Ndërlidhjet

Terri shton ankesat


Fotografi nga fushata zgjedhore në Kosovë
Fotografi nga fushata zgjedhore në Kosovë
Në orët e mbrëmjes partitë politike shtuan ankesat, por edhe akuzat ndaj njëra-tjetrës, duke evidentuar disa parregullsi gjatë procesit zgjedhor. Më së shumti kritika u adresuan ndaj Partisë Demokratike të Kosovës, përderisa PDK-ja vlerësoi se procesi ishte i rregullt e demokratik.


Shumica e subjekteve politike, pjesëmarrëse në zgjedhjet e sotme, veçuan parregullsi dhe probleme gjatë procesit të zgjedhjeve.

Partitë politike akuzuan njëra-tjetrën për parregullsitë e evidentuara. Mirëpo, më së shumti e kritikuar ishte Partia Demokratike e Kosovës.

Sidoqoftë, ishte PDK-ja ajo që e para akuzoi LDK-në për kërcënim ndaj zyrtarëve dhe votuesve që e mbështesin këtë parti politike. Zëdhënësi i saj, Blerand Stavileci, tha se grupet që bënë presione ndaj PDK-së ishin të organizuara nga LDK-ja.

“Një grup prej 250-300 simpatizantëve të organizuar, kanë bërë presion të vazhdueshëm ndaj votuesve, duke cenuar kështu të drejtën e tyre për të votuar në mënyrë të qetë dhe demokratike. Po ashtu, kemi edhe fenomenin e drejtorëve të shkollave në Prishtinë dhe në Podujevë, të cilët në kundërshtim me Ligjin për zgjedhjet kanë vepruar duke tentuar t’i orientojnë votuesit sipas bindjeve të tyre”
, tha Stavileci.

Ankesat e PDK-së në Lidhjen Demokratike të Kosovës janë cilësuar nga kjo e dyta si qesharake. Madje, zyrtari i saj, Arben Gashi, ka deklaruar se veprimet e dhunshme janë sinonim i PDK-së dhe jo i LDK-së.

Mund të themi se Partia Demokratike e Kosovës çuditërisht ankohet se njerëzit po i kërcënojnë përfaqësuesit e PDK-së, kur dihet se janë sinonim i përfaqësimit të kërcënimit, apo dhunës, në aspektin e veprimeve apo mosveprimeve që ndërmarrin, apo kanë ndërmarrë në të kaluarën. Kështu që besoj se deklaratat e tyre janë qesharake”, u shpreh Gashi.

Gjatë ditës, sipas deklaratave të partive rivale, janë shënuar disa incidente edhe ndërmjet aktivistëve dhe simpatizantëve të PDK-së dhe atyre të Vetëvendosjes.
Përfaqësuesi i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, tha se problemet janë shtuar pas rënies së territ, sidomos në rajonin e Drenicës dhe në Mitrovicë dhe ato, sipas tij, janë iniciuar nga Partia Demokratike e Kosovës.

“Në komunat, në të cilat tradicionalisht janë manipuluar votat, siç janë komunat e Drenasit dhe Skënderajt, ato me nga 20 apo 30 për qind me nivelin e përqindjes së votuesve mbi mesataren e përgjithshme të Kosovës, atje është sidomos PDK-ja, që ka qenë në qeveri, ka një prani të fortë edhe me mekanizmat e saj parapolitikë në këto komuna”
, tha Konjufca.

Vërejtje ndaj fenomeneve të njëjta kishte edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Zyrtari i saj, Besnik Tahiri, fajësoi PDK-në për problemet e shkaktuara.

“Ky proces, edhe pse i jashtëzakonshëm dhe që ndodhi për herë të parë në shtetin e pavarur, ka mund të shkonte më mirë. Mirëpo, fatkeqësisht u pa që strukturat, të cilat janë mësuar realisht ta dëmtojnë sovranitetin e popullit, vazhduan edhe kësaj radhe t’i shfrytëzojnë të gjithë mekanizmat e tyre për ta dëmtuar procesin”
, theksoi Tahiri.

Po në lidhje me votimet në rajonin e Drenicës, edhe LDK-ja kishte vërejtje serioze. Arben Gashi tha se bëhet fjalë për shkelje serioze, pasi që numri i votuesve, me të rënë terri, është shtuar dukshëm në këtë rajon dhe kjo, sipas tij, mund të ndikojë në gjithë procesin zgjedhor.

“Mund të ndikojë shumë pasi që nëse në Skënderaj dhe Drenas flitet për 76 mijë votues dhe nëse dalin 90 për qind për të votuar, i bie që mund të ndikojë shumë”,
potencoi Gashi.

Në anën tjetër, PDK-ja ishte subjekti i parë që kumtoi në njëfarë mënyre optimizmin pas mbylljes së qendrave të votimit. Zyrtari i saj, Memli Krasniqi, tha se qytetarët do të ftohen në festën e kësaj partie politike që zakonisht organizohet nga mesnata.

“Të gjithë qytetarët janë ftuar që të jenë prezent në një festë madhështore. Ju e dini se zakonisht në përmbyllje të procesit zgjedhor e mbajmë një konferencë në seli dhe më pas spostohemi për komunikime të ardhshme atje, te sheshi i fitores”
, tha Krasniqi.

Gjatë tërë kohës partitë politike janë ankuar edhe për shkak të defekteve me llambat verifikuese.

Shpend Ahmeti nga Fryma e Re, tha se ndihej i befasuar me faktin që KQZ-së i ishte tërhequr vërejtja një ditë më herët për këtë defekt dhe nuk kishte ndërmarrë asnjë masë për ta sanuar këtë problem.
XS
SM
MD
LG