Ndërlidhjet

Ankesat e partive politike


Prishtinë
Prishtinë
PDK

Partia Demokratike e Kosovës ka shprehur shqetësimin në lidhje me, siç ka pohuar, disa parregullsi që, sipas saj, kanë ndodhur në pesë shkolla të lagjes “Kodra e Trimave”.

Blerand Stavileci, nga kjo parti, ka pohuar se “simpatizantë dhe militantë të LDK-së, një pjesë prej tyre edhe të armatosur, po bëjnë presion ndaj votuesve, ndërkohë që është kërcënuar edhe kryetari i degës së PDK-së në këtë lagje”.

Stavileci ka bërë të ditur se PDK-ja ka raportuar rastin në organet e KQZ-së dhe tek organet e rendit dhe sigurisë.


LDK
Shtabi Zgjedhor i LDK-së i ka hedhur poshtë akuzat e zyrtarëve të PDK-së, sipas të cilëve, persona të organizuar nga LDK-ja në Prishtinë kanë ushtruar presion mbi votuesit.

Arben Gashi, anëtar i Shtabit Zgjedhor të LDK-së, ka thënë se kjo është absolutisht e pavërtetë.

“Këto forma të organizimit njihen nga Partia Demokratike e Kosovës, janë formë e tyre e veprimit dhe organizimit, e mentalitetit të tyre të bërjes së politikës. LDK-ja është e vendosur për respektimin e rregullave demokratike”, ka thënë Gashi.


Vetëvendosje
Lëvizja Vetëvendosje ua ka shpërndarë mediave një xhirim të shkurtër amator, ku shihet që në një qendër të votimit, që thuhet të jetë diku në Prizren, disa persona shpërndajnë fletëvotime jashtë qendrave të votimit.

Sipas kësaj lëvizjeje, bëhet fjalë për Qendrën Nr 204/A në shkollën “Gani Çavderbasha”, në Prizren.


AKR
Aleanca Kosova e Re ka thënë se “po ushtrohet presion ndaj përfaqësuesve të saj" dhe se "ka parregullsi në procesin zgjedhor”.

"Kemi identifikuar parregullsi me detektorët e gishtërinjve në disa raste", ka thënë zëdhënësi i AKR-së, Arbër Geci, sipas të cilit ka pasur persona që kanë votuar disa herë.

AKR ka shprehur shqetësim për këto ngjarje dhe ka kërkuar respektim të Kodit të Mirësjelljes.

LDD
Lidhja Demokratike e Dardanisë vlerëson se procesi i deritanishëm zgjedhor është zhvilluar brenda standardeve të pranueshme, me gjithë defektet e shënuara.

“LDD përmes vëzhguesve të saj, ka evidentuar se ende vazhdon praktika e votimit kolektiv siç është rasti në fshatin Debëllde në komunën e Vitisë, ku një person voton për më shumë veta", ka deklaruar Lulzim Zeneli nga LDD.
XS
SM
MD
LG