votuar.
XS
SM
MD
LG