Ndërlidhjet

Partitë në pritje të KQZ-së


Kuti votimi nga zgjedhjet e 12 dhjetorit.
Kuti votimi nga zgjedhjet e 12 dhjetorit.
Shumica e partive politike që garuan në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, kanë vendosur t’i presin rezultatet preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të dalë me vlerësimet për arritjet e tyre në këto zgjedhje.

Ndryshe ka vepruar Partia Demokratike e Kosovës. Nën brohoritjen e simpatizuesve, kreu i kësaj partie, Hashim Thaçi, ka shpallur fitoren e PDK-së.

“Partia Demokratike e Kosovës sonte ka shënuar nj fitore historike, të thellë dhe bindëse. Sonte Kosova edhe një herë e dëshmoi se ne jemi shtet ligjor dhe i parimeve demokratike”
, ka thënë Thaçi.

Ndërkohë, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Lidhja Demokratike e Dardanisë, Fryma e Re dhe lëvizja Vetëvendosje, u kanë bërë thirrje simpatizantëve dhe anëtarëve të tyre që të përmbahen nga festimet para shpalljes së rezultateve të para zyrtare.

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka kërkuar që të merren parasysh vërejtjet e partisë lidhur me ecurinë e zgjedhjeve, por ka theksuar se pa të dhëna zyrtare, nuk ka nevojë të bëhen supozime paraprake.

“Ato rezultate do të jenë rezultate valide. Kështu që nuk kemi nevojë që ne paraprakisht të presupozojmë rezultate. Për ne do të jenë të vlefshme rezultatet e Komisionit Qendror Zgjedhor dhe nuk ka nevojë të bëhet asnjë manifestim në qytet nga anëtarët tanë, nga simpatizantët tanë në këtë moment”
, ka theksuar Mustafa.

Të njëjtin mesazh u ka përçuar mbështetësve të vet Aleanca Kosova e Re. Nënkryetarja e AKR-së, Mimoza Kusari - Lila, ka thënë se shpallja e fitores për zgjedhjet parlamentare nga disa parti flet për papjekurinë e tyre.

Megjithatë, ajo paraqiti rezultatet preliminare të partisë për 30% të votave të numëruara, sipas të cilave, Koalicioni për Kosovën e Re ka fituar 9.5%, Lidhja Demokratike e Kosovës 31%, Partia Demokratike e Kosovës 28%, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 12%, Vetëvendosja 14%, Lidhja Demokratike e Dardanisë 2.2% dhe Fryma e Re 2.2%.

Kusari ka folur foli edhe për arritjet e partisë në komuna të caktuara.

“Aleanca Kosova e Re prin në Gjakovë, forca e dytë në Hani të Elezit, është duke qëndruar mirë në Prishtinë, edhe pse ende nuk janë numëruar të gjitha votat edhe në disa komuna të tjera në Kosovë”,
është shprehur Kusari-Lila, duke shprehur bindjen se do të ketë një ngritje të rezultatit të AKR-së me përfundimin e numërimit të të gjitha votave.

Pa e kryer këtë veprim, as KQZ-ja nuk ka dashur t’i publikojë rezultatet preliminare, mirëpo ka njoftuar se pjesëmarrja e përgjithshme në votimet e së dielës ka qenë 47.8%.

Të dhënat e KQZ-së që flasin për 93.68% të daljes në votime në komunën e Skënderajt dhe 86.94% në komunën e Drenasit, janë vënë në qendër të kritikave të subjekteve të tjera politike.

Aleanca Kosova e Re ka akuzuar këtë mekanizëm për, siç thuhet dështim në garantimin e integritetit të zgjedhjeve në këto komuna, duke thënë se nga vëzhguesit partiakë janë vërejtur parregullsi të shumta gjatë votimit.

Shqetësimin e tyre lidhur me ecurinë e zgjedhjeve në Skënderaj dhe Drenas e kanë shprehur edhe Fryma e Re dhe Lëvizja Vetëvendosje. Përfaqësues të kësaj të fundit kanë thënë se nuk do t'i pranojë rezultatet e zgjedhjeve për këto dy komuna, ngase atje, sipas tyre, janë shënuar parregullsi të rënda gjatë votimeve.

Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje,Visar Ymeri, ka thënë:

“Ka pasur aq shumë shkelje të rënda, aq shumë manipulim votash, sa që realisht këto nuk mund të pranohen për shkak se do ta pranonim një shtrembërim të skajshëm të një procesi, i cili do të duhej të ishte demokratik”.

Ecuria e zgjedhjeve në komunën e Drenasit është kritikuar edhe nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Përmes një komunikate për media, kjo parti ka njoftuar se "në Drenas është sulmuar dhe demoluar zyra e Degës së AAK-së nga turma e simpatizantëve të PDK-së".

Këtë incident, AAK-ja e ka konsideruar “akt të shëmtuar, që dëmton procesin demokratik zgjedhor në vend" dhe ka kërkuar që të merren masa ndëshkuese ndaj kryesve të veprës.

Lexoni edhe këtë:

Terri shton ankesat
XS
SM
MD
LG