Ndërlidhjet

DV: Prin PDK-ja, parregullsi në Skënderaj dhe Drenas


Përkrahësit e PDK-së duke festuar

Përkrahësit e PDK-së duke festuar

Në zgjedhjet parlamentare, të cilat u mbajtën në Kosovë, përqindja e votuesve u tha të ketë qenë 47.80%.

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, tha se procesi zgjedhor në përgjithësi është vlerësuar të jetë i rregullt, pavarësisht disa incidenteve të vogla që janë paraqitur.

“Është një dalje e kënaqshme. Kjo tregon se elektorati ka qenë i interesuar për dalje në zgjedhje dhe nuk besoj se kemi vend për pakënaqësi”,
tha Daka.

Megjithatë, edhe pse ishte pritur që KQZ-ja të dalë me rezultatet preliminare pak orë pas mbylljes së vendvotimeve, një gjë e tillë nuk ndodhi.

Drejtuesit e KQZ-së thanë se rezultatet preliminare pritet të dihen gjatë paradites të së hënës.

Mirëpo, Koalicioni i Organizatave Joqeveritare "Demokracia në Veprim", ka filluar të bëjë publikimin e rezultateve të pjesshme preliminare.

Deri tash “Demokracia në Veprim”, ka bërë publikimin e numërimit të më shumë se 51% të votave, nga të cilat Partia Demokratike e Kosovës është ajo që prin me numër më të madh të votave.

Driton Selmanaj, anëtar i koalicioni, dha këto rezultate:

“Rezultati është ky: PDK-ja ka fituar 30.69% të votave, LDK-ja 26.2%, Lëvizja Vetëvendosje radhitet e treta me 12.78%, pastaj AAK-ja me 10.89%, AKR-ja me 7.85%, e pasuar nga FeR-i me 2.35% dhe LDD-ja me 2.78% të votave të numëruara deri më tani dhe të tjerat 6.64%”.


Kreu i “Demokracisë në Veprim”, Ismet Kryeziu, në konferencën për gazetarë bëri të ditur se për shkak të parregullsive të evidentuara, është ndërprerë numërimi i votave në komunën e Skënderajt dhe në atë të Drenasit. I pyetur nëse do të ketë nevojë të përsëriten votimet në këto dy komuna, Kryeziu u shpreh:

“Ne do t’i kemi dokumentet ose faktet në ditët në vijim. Ne nuk jemi organi kompetent që vendos për këtë çështje; është organi shtetëror, KQZ-ja, që me siguri se me PZAP-in do të bëjnë hetimet e hollësishme për këtë çështje dhe ne kërkojmë nga ta që të zhvillojnë hetime për këtë çështje”.


Nga ana tjetër, kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, hodhi poshtë pohimet se shtyrja e publikimit të rezultateve është pasojë e mos-efikasitetit të punës së KQZ-së.

"Ne nuk mund të dalim me rezultate. Ne fizikisht jemi të varur nga rezultatet, të cilat vijnë në formë të shkruar nga të gjitha vendvotimet e Kosovës"
, tha mes tjerash Daka.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG