Ndërlidhjet

Kosova dha testin e demokracisë


Në zgjedhjet e organizuara nga institucionet e Kosovës, votuan edhe serbët e Graçanicës.
Në zgjedhjet e organizuara nga institucionet e Kosovës, votuan edhe serbët e Graçanicës.
Analistë politikë në Kosovë kanë mendime pozitive për procesin e zgjedhjeve të përgjithshme dhe me këtë, sipas tyre, Kosova e ka dhënë provimin sa i përket standardeve demokratike. Megjithatë, analistët shprehen se qeveria e re, do të përballet me sfida të ndryshme.


Analistë politikë kosovarë vlerësojnë se procesi i zgjedhjeve parlamentare, që është zhvilluar të dielën më 12 dhjetor në Kosovë, ka shkuar në mënyrë të rregullt dhe demokratike.

Driton Lajçi, thotë se në aspektin formal, teknik dhe politik, Kosova dhe institucionet e saj e kanë dhënë testin e demokracisë, të quajtur zgjedhjet e përgjithshme 2010.

“Në përgjithësi procesi zgjedhor ka shkuar shumë mirë, nuk ka pasur ndonjë ndërhyrje serioze, e cila do të ndikonte në mbarëvajtjen e procesit. Nuk ka pasur ndërhyrje, të cilat kanë qenë më herët apo pjesëmarrje të figurave të partive politike afër qendrave të votimit, që janë përpjekje për të ndikuar në vullnetin e qytetarëve. Në përgjithësi KQZ-ja e ka kaluar provimin”, vlerëson Lajçi.

Edhe analisti tjetër, Ramush Tahiri, konsideron se me këtë proces, Kosova ka dhënë edhe një provim tjetër sa u përket standardeve demokratike.

“Është një proces i mirë demokratik, është treguar një kulturë e lartë qytetare, njerëzit kanë dalë të japin votën e vet qytetare për kandidatët që mendojnë se do t’i përfaqësojnë në Kuvendin e Kosovës dhe që do të ketë ndikim edhe në formimin e qeverisë”,
shprehet Tahiri.

Analistët vlerësojnë se pas rezultatit të zgjedhjeve do të ketë ndryshime në skenën politike.

Por, çka presin, atëherë, analistët pas përfundimit të këtyre zgjedhjeve?

Ramush Tahiri, shpreh mendimin se nga këto zgjedhje nuk do të ketë fitues absolut.

“Të gjitha partitë politike do të jenë aty diku. Dhe, unë nuk pres që partia e parë, kushdo që të jetë në bazë të parashikimeve, PDK ose LDK, që t’ia kalojë tjetrit me më shumë se dy ose tre deputetë dhe që asnjëra nuk llogaris që do t’i marrë 30 deputetë”,
thotë Tahiri.

Driton Lajçi thotë se nga qeveria e ardhshme pret përshpejtimin e procesit të liberalizimit të vizave

“Pres që prej ditës së hënë, të ketë një këndellje, të ketë një ringjallje, një rilindje të institucioneve, partive politike dhe popullit të Kosovës. Sidomos, kjo rilindje të shtrihet në gjetjen sa më të shpejtë të konsensusit ndërpartiak, në mënyrë që sa më shpejtë të zgjidhet presidenti, kryeministri dhe kryetari i Kuvendit dhe Kosova të vazhdojë ecjen e saj. Në radhë të parë, (Kosova) të dalë të marrë pasaportën e lëvizjes së lirë, e ajo është liberalizimi i vizave”
thekson Lajçi.

Ndërkaq, Krenar Gashi nga Instituti “KIPRED”, thotë se qeveria e re, që do të dalë nga zgjedhjet e sotme, do të përballet me sfida të ndryshme.

“Qeveria e ardhshme, pa marrë parasysh se në çfarë konstelacioni politik do të jetë, do të përballet me tri sfidat kryesore të Kosovës; e para është dialogu më Serbinë, e dyta, procesi i privatizimit që do të ndërlidhet më zhvillimin ekonomik; dhe e treta Termocentrali “ Kosova e Re” apo projekti për zhvillimin e energjisë se Kosovës. Andaj, medoemos janë të rëndësishme për Kosovën dhe janë një kthesë për politikën zhvillimore të Kosovës”,
pohon Gashi.

Sidoqoftë, autoritetet kompetente në Kosovë, kanë njoftuar se në disa qendra të votimit ka pasur disa incidente të vogla, dhe që partitë politike kanë shprehur shqetësime në lidhje me, siç thuhet, parregullsitë në procesin zgjedhor.

Por, lidhur me këtë analistët shprehen se këto raste nuk mund të ndikojnë në rezultatin e përgjithshëm të zgjedhjeve.
XS
SM
MD
LG